<b></b> Shpërthen “bomba” e Nacionales, krejt debati rreth korrupsionit në ministrinë e Liburn Aliut

Shpërthen “bomba” e Nacionales, krejt debati rreth korrupsionit në ministrinë e Liburn Aliut

02.06.2022 00:02

Ditari i Buzhalës. Episodi i tretë. Ora 18. Një aferë e madhe korruptive, që shpërfaqej përmes përgjimeve të siguruara nga Gazeta Nacionale, u botua. Aty përfshiheshin njerëz të afërt të Liburn Aliut, më konkretisht dajtë e këshilltarit të tij, Floren Ramqaj.

Pas publikimit, asgjë s’është më e njëjtë. Për herë të parë, nëpërmjet përgjimeve autentike, vërehet mënyra e korruptimit të njerëzve që sot drejtojnë Ministrinë e Infrastrukturës.

Siç e keni parë edhe në videon e mësipërme prej diçka më pak se 20 minutash, raportohet për një rast ku të përfshirë janë dajtë e këshilltarit të Liburn Aliut, Florent Ramqajt.

Ky i fundit, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, mohoi këto akuza, duke shpërqendruar pak opinionin me deklaratën klishe se qeveria po e lufton vazhdimisht këtë dukuri.

“Pikërisht në kohën kur lëre që nuk ka keqpërdorime por edhe ku janë duke u luftuar e denoncuar cdo ditë keqpërdorimet e mëdha që kanë ndodhur, sidomos në ministrinë Infrastrukturës, sot qenka publikuar një emision, ku për ironi lakohet emri im për kinse keqpërdorime”, tha mes tjerash ai.

Por, në këtë postim, komentuesit e grinë fare Ramqajn. Madje, kishte edhe nga të atillë që e cilësuan “hajn”. Këto komente negative, Ramqaj i fshiu mëpastaj. Por, aty u vërejt përkrahja që mori nga ministra, deputetë, zyrtarë të Qeverisë e të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët e pëlqyen dhe e shpërndanë postimin e tij.

Një nga reagimet e para rreth kësaj çështjeje erdhi nga avokati kosovar Xhevdet Smakiqi.

Smakiqi, përmes një komenti tha se duke u bazuar në të dhënat e publikuara në inçizimin e Nacionales, Prokuroria qysh nesër duhet të fillojë me hetime.

“Shkelja e dispozitave të mbikqyrjes sipas ligjit të ndërtimit nga organi mbikqyrës përbën vepër penale dhe çdo aksident me pasoja materiale e fatale duhet të adresohet si përgjegjësi deri te personi fizik përgjegjës, mbikqyrësi i punimeve, pranimit teknik dhe personit juridik OE-së/Punëkryesit. Prokuroria ‘ex officio’ obligohet të nis hetimet nesër në mëngjes”, shkroi ai.

Ndërkaq, për analistin Visar Ymeri, ajo që ngjau sot nuk ka dilemë se është formë e korrupsionit.

“Për mendimin tim këtu nuk ka dilemë nëse kjo është një formë e korrupsionit. Por duhemi me pasë parasysh që këtu diskutimi është në mes të punëkryersit dhe në mes të kompanisë që do të duhej të ishte kompani mbikqyrëse e punëve, e cila pretendon që ka lidhje me ministri, dhe nëse ne themi po, ata thonë po, qikjo është pjesa e parë që duhet me u hetu”, tha Ymeri në Debat Plus.

Në anën tjetër, sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, tha se sot u regjistruan dy afera korruptive të Qeverisë Kurti.

Njërën nga ato e paraqiti Partia Demokratike, kurse të dytën Gazeta Nacionale.

“DY AFERA KORRUPTIVE TË QEVERISË KURTI BRENDA NJË DITE

Brenda një dite të vetme, u zbuluan dy afera të mëdha korruptive të Qeverisë Kurti 2. Njërën e paraqiti PDK-ja e tjetrën një media, gazeta Nacionale.

  1. Dy ministra të Kurtit janë bërë bashkë për t'ia dhënë pa kurrfarë procedure 1,000,040.00€ një OJQ-je të regjistruar në Kosovë.
  2. Nuk ka rëndësi a e kryen punën në Ministrinë e Liburn Aliut, mjafton që ta japësh ryshfetin dhe raportin ta shkruajnë pozitiv, sepse daja e nipi janë të lidhur me Ministrin Liburn Aliu.

Merreni me mend, dy super-afera korruptive dhe Albin Kurti, miku i sekserit Martin Berishaj, po hesht”, ka shkruar Gjoshi në “Facebook”.

PDK nuk ishte e vetmja parti opozitare që reagoi. Bëhet fjalë për AAK-në.

Zëdhënësi i kësaj partie përmendi shefin e tij, Haradinajn, duke thënë se kur ky i fundit fliste për tenderët njëburimorë brenda kësaj ministrie, e majta ekstreme i kundërvihej.

"Pas skandalit 120 milionësh të ambasadorit Berishaj, gazetaria hulumtuese filloi të zbardh korrupsionin astronomik në Ministrinë e Liburnit dhe ati Durmishit. Kur kryetari Haradinaj, para rreth 1 viti, filloi të shpjegonte për tenderët një burimor të kësaj ministrie, e majta ekstreme i kundërvihej me demagogji, ashtu siç e kanë zanat" - ka shkruar Blaka.

Është interesant fakti se deri më tani nuk ka reaguar askush nga Lëvizja Vetëvendosje, hiq këtu këshilltarin Ramqaj. Kujtojmë gjithashtu se zyrtarët e VV-së dhe ata të Qeverisë, e kanë pëlqyer shkrimin e këshilltarit, ku më shumë u kritikua mediumi ynë sesa që u pa ndonjë arsyetim më bindës.

Debati në rrjete sociale në lidhje më këtë tëmë nuk ka të ndaluar. Aq i madh është debati, sa që gjatë tërë orëve të mbrëmjes së 1 qershorit, emri i Ramqajt ishte i popullarizuar në Facebook.

Reagimet po vazhdojnë edhe në momentin e botimit të këtij artikulli, për të cilat do të vazhdojë të raportojë Nacionale.

/Nacionale/

Tjera nga autori:
1