<b></b> Shumë alarme të rreme për bomba, Kosova cak i luftës hibride

Shumë alarme të rreme për bomba, Kosova cak i luftës hibride

16.06.2022 19:58

Muajve të fundit, janë shtuar alarmet e rreme për bomba në Kosovë. Një tjetër kërcënim me bombë ka alarmuar sot Aeroportin e Prishtinës, por që më vonë u qartësua se është i rremë, teksa intervenoi Policia e Kosovës. Ndërsa, ekspertët e sigurisë vlerësojnë se kërcënimet me mjete shpërthyese janë nga grupe kriminale jashtë Kosovës, të cilat synojnë të krijojnë panik tek qytetarët.

Alarmin për bombë e konfirmuan orë më parë Policia e Kosovës e Aeroporti i Prishtinës, teksa këta të fundit, pasi policia ndërmori të gjitha procedurat e nevojshme, njoftuan se alarmi ishte i rremë.

Ju njoftojmë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore nga organet kompetente të Republikës së Kosovës. Kjo ka rezultuar se kërcënimi me bombë ka qenë alarm i rrejshëm”, thuhet në njoftimin e Valentina Garës, zëdhënëse e Aeroportit “Adem Jashari”.

Njëjtë, komunikatë lëshuan edhe Policia e Kosovës, duke konfirmuar se asgjë të vërtetë nuk ka në alarmet për bombë.

Lufta hibride ndaj Kosovës

Kosova duket se është bërë cak i sulmeve të rreme në muajt e fundit. Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se një gjë e tillë mund të jetë pjesë e një lufte hibride që synon të krijojë panik tek kosovarët.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, njohësi i sigurisë, Fadil Kajtazi, theksoi se Kosova nuk është imune karshi alarmeve të rreme për mjete shpërthyese.

“Në kaosin ballkanik, të kombinuar me efektet e agresionit rus në Ukrainë, mendja së pari të shkon te lufta hibride, e cila mes tjerash synon krijimin e pasigurisë te qytetarët, ku shkollat si vende të grumbullimit masiv e bartin ketë pasiguri në masë të madhe. Para disa ditësh kjo ishte dukuri në Serbi dhe në Mal të Zi, ku kryeministrja serbe e cilësoi si një “akt të armiqve të Serbisë nga shkaku se Serbia nuk i kishe vendosur sanksione Rusisë”. Pas kësaj doli se organet serbe të sigurisë kishin identifikuar sinjalin e emailit të ardhur nga Rusia gjë që komplikoi edhe më shumë situatën”, spjegon Kajtazi.

Javë më parë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, që është edhe anëtar i Komisionit për Siguri, theksoi se këto alarme janë tendencë për të ngjallur tensione.

“Unë po e shoh që kjo është tendencë për me e mbajtë në tension krejt Ballkanin. Nuk është veç në Kosovë, derisa patëm në Serbi, patëm edhe në pjesë tjera do me thanë. Nuk është diçka tepër alarmante, më tepër është një luftë speciale që zhvillohet me kriju pasiguri në jetë të përditshme të njerëzve”, thotë Humolli për Nacionalen.

Ndërkohë, sipas Kajtazit, këto kërcënime mund të jenë nga grupe kriminale.

“Fakti se në raste të këtilla, edhe pse policia mund të ketë vlerësim në masën 99% se bëhet fjalë për alarm të rrejshëm, ajo duhet të reagoj sipas standardit dhe protokollit për një sulm të vërtet, e që kjo ndërmarrje ka disa veprime, duke filluar që nga evakuimi, sigurimi i perimetrit i cili përfshin: ndërprerjen e komunikacionit, ndërprerjen e aktiviteteve biznisore dhe të tjera në zonën e perimetrit të sigurisë. Në këtë rast, nëse kjo përsëritet shumë herë në një zonë, dhe aty zhvillohen aktivitete të biznesit (gastronomi në këtë rast), mendja të shkon se dikujt i konvenon që frekuentimi i zonës të braktisët si shkak i frikës, dhe t’i falimentojë disa biznese”, thotë Kajtazi, i cili thekson se caku në objektet e shkollave mund të përdoret për ta kamufluar qëllimin e vërtetë.

Alarmet e rreme alarmojnë Policinë

Cak i këtyre sulmeve më së shumti janë institucionet arsimore, ku ditë më parë, Rektorati i Universitetit të Prishtinës u alarmua nga një alarm për bombë, mirëpo pas evakuimit të hapësirave nga policia, doli se ishte një alarm i rremë.

Ky ishte alarmi i dytë brenda pak javëve që erdhi në adresë të universitetit më të madh publik.

Informacioni për mjet shpërthyes në Rektorat ishte pranuar drejtpërdrejtë në adresën elektronike të këtij institucioni, ndërsa informacioni për mjet shpërthyes në shkollën “Xhevdet Doda” i kishte ardhur Policisë, e cila i evakuoi menjëherë nxënësit. Ndërkohë që cak i alarmeve të rreme disa herë kishte qenë edhe stacioni i autobusëve në Prishtinë.

Kurse Policia e Kosovës i sqaroi kohë më parë Nacionales, se janë duke zhvilluar hetime për këto raste, por deri më tani nuk është bërë ndonjë arrestim, teksa zyrtarët policorë, nuk e kanë bërë të ditur nëse kanë arritur t’i identifikojnë adresat prej nga kanë ardhur këto kërcënime.

Cak i alarmeve të rreme edhe rajoni

Ndër shtetet e para që pranoi kërcënime për bomba ishte Mali i Zi, i cili që nga muaji mars përballet me alarme të rreme nëpër institucione publike e private.

Qeveria e Malit të Zi javë më parë kishte njoftuar se kishte marrë një email kërcënues, ku thuhet se dërguesi është organizata “Shteti i Burrave” dhe menaxheri i saj Vladislav Podznjakov dhe se ndër kërkesat e tyre është edhe “ndërrimi i pushtetit në Mal të Zi”.

Në prill arritën emaile në zyrat e komunave, të shkollave dhe policisë, që alarmojnë për vendosje të bombave në disa institucione, në lokacione si: Podgoricë, Nikshiq, Berane, Tivar, Cetinje e Budvë.

Cak i kërcënimeve ishte edhe Serbia. Objektet publike në Beograd kanë qenë cak i raportimeve për vendosje të bombave.

Alarmi i fundit i këtij lloji ishte dhënë para tri ditëve në edicionin e nëntë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!” që po mbahet në Beograd.

Pjesëmarrësit janë detyruar të dalin jashtë vendit ku ishte e paraparë të mbahej festivali.

Përveç kërcënimeve për bomba në shkollat fillore të Beogradit, kërcënime pati edhe se ishin vendosur bomba në ura në Beograd, si dhe në qendrën tregtare “Stadiumi” (Stadion).

Për këto raste, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka këmbyer të dhëna përmes Europol-it dhe Interpol-it dhe me autoritetet në Suedi, Lituani, Zvicër, Rusi dhe Hungari, por edhe me kompaninë Google.

Në ndërkohë Kosova ende nuk është bërë pjesë e këtyre organizatave ndërkombëtare që lehtëson bashkëpunimin policor dhe kontrollin e krimit.

 

Tjera nga autori:
1