<b></b> Skandali “jaranat e Liburnit” kryetema e 2 qershorit, Prokuroria nis hetimet – Kurti refuzon Ballkanin e Hapur

Skandali “jaranat e Liburnit” kryetema e 2 qershorit, Prokuroria nis hetimet – Kurti refuzon Ballkanin e Hapur

03.06.2022 08:12

Dridhjet tektonike të “Ditarit të Buzhalës” u dëgjuan edhe gjatë ditës së enjte. Publikimi i përgjimeve ku shpërfaqeshin ‘dallaveret’ e ‘jaranave’ të Liburn Aliut, ministër i Ministrisë së Infrastrukturës, ishte kryetemë e debatit në vend. Magnituda e madhe bëri që për skandalin të dëgjonte edhe Prokuroria e Shtetit, e cila i konfirmoi Gazetës Nacionale se tashmë ka iniciuar rast hetimi kundër Aliut.

Por, kambanat e korrupsionit nuk i vranë veshët e pushtetit. Si eksponentë të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti ashtu edhe partia e tij, verbërisht përkrahën Aliun dhe këshilltarin e tij, Florent Ramqaj, dajallarët e të cilit u zunë duke kërkuar ryshfet në përgjimet e publikuara nga Nacionale.

Kryeministri Kurti ‘fluturoi’ drejt Sllovakisë për të marrë pjesë në një konferencë, gjersa në mbrëmje u publikua një letër e tij dërguar homologut të tij maqedonas, e ku i pari i Qeverisë refuzoi pjesëmarrjen në Ballkanin e Hapur.

Në anën tjetër, djelmoshat e kombëtares së Kosovës në futboll shënuan fitoren e parë në garën e “Ligës së Kombeve”.

Por, cilat ishin ngjarjet kryesore të 2 qershorit?

PROKURORIA NIS HETIMET PËR AFERËN E “JARANAVE TË LIBURNIT”

Pas publikimit të skandalit për ryshfet në Ministrinë e Infrastrukturës nga gazeta Nacionale, Prokuroria ka nisur hetimet për këto dyshime.

Këtë gjatë ditës, për Nacionalen e ka konfirmuar edhe shtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

“Ju njoftoj se lidhur me rastin, prokurori i shtetit ka filluar procedurën për verifikimin dhe hetimin e pretendimeve të ngritura”, ka thënë Kelmendi.

Se do të nisin hetimet, Nacionale mësoi edhe nga burimet pranë Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Në anën tjetër, edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi ka kërkuar që Prokuroria të nisë hetime, në një proces të pavarur e të paanshëm.

“Publikime të tilla do të duhej të merrnin vëmendjen e institucioneve kompetente për të ushtruar kompetencat dhe përgjegjësitë që ua cakton ligji. Përderisa, është detyrë dhe obligim i Prokurorit të Shtetit që përmes një procesi të pavarur, të drejtë dhe të paanshëm, të hetojë këtë rast për të zbardhur të vërtetën. Incizimet e publikuara dje qartazi përbëjnë dyshim të arsyeshëm për të filluar hetimet lidhur me këtë rast”, ka thënë Gzim Shala nga IKD për gazetën Nacionale.

KOSOVA SHËNON FITORE TË RËNDËSIHME KUNDËR QIPROS

Në anën tjetër, sportdashësit kosovarë sonte patën natë feste, sepse përfaqësuesja e Kosovës shënoi një fitore të rëndësishme kundër Qipros, me rezultatin 0:2.

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, u deklarua në fund të ndeshjes, ku dha arsyet e tij për fillimin e dobët të ndeshjes që patën ata.

"Në pjesën e parë ishim paksa të hapur. Menduam të aplikonim presion të lartë, por nuk doli ashtu siç menduam, sepse pranuam disa kundërsulme”, tha Rrahmani.

Ai shtoi se taktika që skuadra përdori në pjesën e dytë të lojës funksionoi.

"Ndërkaq, taktika që përdorëm në pjesë të dytë funksionoi dhe jemi të lumtur për një gjë të tillë. E kam thënë edhe gjatë herëve tjera që presionin e lartë jo gjithherë po arrijmë ta përballojmë. Ndoshta që s'e kemi ritmin e duhur në lojë”, tha Rrahmani.

Kurse ylli i mbrëmjes, Edon Zhegrova, tha se golin të cilin e shënoi gjatë ndeshjes së sotme ia dedikon legjendës së futbollit, Fadil Vokrri.

"Golin ia kam dedikuar Fadil Vokrrit, pasi edhe e kam zgjedhur numrin 9-të", deklaroi Edon Zhegrova.

ATË QË KURTI S’E ARRITI PËR TRI JAVË, BUJAR OSMANI E BËRI PËR TRI ORË

Muajin që shkoi, Albin Kurti, në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, qëndroi hiç më pak se 21 ditë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje, i pari i Qeverisë, pati një agjendë aspak dinjitoze në aspektin politik. Ai u takua me vetëm një person të rëndësishëm: Jake Sullivan, këshilltar i Sigurisë së presidentit Biden. Tri javë, asnjë takim në Shtëpinë e Bardhë e as në Departament të Shtetit.

E një lideri tjetër nga Ballkani Perëndimor, që për nga funksioni që ushtron, është më poshtë në hierarki se Kurti, u tregua më i ‘shkathtë’ politikisht se shefi i ezkekutivit kosovar.

Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, për vetëm pak orë qëndrimi në SHBA, arriti ta takojë shefin e diplomacisë amerikane, Anthony Blinken.

Dyert e Departamentit të Shtetit, që për Kurtin qenë hermetikisht të mbyllura gjatë tri javëve të ‘vizitës’ në ShBA, u hapën solemnisht për Osmanin.

E takimin që e realizoi me Sekretarin amerikan, Osmani e quajti si “nder të veçantë”.

“Falënderim i veçantë për Dialogun e shkëlqyer Strategjik, që po zhvillohet sot në Uashington nën patronazhin e Stejt Departamentit. Partneriteti strategjik ndërmjet dy vendeve hy në një fazë të re, më dinamike, të miqësisë, ndërkaq raportet bilaterale vendosen në një kornizë të re, më precize për zhvillimin e tyre të mëtejmë”, shkroi Osmani në Facebook.

KURTI E REFUZON FTESËN E BALLKANIT TË HAPUR ‘ME MARIFET’

Që nga fillimi ishte një nga zërat më kundërshtues të Ballkanit të Hapur. Albin Kurti edhe nga pozita e kryeministrit, ka kundërshtuar pjesëmarrjen në këtë iniciativë rajonale. Së fundmi, kryeministrit të Kosovës i erdhi një ftesë nga Maqedonia e Veriut për të marrë pjesë në mbledhjen e ardhshme të Ballkanit të Hapur që mbahet në Ohër.

Ftesë e padëshiruar - do të mund të konsiderohej ftesa e kryeministrit maqedonas për shefin e ekzekutivit kosovar.

E përgjigja e Kurtit, mund të cilësohet si shumë diplomatike. Një refuzim, një JO, por pa u përdorur askund në mënyrë eksplicite përgjigjen negative.

Letra, relativisht e gjatë që Kurti i ka dërguar homologut të tij nga Maqedonia, Dimitar Kovaçevskit, u publikua sot gjatë mbrëmjes në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës në Facebook.

Në përgjigjen e tij, Kurti e falënderon homologun maqedonas për ftesën e bërë, duke thënë se Kosova e mirëpret bashkëpunimin rajonal të bazuar në parimet e barazisë.

Kurti, siç shihet në letrën e tij, ka shkruar se Tregu i Përbashkët Rajonal brenda rregullave të BE-së, do të ishte zgjidhja më e mirë, përcjell Gazeta Nacionale.

"Besoj se këto synime arrihen më së miri në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku operojmë me rregullat e BE-së dhe vlerat e BE-së dhe ku punojmë për të siguruar mekanizma të trajtimit të drejtë nga të cilët përfitojnë të gjithë qytetarët tanë në mënyrë të barabartë. Siç e dini, në kuadër të Procesit të Berlinit Serbia kërkon trajtim të pabarabartë për qytetarët e Kosovës dhe bllokon çdo marrëveshje brenda Tregut të Përbashkët Rajonal që mundëson bashkëpunim rajonal të bazuar në parimet e barazisë", thuhet mes tjerash në letrën e Kurtit. /Nacionale.com/

Tjera nga autori:
1