Skandali me Ramën, rrena në Strasbourg, 'Nobel'-i, fjalët banale: Kush është Besnik Bislimi? - NACIONALE

Skandali me Ramën, rrena në Strasbourg, 'Nobel'-i, fjalët banale: Kush është Besnik Bislimi?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Besnik Bislimi gaboi përsëri. Kësaj here, ai shpërndau ‘gabimisht’ një status në të cilin dashakeqësisht quhej “pro-serb” kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Por, nën dritën e këtij gabimi s’na mbetet tjetër veçse të pyesim: kush është në të vërtetë Besnik Bislimi?

Zv. Kryeministër Bislimi nuk gaboi duke shpërndarë ndonjë status që e quante kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviqin si pro-serb. Nuk gaboi as me kryeministrin e Maqedonisë. Ai u desh të gabonte bash me kryeministrin e Shqipërisë, shtetit tonë vëllazëror. Ky gabim, për çudi, ishte në vijë me ‘politikën’ e inateve personale të kryeministrit Kurti ndaj kryeministrit Edi Rama. Dhe duhej të ndodhte, bash kur presidentja Vjosa Osmani e preu përgjysmë fytyrën e Ramës në një akt që dikush mund ta quante dëshmi të pastër të militantizmit pro-Kurti.

FOTO: Shpërndarja që e bëri z. Bislimi

Një histori banalitetesh, pjesa I

Përjashtimi i Rusisë nga Këshilli i Evropës bëri që t’i hapej rruga Kosovës për aplikim. Besnik Bislimi u nis drejt Strasburgut. Por, në takimin që pati me njeriun e dytë të Këshillit, z. Bjorn Berge, duket se nuk kishte kuptuar atë që ishte folur brenda.

Bislimi tha që Berge e kishte mirëpritur aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KiE. Por, Berge e përgënjeshtroi publikisht me anë të një postimi në Twitter ku deklaronte se nuk kishte thënë ashtu. Zv. Kryeministri gënjeu, por megjithatë nuk u skuq.

FOTO: Postimi i z. Berge ku përgënjeshtronte atë që thoshte Besnik Bislimi

Gënjeshtra e tij shpërfaqi edhe një herë ngutinë e tij që – edhe në mungesë provash – t’i bënte shërbëtorin besnik e fanatik kryeministrit të Kosovës.

Kjo përpjekje për shërbim fanatik u vërejt edhe në një mbledhje në Komisionin për Integrime Evropiane në të cilin kur u përball me shifrat e rritjes së çmimeve që po varfërojnë përditë qytetarët bërtiti “çfarë dështimi, kemi rritje ekonomike 10%.”

E kur jemi te rritja ekonomike, z. Bislimi – në kohën sa ishte ministër i Financave - ka fituar edhe një ‘Nobel’ për ekonomi. Ky çmim i është dhënë nga aktivistët e Partisë Social-Demokrate për deklaratat e tij se punësimi po rritej për 6-7 për qind në baza javore, dhe atë në kohën kur ekonomia e vendit ishte e mbyllur me karantinat e pandemisë.

FOTO: Çmimi Nobel për Ekonomi dhe Propagandë ndarë nga PSD-ja

Në fakt, Bislimi po eksploatonte me shifrat e shtresës më të shtypur të shoqërisë të cilët po regjistroheshin përkohshëm si punëtorë që t’i merrnin nga 170 euro pagesë ndihmash nga Qeveria e Kosovës. Edhe kjo deklaratë që u tall me të madhe gjithandej në rrjetet sociale, u bë që t’i shërbehej Kurtit, në atë kohë Qeverisë Kurti I.

Një histori banalitetesh, pjesa II

Besnik Bislimi në pozicionin e zv. kryeministrit ka zëvendësuar Haki Abazin. Ky i fundit njihej po ashtu për zërin kumbues në mbrojtje të kryeministrit të Kosovës dhe të Qeverisë, ashtu edhe si një sulmues i rreptë ndaj kundërshtarëve të tij. Kjo besohet se i ka kushtuar Abazit me humbjen e pushtetit fillestar. Bislimi në anën tjetër, shihej si më i moderuar – gjë e cila megjithatë, nuk po del të jetë e vërtetë.

Madje, shenjat e deklarimeve banale publike i kishte dhënë edhe në kohën kur ishte raportuar për punësimin e nipit të tij, Gëzim Tosunit në Këshillin Shtetëror të Cilësisë.

“Ndoshta në 50 vitet e fundit, ndoshta e kam takuar një herë,” – i kishte thënë Bislimi Albulena Haxhiut për këtë nip, raportoi vetë znj. Haxhiu.

Është banale të merremi me vërtetësinë e kësaj deklarate banale, por megjithatë vlen të thuhet që në atë kohë Gëzim Tosuni nuk i kishte më shumë se 45 vjet.

Bislimit në muajin prill u raportua se iu rehatua një motër, Valbona, si punonjëse e rregullt në klinikën e Neonatologjisë së QKUK-së, por për fat të mirë ai nuk e hapi gojën për një gjë të tillë.

Një tjetër deklaratë që u cilësua si banale ishte edhe ajo për Ligjin e Pagave. Qeveria iu kishte premtuar sindikatave se Drafti i Ligjit të Pagave do të ishte gati në muajin mars 2022, por nuk doli ashtu. E menjëherë në prill, Bislimi do të deklaronte si vijon:

“Paga s’është loto, me hapë smok, me këqyrë a ka dalë paga aty!”

Një tjetër shqetësim për vendin tonë është edhe ikja e mjekëve drejt Gjermanisë. Por, aspak i shqetësuar e madje shumë i pandjeshëm ishte shfaqur Bislimi edhe për një temë të tillë duke u shprehur si vijon:

“Po, kanë ikë mjekët prej Kosovës, kanë ikë mjekët gjithmonë. Por, a e dini pse shkojnë mjekët në Gjermani? Jo pse është rritur popullsia e Gjermanisë, po se mjekët gjermanë ikin prej Gjermanisë,”

AUK-ist me muskuj

Besnik Bislimi u fut në politikë si njeri i Aleancës Kosova e Re (AKR). Ai i kishte shkruar programin kësaj partie politike të profilizuar si e djathtë ndërkohë që punonte në RIT Kosova (AUK).

Në AUK ai ka ligjëruar shumë kurse ekonomike, përfshirë Mikroenonominë, Makroekonominë, Financat Publike, Politikën & Analizat Monetare dhe Ekonominë e Resurseve Natyrore.

Dhe, përvoja e tij universitare në AUK – përkundër që në rangim ky kolegj privat është më poshtë kolegjeve tjera private si AAB e UBT - duket se i ka dhënë vetëbesim të tepruar Bislimit. Ai ka bërë bujë të madhe për ofendimin që i ka bërë kryetarit të LDK-së, z. Lumir Abdixhiku por edhe ish kryeministrit Avdullah Hoti.

“Komentet që i ka dhënë ai në Kuvend (për rrymën) nuk janë të denja as për një student të ekonomisë,” – kishte thënë ai në fillim të këtij viti kur vendi po përballej me krizë energjetike duke iu referuar Abdixhikut.

Në anën tjetër, ai e fyu edhe Hotin përkundër që më pas nuk përtoi të krenohej me shifrat e rimëkëmbjes ekonomike që erdhën pas pakove të rimëkëmbjes që ishin bërë pikërisht nga Qeveria Hoti. Ja çka kisthe thënë për të: “Ligji, veç rimëkëmbje nuk është, a buxheti e ka rimëkëmbjen brenda. Do të thotë Avdullah Hoti i ka të gjitha mekanizmat, të gjitha mundësitë, veç nuk e ka trurin.

Për shkak të Besnik Bislimit dhe kabinetit të tij, një numër aktivistësh të Vetëvendosjes po e quajnë Qeverinë Kurti II si “Qeveri AUK-istësh” ndërsa vetë Bislimi është quajtur edhe si “Komandant Arkiva” në lidhje me deklaratën se Kosova ishte e gatshme ta hapte arkivën për të evidentuar krimet e mundshme të luftës nga UÇK-ja.

Lajme të ngjashme