<b></b> Protestojnë veteranët e UÇK-së: Forca të mëdha të policisë në rrugët e kryeqytetit

Protestojnë veteranët e UÇK-së: Forca të mëdha të policisë në rrugët e kryeqytetit

16.06.2022 07:31

E PËRDITËSUAR (08:30)

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka bërë përgatitjet e nevojshme për protestën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës [UÇK].

Lexues të gazetës Nacionale kanë dërguar fotografi ku shihet Policia duke u bërë gati për protestën.

Sipas njoftimit të policisë, më 15.06.2022, zyrtarë nga Policia e Kosovës (PK) kanë zhvilluar një takim njoftues me përfaqësues të Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së me qëllim të njoftimit rreth organizimit të protestës, vendit dhe kohës së mbajtjes së saj dhe masave tjera që lidhen me zhvillimin e protestës”.

“Policia e Kosovës e njeh të drejtën e shprehjes së lirë, pakënaqësive (protestës) si e drejtë ligjore. Lidhur me këtë lajmërim PK-ja, ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët, mbrojtjen e pronës dhe ofrimin e sigurisë në trafik”, thuhet në njoftim.

 

Sot protestojnë veteranët e UÇK-së, kundërshtojnë Ligjin për Pagën Minimale

 

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të protestojnë sot. Me fillim nga ora 9:30, këtë të hane veteranët kanë thirrur protestë gjithëpopullore për të kundërshtuar Ligjin për Pagën Minimale. Ky projektligj, që u miratua këtë javë në Kuvend, lë jashtë veteranët në rritjen që parashihet. E kjo i ka revoltuar ish-luftëtarët e luftës çlirimtare të viteve 1998-1999.

Veteranët kanë premtuar se protesta nuk do të eskalojë, ndonëse kanë theksuar se revolta është më e madhe se kurrë më parë.

Dje, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, i tregoi Nacionales se kanë pasur një takim me Policinë e Kosovës,

“Kemi pasur një takim me Policinë, temë ka qenë veç mbarëvajtja e protestës. E kemi bërë një takim me institucionin qashtu qysh e do rendi”, u shpreh Jashari.

Ai ka thënë se do të protestojnë për të shprehur pakënaqësinë me nismën ligjore të Qeverisë Kurti.

“Te shohim më vonë kemi takimet me strukturat tona. Do të shprehim pakënaqësi, do të bëjmë protestë të qetë, kemi bërë thirrje për protestë të qetë, edhe pse revolta është e madhe pasi është prekur në institucionin e UÇK-së”, theksoi Jashari.

“Unë mendoj që nuk duhet të ketë tensione, sepse Policia e Kosovës është e jona, objektet janë tonat, mirëpo pakënaqësia është brenda institucioneve”, shtoi tutje Hashari.

E pas takimit me veteranët, Policia e Kosovës doli me një komunikatë, duke theksuar se janë duke i bërë të gjitha përgatitje e nevojshme për protestën që pritet të fillojë në orën 9:30.

“Policia do të ndërmerr masat e nevojshme preventive, operative policore për të siguruar që mbarëvajtja e tubimit/protestës të kalojë pa ndonjë incident, që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore”, thuhet në njoftimin.

E në mbrëmjen e kaluar, në kryeqytet u panë autoblinda të Policisë, që konfirmuan nisjen e procesit të përgatitjes për protestën e sotme.

“Protestoni në mënyrë paqësore”

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, që ishte komandat i Zonës së Operative të Dukagjinit, u ka bërë thirrje veteranëve të UÇK-së që në protestën e nesërme të protestojnë “të qetë e me dinjitet”.

Haradinaj e ka quajtur të drejtë këtë protestë dhe i ka bërë thirrje qeverisë që ta tërheqin ligjin për pagë minimale ku nuk janë përfshirë veteranët e UÇK-së.

“I bëj thirrje qeverisë që ta tërheq ligjin, ta korrigjojë, të përfshijë kategoritë e lirisë brenda tij dhe ta risjellë në Parlament për votim. Është me interes që gabimi i bërë të korrigjohet. Duke qenë në përkrahje të plotë të kësaj proteste, apeloj tek të gjithë, që të protestohet qetë e me dinjitet”, ka shkruar Haradinaj.

Protestës do t’i bashkohet edhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili shkroi se “përpjekja më e lavdishme e historisë sonë po luftohet”.

“Kosova kurrë nuk ka pasur qeveri kaq agresive përballë veteranëve të UÇK-së. Kurrë s'kemi pasur të tillë pushtet që refuzon çdo kërkesë e nevojë të ish-luftëtarëve të lirisë, ndërkohë që u jep miliona bizneseve të mëdha e të fuqishme”, ka shkruar në Facebook, duke ftuar qytetarët të bashkohen në protestë.

Kujtojmë që në protestën e parë të organizuar nga veteranët, kishin marrë pjesë edhe deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe AAK.

Në seancën e djeshme, e ku u votua ndryshimi i Ligjit për Pagën Minimale që lë jashtë veteranët, PDK nuk mori pjesë fare, ndërsa LDK-ja e AAK-ja nuk morën pjesë në votim.

Tjera nga autori:
1