Pushteti komod, PDK e LDK zgjedhin konferencat e statuset në Facebook për të bërë opozitë

Pushteti komod, PDK e LDK zgjedhin konferencat e statuset në Facebook për të bërë opozitë

06.06.2022 14:59

A e dini se çfarë kanë thënë kohëve të fundit partitë opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja? Derisa këto parti nuk i ndalin konferencat për medie thuajse çdo ditë dhe tentojnë të përcjellin te qytetarët të metat dhe keqpërdorimet e qeverisë, qytetarët janë ata që pak e hiç e marrin mesazhin e tyre. Pse?  

Partia Demokratike e Kosovës [PDK], Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK] dhe Alenaca për Ardhmërinë e Kosovës [AAK], si parti parlamentare opozitare, si duket kanë zgjedhur formën jo të duhur për komunikim me publikun.

Shpesh konferencat e tyre as që bëhen temë diskutimi në opinonin publik. Ndodh që një status i ndonjë qytetari të rëndomtë në Facebook, të bëhet më popullor se ajo që thonë zyrtarët e këtyre partive në këto konferenca.

E këto konferenca ishin bërë të famshme fillimisht nga Ibrahim Rugova, gjatë viteve ’90.

Aktivizimi i tyre duket më shumë për nga numri, sesa nga përmbajta dhe ideja e shtrirjes së qëndrimeve të tyre te votuesit potencialë.  

KISS (keep it short and simple – shqip: thuaje shkurt dhe qartë) ose Fast Food thinking (të menduarit e shpejtë si ushqimet e shpejta) janë teori me të cilat mund të shërbehen partitë politike opozitare.

Përderisa këto që potencuam më lart nuk i gjen te partitë e lartpërmendura, konferencat mbahen vazhdimisht por pa mundur të futen në mbamendjen tonë. Gati çdo ditë nga një. Dhe gati secila me mbiemrin “e jashtëzakonshme”.

“Konferecat për media janë të skaduara”

Prezantimi i një suksesi nga partitë politike përmes konfrencave, duket se është metodë e dalë afati. Kështu të paktën mendon politologu Shkodran Ramadani, i cili thotë se paritë opozitare duhet të ndërrojnë mënyrën e komunikimit me qytetarët. 

Ramadani në një bisedë me Nacionalen thotë se konferencat e partive opozitare sjellin monotoni dhe nuk janë atraktive sa ishin dikur për t’u dëgjuar dhe për të përcjellë meszhet.

Përgjatë viteve, konferencat kanë qënë ndër format më efektive të komunikimit mes partive politike. Edhe qytetarët i kanë parë si mënyra për me transemtu ndonjë mesazh, për me ndërtu ndonjë agjendë dhe me komuniku diçka shumë me rëndësi për interesin publik. Megjithatë me kohën ato nuk e kanë ruajtur gjithmonë freskinë e vet... kanë dalë variante të tjera dhe opsione të tjera me komuniku me qytetarët, dhe Kosova duke qenë një vend me shtrirjen me të madhe të internetit dhe rrjeteve sociale, janë bë videot shumë më efektive në komunikim me qytetarët, dhe me kohë ato konferencat e partive ku mezi dëgjohet personi që flet dhe ajo monotoni, e sfondit a ngjyrës së partisë politike i ka bë diqysh shumë të skandume në përdorimin e tyre si platforma efikase për komunikm me qytetarët”, ka thënë ai.

Ramadani beson që tash për partitë opozitare ilaçi për përcjelljen dhe shtrirjen e ndikimit më shumë te qytetarët, janë videot e shkurtra dhe përmbajtësore.  

Tash unë besoj se shumë më efektive janë videot e adresimit të cilat janë normalisht të përdorura edhe me montazh, sepse një ndër aspektet që i dallon konferencat prej videove është montazha dhe editimi. Montazha nuk lejon përdorimin e fjalëve të tepërta, është shumë më efikase, shumë më e përmbledhur edhe e koncentron shumë muhabetin dhe e bën videon më goditëse dhe efikase. Po ashtu edhe editimi, duke përdor figura dhe titra, i jep një dimenison ku sot për sot, kur gjithçka bëhet shpejt, edhe në një botë të klikimeve është shumë më efikase sesa konferencat. Shihet një diskrepancë mes përpjekejve të partive opozitare me kumtu një qëndrim të vetin edhe shkallës së impaktit në shoqëri”, ka thënë politologu Ramadani.

E mugesa e rritjes së partive opozitare është edhe për shkak të moskomunikimit me mjete të duhura sipas tij.

Shihet që partitë opozitare edhe kur kanë ndonjë sukses nuk është që vërehet shumë në opinonin publik, sepse komunikimi nuk ka qenë i frytshëm dhe kësisoj në një farë mënyrë neutralizohet vetë suksesi i asaj ngjarjeje, kështu që jemi në një periudhë ku punët nuk flasin vetë... punëve duhet me u dhanë gojë që ato me folë, me prezantu veten, ndonjëherë edhe me zmadhu që m’u vërejtë më qartë se çka po ndodh në qeveri. Sepse në këtë situatë, partitë opozitare nuk dëgjohen, edhe nëse kanë video shumë të mirë e lëre ma kur përdorin platforma të skadume të komunukimit.

Videot i ka përdorur masivisht partia kundërshtare e këtyre partive opozitare, Lëvizja Vetëvendosje. Ish-videografi i fushatës së Barack Obama-s, Arun Chaudhary, ishte në Kosovë në dy palë zgjedhje, për t’i ndihmuar Albin Kurtit që t’i përçonte sa më mirë përmes video-spoteve, mesazhet që kishte.

Në anën tjetër, partitë opozitare duket se ende mendojnë që video-spotet janë vetëm për estradën.

Zhurma që i mungon opozitës

Eksperti i komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun, Dardan Hasku, ka thënë për Nacionalen se partitë heshtin gjatë kohës kur s’ka fushatë dhe kjo tregon që nuk kanë strategji në aspektin e komunikimit.

Problemi i politikanëve dhe partive politike kosovare në përgjithësi është që PR dhe fushatë bëjnë vetëm kur është zyrtarisht fushata zgjedhore. Katër vjet mungon komunikimi me qytetarët dhe kur vjen fushata zgjedhore u bie në mend se duhet bëjnë diçka në këtë drejtim dhe bëjnë në atë periudhë “PR më shumë se që duhet”. Kjo mendësi bën që partitë politike, liderët dhe politikanët ta kenë si “pikë të dobët” aspektin e komunikimit”, ka thënë ai.

Hasku nga kompania “Piar”, thekson se opozita duhet të shfrytëzojë mundësitë që i ofrojnë rrjetet sociale, pasi sipas tij, vetëm konferencat nuk mjaftojnë.

Ajo çfarë u mungon të gjithëve, e sidomos partive opozitare, është “zhurma” për temat e ndryshme dhe në këtë rast vetëm konferencat për media nuk mjaftojnë. Sot, sidomos rrjetet sociale, ofrojnë mundësi për të shprehur kreativitet dhe për të tërhequr vëmendje të madhe, e kjo hapësirë nuk po shfrytëzohet aspak”, ka thënë ai.

Ajo që tash po bie në sy janë videot që po bëhen nga partia joparlamentare PSD. Zyrtarë të kësaj partie gati për çdo temë publikojnë video të cilat komentohen gjerë e gjatë.

Përndryshe, PDK, LDK dhe AAK, pavarësisht reformave brenda partisë, vazhdojnë të jenë pasive në aspektin e opozitë-bërjes, teksa pasivizimi i tyre po kritkohet nga pjesëtarë të shoqërisë në Kosovë.

Tjera nga autori:
1