<b></b> Të tjerët heshtin, njëri shkon në muzikë: Zyrtarët e VV-së që kritikonin marrëveshjet e energjisë me Serbinë, s'flasin më

Të tjerët heshtin, njëri shkon në muzikë: Zyrtarët e VV-së që kritikonin marrëveshjet e energjisë me Serbinë, s'flasin më

21.06.2022 15:44

Vetëvendosje ka kundërshtuar dikur ashpër të dyja marrëveshjet që do t’i zbatojë përmes një udhërrëfyesi të nënshkruar me Serbinë në Bruksel sot. Por, cili është shfajësimi i tyre pas këtij veprimi që po konsiderohet nga një pjesë e shoqërisë civile si nisje e bosnjëzimit të Kosovës?

Sipas partisë së z. Kurti, marrëveshjet për energjinë po dëmtonin rëndë interesat e Republikës së Kosovës.

Serbia ishte bërë aksionare e pronës së vendit tonë dhe kishte ndarë në dysh sektorin e energjisë, sipas tyre.

“Këtu po e licencojmë një kompani për shkak se jemi të obliguar ta bëjmë një gjë të tillë. Sepse e ka uzurpuar pronën. Pra, nuk po e çlirojmë pronën, por po e legalizojmë uzurpimin,” – thoshte në atë kohë ish kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Kompetentët heshtin, njëri shkon në muzikë

Por, e njëjta kompani, Elektrosever, që për pronar e ka shtetin serb, do të kryejë punët që s’do të duhej t’i kryente në katër komunat veriore me shumicë serbe. Deri tash, Ymeri që ka dalë nga viti 2018 prej Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka bërë kurrfarë reagimi.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar z. Agron Dida – ish kandidat i Vetëvendosjes për deptutet dhe një nga ekspertët e fushës - në lidhje me çështjen por ai tha se nuk i kishte përcjellë zhvillimet e fundit politike. Dida do të shkojë pas pak ditësh në një mbrëmje muzikore për të performuar me grupin 403.

Naim Hoxha – që kishte qenë udhëheqës i komitetit për energji në Vetëvendosje – po ashtu nuk është marrë fare me çështjen e udhërrëfyesit për ato marrëveshje. Ai kishte qenë po ashtu i ashpër në vitin 2015 në kundërshtim të marrëveshjes për energjinë.

“Cilido që të jetë raporti i Kosovës me “ElektroServer”, raportet e këtij të fundit me KEDS dhe institucionet tjera nuk mund të jenë pjesë e marrëveshjeve ndërkombëtare të Kosovës me këdo qoftë. Më tej, mbështetja e “ElektroPriveda Srbije” (EPS) për KEDS është lojë në vete. KOSTT nuk mund të jetë anëtare e ENTSO-E, ngase Kosova nuk është shtet i pranuar nga BE-ja. KOSTT-it nuk mund t’i ndihmojë askush që si TSO e Kosovës së pavarur, të jetë anëtar i ENTSO-E-së,” – kishte thënë z Hoxha më 10 shtator 2015.

As i biri i tij, analisti Ylli Hoxha (po ashtu ish anëtar i VV-së) nuk ka folur apo shkruar deri tash në lidhje me çështjen.

Asnjëri prej të lartpërmendurve nuk është më pjesë e Vetëvendosjes. 

Por, shumë të tjerë megjithatë janë shprehur.

Çka po thonë tash?

Zv. Kryeministri Besnik Bislimi – që është edhe kryenegociator i Kosovës i caktuar nga Albin Kurti – ka bërë një koment të thjeshtë në lidhje me çështjen:

“Ky udhërrëfyes do të mundësojë faturimin e energjisë në katër komunat në veri të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullator të Kosovës.”

Por, një gjë e tillë ishte paraparë pikërisht në marrëveshjet e energjisë më 2013 dhe 2015.

Pikërisht faturimi në fjalë është theksi që Vetëvendosje po i jep udhërrëfyesit.

Kryetari i Grupit të Miqësisë me Amerikën, deputeti Dimal Basha, si zakonisht ka qenë shumë kumbues në reagimin e tij.

“... u dashtë Qeveria Kurti për me ardhë në vitin 2022, për me implementu, që m’i dhanë fund pagesës së faturave të serbëve në veri!” – ka thënë ai.

Edhe analisti dhe aktivisti i VV-së, Sadri Ramabaja ka dhënë një koment kontrovers në profilin e tij në Facebook:

“Një hap i mirë drejt shtrirjes së sovranitetit të plotë edhe në këtë pjesë të Republikës.” – ka shkruar Ramabaja.

Tjera nga autori:
1