<b></b> Thellohet skandali me Besnik Bislimin: E kemi shpërndarë gabimisht postimin ku ofendohet Edi Rama

Thellohet skandali me Besnik Bislimin: E kemi shpërndarë gabimisht postimin ku ofendohet Edi Rama

11.06.2022 16:36

Është shumë e vështirë të shpërndahet një postim në facebook. Për ta bërë atë, duhen minimum dy-tri veprime: të lexohet një postim, të preket butoni share. Të gjitha këto procedura i ka ndjekur edhe zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi teksa e shpërndau një postim ku kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vlerësohej si “pro-serb”.

Megjithatë, pavarësisht se duhet goxha punë, kabineti i Besnik Bislimit ka thënë se postimi është shpërndarë gabimisht. Klinsman Kadiu nga kabineti i Bislimit, ka shkruar në facebook se ajo shpërndarje, nuk përçon asnjë mesazh tjetër.

“Postimi në profilin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi është shpërndarë gabimisht. Gjatë shfletimit të postimeve në rrjetin social "Facebook", është klikuar paqëllim butoni i shpërndarjes.  Sapo është vënë re (2 minuta pas shpërndarjes) ajo është fshirë menjëherë. Nuk ka as intencë, as mesazh, pas një shpërndarje të bërë pa qëllim. Kosova dhe Shqipëria gëzojnë marrëdhënie solide bashkëpunimi. Një shpërndarje e tillë e paqëllimshme, nuk duhet të keqpërdoret për të nënkuptuar mesazhe që nuk ekzistojnë”, ka shkruar Kadiu në facebook.

Edhe Kadiu duket se ka marrë mësim nga bashkëpartiakët e tjerë. Në fund të postimit, i është sulur mediave duke treguar se si duhet të verifikohet një lajm.

Asnjë media serioze, nuk e shpërndan një lajm dhe të nxjerrë konkluzione inekzistente, nga një shpërndarje e paverifikuar dhe e larguar menjëherë.

Çfarë ndodhi saktësisht?

E gjithë dita u shoqërua me kritika ndaj presidentes Vjosa Osmani, e cila në një fotografi e kishte prerë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Duke e shpërndarë një fotografi të tillë, nga profili i tij zv.kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, kishte shpërndarë tekstin ku Edi Rama vlerësohej si pro-serb.

Kjo nxiti reagime të shumta. Ishte nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e cila qasjen e qeverisë së Kosovës në raport me Shqipërinë, e vlerësoi si të dëmshme.

"Sentimentet dhe preferencat personale pushojnë në momentin kur pranohet funksioni shtetëror", shkroi ajo.

Më tutje ajo deklaroi se Shqipëria edhe kryeministri i saj, Edi Rama kanë ndihmuar Kosovën në rrethana të vështira.

"Kam qenë vet dëshmitare e shumë situatave jo të lehta për Kosovën, dhe e kam parë me sytë e mi, edhe e kam dëgjuar me veshët e mi, mbështetjen që i jep Kryeministri Rama Kosovës. Dorën në zemër, shpesh edhe me më shumë elokuencë se ne vet", vazhdoi ajo, në rrjetin shoqëror Facebook.

Reagime pati edhe nga analistët. Ilir Mirena tha se Kurti e Osmani kanë urrejtje ndaj Edi Ramës.

“Urrejtja qe ka Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, dhe nxitja qe po u bejne militanteve te tyre ne forcimin e kesaj urrejtjeje ndaj Edi Rames dhe Shqiperise burimin e ka ne inferiritetin e tyre kulturor…  Elektorati ne Shqiperi nuk mashtrohet me k’si populista studentore, dhe per kete ua ka tregu vendin kur provuan t’i fusin hundet ne zgjedhjet parlamentare atje…  E shumta qe k’ta mund t’ja dalin politikisht ne Shqiperi eshte pjesmarrja ne ndonje shoë televizive perballe konspiracionistit Alfred Cako”, shkroi Mirena në facebook.

Reagim ironik pati edhe nga Valon Syla. “Edi Rama për zilamat e Qeverisë Kurti është edhe më lider, edhe më shmeker, edhe më me stil, edhe më mangup edhe edhe më artist. Të gjithë kemi behane, por Edi Rama edhe në këtë aspekt është larg nga behanet që juve ju mundojnë. Ai flet gjuhë të huaja sa krejt ju në Qeveri Kurti që po e shani. Përveç anglishtes, flet edhe italisht edhe frangjisht... i vetmi shqiptar momentalisht që është aktiv në politikën shqiptare që me cilësi lidershipi, është i klasit Evropian e Perëndimor”, ka shkruar Syla.

Raportet Kosovë-Shqipëri janë ftohur sidomos pas refuzimit nga qeveria Kurti II për pjesëmarrje në Open Balkan.

Tjera nga autori:
1