<b></b> Thirrjet e Perëndimit për fitore totale në Ukrainë mund të çojnë në eskalim shkatërrues

Thirrjet e Perëndimit për fitore totale në Ukrainë mund të çojnë në eskalim shkatërrues

10.06.2022 10:31

Çfarëdo marrëveshje që arrihet për përfundimin e luftës, do të jetë kompromis, pavarësisht nga fjalët për përkrahje të palëkundshme.

Simon Jenkins

Përderisa lufta në Ukrainë po largohet nga kryetitujt e gazetave, ajo po e arrin pikën e rrezikut maksimal. A mund të çohen palët drejt kompromisit dhe marrëveshjes apo a do ta çojë konfliktin dëshpërimi i tyre, i shoqëruar me entuziazmin për luftë nga vendet jopjesëmarrëse, drejt një eskalimi më të gjerë e rrezikut për katastrofë?

Qeveria britanike ia ka ofruar Kievit atë që e quan përkrahje të palëkundur. Kështu, Boris Johnson-i ia ka deleguar politikën e tij për Ukrainën presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Këtu përfshihet ambicia për t’i larguar trupat ruse nga e tërë toka ukrainase, përfshirë Krimenë dhe Donbasin. Pesha e numrave të Rusisë tashmë po i bën edhe më pak të besueshme fitoren totale dhe kthimin në kufijtë që ishin para vitit 2014. Këto do të kërkonin gjithashtu rritje masive të ndihmave perëndimore për një periudhë të gjatë. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tashmë e ka quajtur konfliktin “luftë të autorizuar” të ShBA-së kundër Rusisë.

Në këtë pikë të luftës, kumari është i një natyre tjetër. Kur Ukraina e zmbrapsi avancimin fillestar rus, ndihmat perëndimore u dukën edhe jetike, edhe të lavdishme. Në muajt e fundit, baraspesha e fuqisë ushtarake është shndërruar në ngërç. Franca dhe Gjermani tash po tregojnë kujdes. Si shumica e vendeve të NATO-s, ato po i dhurojnë Kievit ndihma ushtarake e humanitare, por ato, me të drejtë, e vlerësojnë këtë konflikt si luftë për zgjerimin e Rusisë. Ato nuk e përdorin gjuhën e Joe Biden-it e Johnson-it për konfliktin e madh, ku përfshihet tërë Perëndimi.

Përderisa armë të tjera vdekjeprurëse “mbrojtëse” po i dhurohen Ukrainës nga fuqitë perëndimore, ankesa e Rusisë për luftë të autorizuar duket edhe më e besueshme dhe Vladimir Putin-i do të vazhdojë që të kërcënojë me arsenalin e tij bërthamor. Nëse ai mund t’i rrafshojë qytetet ukrainase me bomba, pse jo me obusë bërthamorë? Ata që i përkrahin politikat agresive në Perëndim, e kanë kaluar jetën duke ushtruar për një ballafaqim të tillë. Mund të ndieni se ata janë të etur për ta testuar vendosmërinë e Putin-it – në një largësi të sigurt, nga shtëpia. Ata duhet të dinë se ai nuk do të tërhiqet nga tërë Ukraina.

Përderisa luftërat e sotme zgjaten, efekti i tyre ndaj emocioneve të publik ulet e ngrihet, ndërsa interesat i shtrijnë muskujt. Kur sovjetikët e pushtuan Evropën Lindore pas Luftës së Dytë Botërore, disiplina e Perëndimit ishte absolute. Perëndimi e ndoqi doktrinën e frenimit të George Kennan-it, jo të kthimit prapa. Shtypja sovjetike e Hungarisë më 1956 dhe e Çekosllovakisë më 1968 nuk u kontestuan. Ishte arritur pajtim që ballafaqimi bërthamor ishte i papërfytyrueshëm. Kriza kubane e raketave e vitit 1962 dhe momenti i çmendurisë së Andropov-it më 1983, (kur Kremlini, i frikësuar nga një ushtrim i NATO-s, për pak nuk kishte nisur sulm bërthamor) i gjetën shefat ushtarak në ngazëllim të paralizuar. Studimet e fundit kanë treguar se sa bota ishte afër katastrofës, e cila u shmang vetëm përmes kanaleve të pasme, kompromiseve sekrete e vendimeve të sekondës së fundit.

Nëse Lufta për Ishujt Falkland e vitit 1982 do të ishte zgjidhur nga kujdestaria e OKB-së para aterrimit në San Carlos – siç pothuajse ishte bërë pas fundosjes së luftanijes “HMS Sheffield” – qindra jetë do të mund të shpëtoheshin, pa i përmendur 60 milionë funtet në vit, që ende shpenzohen për Fortress Falklands. Në Afganistan më 2001, sekretari i atëhershëm amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfelf, e këshilloi presidentin George Bush që të futej, ta dënonte regjimin dhe të dilte menjëherë. Ai u shpërfill nga “ndërtuesit e kombit”, që vazhduan të vendosnin një aparat të madh imperialist në Afganistan dhe ta thyenin atë. Këto pika kthese kritike janë të harruara në historitë e luftërave.

Nga momenti, kur një konflikt bëhet i nxehtë, ngazëllimi për luftë e shtrembëron arsyen me emocion. E nxitur nga mediet, ai helmon çdo ofertë për paqe me bërtitjen “shumë kanë vdekur për të lejuar kompromis”. Edhe strategjia shtrembërohet, gjithashtu. Njësoj siç na ishte thënë më 2003 se Iraku ishte duke planifikuar sulm me raketa ndaj Britanisë, prandaj tash duhet të besojmë se Putini është kërcënim i ngjashëm për sigurinë tonë.

Doktrina e frenimit e Luftës së Ftohtë, për të cilën ishte arritur marrëveshje në heshtje mes Moskës dhe Uashingtonit, e plotësoi shmangien e ndershme të një ballafaqimi lindje – perëndim mes fuqive të mëdha. Çdo gjë tjetër ishte e rendit të dytë. Tash, ne jemi mu në një pikë të tillë kthese.

Çfarëdo marrëveshje që arrihet në lindje të Ukrainës, do të jetë kompromis. Johnson-i dhe Britania e kanë bërë detyrën e tyre ndaj humanizmit të përbashkët duke ndihmuar një shtet të huaj, jo një aleat, që t’i rezistojë një agresioni mizor rus. Putin-i mezi avancoi në sulmin e tij të vitit 2014, ndonëse avancoi. Aty duhet të shtrihet sfera e kompromisit. Nëse Johnson-i ndihet i paaftë që të kërkojë paqe, ai duhet që të paktën të ndalet së bërtituri për luftë. Për kapitullin e ri të marrëdhënieve të Rusisë me Ukrainën duhet të vendosin këto dy vende.

Simon Jenkins është kolumnist i gazetës britanike, “The Guardian”.

Tjera nga autori:
1