<b></b> Tragjeditë në komunikacion, pse janë shtuar aksidentet ku përfshihen autobusë nga Kosova?

Tragjeditë në komunikacion, pse janë shtuar aksidentet ku përfshihen autobusë nga Kosova?

19.05.2022 23:07

Edhe një aksident tjetër në të cilin është përfshirë një autobus nga Kosova. Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, një mjet i tillë transportues u aksidentua në Salzburg të Austrisë, ku mbetën të lënduar 19 persona.

Siç u raportua në media, nga 19 personat e lënduar, tre prej tyre pësuan lëndime më serioze. Njëri nga ta është shtruar në spital për tretman të mëtejmë shëndetësor.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ambasada e Kosovës në Austri kanë ndarë informacione në lidhje me aksidentin.

Ata gjatë ditës kanë thënë për Nacionalen se gjendja e të lënduarve është stabile dhe vetëm një prej tyre po vazhdon trajtimin në spital.

Kohëve të fundit, aksidentët me autobusë nga vendi ynë, fatkeqësisht janë shpeshtuar. Madje vitin e kaluar, një autobus që po udhëtonte nga Gjermania në Kosovë ishte aksidentuar në Kroaci.

Në atë aksident, mbetën të vdekur 10 persona, duke shënuar një nga fatkeqësitë më të mëdha të vendit.

Atëbotë, vendi ynë mbajti një ditë zie.

Por, këto dy aksidente nuk janë të vetmet që nga paslufta. Përgjatë dy dekadave të lirisë janë regjistruar disa të tillë, fatkeqësisht me fatalitet, e disa deri në atë masë sa për t'u konsideruar edhe tragjedi.

2002

Ishte 25 Korrik. Kufiri Mal i Zi - Kosovë. Autobusi që po udhëtonte nga Ulqini për në Kosovë del nga rruga dhe bie poshtë një kodre. Nga 40 udhëtarë sa ishin ato momente në autobus, 10 vdiqën. Dy prej tyre qenë fëmijë.

2004

Njihet si "Tragjedia e Maturantëve". Përderisa ishin duke u kthyer për në Kosovë, 15 maturantë nga Malisheva humbën jetën, pasi autobusi me të cilin ishin duke udhëtuar u rrëzua në "Fushë Arrëz". 49 maturantë ishin brenda mjetit në momentin kritik, ndërsa siç raportohej, 34 ishin lënduar, disa nga të cilët rëndë.

2010

Një përplasje me dy kamionë në Austri, rezultoi fatale për gjashtë persona që po udhëtonin me autobus nga Kosova për në Gjermani. Nga gjashtë viktimat, dy ishin shoferët. Numri i të lënduarve kishte shkuar në 30.

2021

Me siguri se u kujtohet të gjithëve. Aksidenti në Slavonski Brod, që ua mori jetën dhjetë personave me origjinë nga Kosova. Ngjarja ndodhi me 25 Korrik, teksa shoferin e autobusit që po kalonte në linjën Frankfurt - Prishtinë e mori gjumi. Kujtojmë gjithashtu faktin se autobusi kishte brenda 67 pasagjerë.

Por, cilat janë arsyet se pse janë shpeshtuar aksidentet ku përfshihen autobusë nga Kosova?

Për këtë, Gazeta Nacionale ka kontaktuar me ekspertin e komunikacionit, Rifat Krasniqi, i cili deklaroi se ka disa arsye përse ndodhin këto aksidente.

Ndër arsyet kryesore Krasniqi përmendi mospërshtatjen e shpejtësisë e mosrespektim i orarit të pushimit gjatë ngasjes.

Këto aksidente ndodhin për disa arsye si: mospërshtatja e shpejtësisë, mosrespektimi dhe kujdesi në kthesa, kyçje dhe dalje jo të sigurta në rrugë, por edhe nga shkaqet subjektive si mosrespektimi i orarit të pushimit gjatë ngasjes nga ngasësit e autobusëve ku kemi ( lodhje, pagjumësi etj)", tha ai për Nacionalen.

Tutje, ai konsideron se rruga e gjatë dhe pesha e autobusëve ndikojnë gjithashtu në shtimin e aksidenteve.

Shpejtësia rritë rrugën e ndaljes, kur këtu kemi parasysh edhe peshën e autobusëve kjo rrugë pothuajse është edhe më e gjatë dhe e vështirë për ndalje, kështu që nga shoferët e automjeteve personale, shoferët e autobusëve duhet të kenë kujdes të shtuar në respektimin e shpejtësisë si në rrugët urbane ashtu edhe ndër urbane”, përfundoi Krasniqi.

/Nacionale/

Tjera nga autori:
1