<b>Turri për miell e për vaj:</b>  Pasiguria ekonomike ekspozon traumat e pashëruara të luftës te kosovarët

Turri për miell e për vaj: Pasiguria ekonomike ekspozon traumat e pashëruara të luftës te kosovarët

25.04.2022 10:42

Ju kujtohen radhët e gjata të kosovarëve duke pritur për t’u furnizuar me miell kur vendi sapo ishte futur në karantinim të përgjithshëm? Apo edhe ngarendja për të blerë sasi të vajit ushqimor pasi u përhap panik se sasitë e vajit janë të limituara? 

Reagime të tilla kolektive për profesionisten e shëndetit mendor, Ibelinda Halili, janë vetëm shfaqje e traumës së patrajtuar të kosovarëve dhe që buron nga koha e luftës së para 20 viteve.  

Halili i tha gazetës Nacionale se pasiguria rreth shëndetit dhe pasiguria, pra, pandemia dhe kriza ekonomike, janë ndër faktorët që ndikojnë jashtëzakonisht në shëndetin mendor të njeriut dhe e çojnë njeriun në ankth, apo “specifikisht mund të kalojnë në ankth të gjeneralizuar”.

“Ky është reagim [i grumbullimit të gjërave] që vjen nga një traumë paraprake. Një ngacmin i tillë, pra impakti ekonomik, pasi ne nuk e kemi të përpunuar traumën, atëherë një nxitës i vogël na çon në një veprim kompulsiv që është kjo ‘të mbledhim gjëra’”, thotë profesionistja e shëndetit mendor për Nacionalen. 

Kjo tek ne është përcjellë prej traumave të luftës, sipas Halilit, e cila insiston se shumica e pupullsisë nuk është marrë asnjëherë me traumat që u janë shkaktuar nga lufta. Ajo thotë se këto trauma “asnjëherë nuk janë adresu, e lëre më të jenë shëruar”. Dhe kjo vjen edhe për shkak të mundësive të limituara të qytetarëve për të pasur qasje në trajtimin e shëndetit mendor. 

“Si profesioniste e shëndetit mendor, kur dedekton ndikimin e pasigurisë ekonomike, të shkon mendja te grumbullimi i gjërave, përfshirë edhe gjërat ushqimore, dhe ky është reagimi i parë i njeriut karshi një situate të tillë. Dhe kjo është traumë që paraprakisht nuk është shëruar”, vazhdon ajo duke komentuar edhe sjelljet e muajve të fundit të kosovarëve. 

Ajo thotë se rritja e madhe e çmimeve të produkteve, sidomos e produkteve bazë, dhe ngecja e pagave që marrin kosovarët duhet të trajtohen urgjentisht pasi pasojat e këtij disproporcioni do të jenë të mëdha në shëndetin mendor të kosovarëve. 

“Numri i të papunësuarve do të rritet dhe kjo do të çojë në krizën e dytë, që do të jetë largimi masiv i njerëzve nga Kosova – e kemi pasë rastin e para disa viteve kur njerëzit niseshin drej Hungarisë”, thotë Ibelinda Halili. 

Profesionistja e shëndetit mendor thotë se situata s’po menaxhohet si duhet nga insistitucionet e Kosovës.  

“Situata s’po adresohet siç duhet. E para që duhet bërë, është të adresohet saktë dhe të tregohet saktë çka po ndodh. Flasin tjetërçka, e realiteti është ndryshe”, thotë ajo për mohimet që bëjnë zyrtarët e shtetit kur thonë se s’ka krizë ekonomike në vend. 

“S’munden me i mashtru njerëzit se ka rritje ekonomike, pasi po është evidente kriza ekonomike. E vetmja zgjidhje është me qenë transparent. Nëse dikujt i tregon drejt se çka është duke ndodhur, atëherë kriza [e shëndetit mendor] mund të përballohet më lehtë”, thotë Ibelinda Halili.

Kujtojmë që Fondi Monetar Ndërkombëtar [FMN] në edicionin e prillit për Kosovën ka projektuar rritjen më të vogël ekonomike në 10 vjet, me vetëm 2.8 për qind. Për një gjë të tillë nuk kanë folur fare nga Qeveria e Kosovës.

Tjera nga autori:
1