<b></b> UÇK e nderonte me brigadë Jusuf Gërvallën, ndërsa Donika Gërvalla s’e përmend UÇK-në

UÇK e nderonte me brigadë Jusuf Gërvallën, ndërsa Donika Gërvalla s’e përmend UÇK-në

13.06.2022 19:33

Jusuf Gërvalla ishte ndër figurat qendrore të lëvizjeve për çlirimin e Kosovës në ekzil. Martirizimi i tij në Gjermani në vitin 1982, e bëri Gërvallën pakapërcyeshëm njeri të respektuar në Kosovë e në diasporën shqiptare. Madje edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës e nderoi Gërvallën, duke e emëruar një brigadë në emër të kolosit. Ndërsa, 23 vjet pas lufte, vajza e Jusuf Gërvallës, Donika Gërvalla, që mban postin e ministres së Jashtme, nuk përmend emrin e UÇK-së, që dikur nderonte babain e saj.

Brigada 131, që vepronte në Zonën Operative të Dukagjinit që komandohej nga Ramush Haradinaj, mbante emrin e Jusuf Gërvallës.

Këtë brigadë e udhëhiqte i vëllai i Haradinajt, Shkëlzen Haradinaj, deri në momentin kur ra heroikisht në betejë. E pas rënies së tij, udhëheqjen e brigadës “Jusuf Gërvalla”, e mori në duar Daut Haradinaj, vëllai i Shkëlzen dhe Ramush Haradinajt.

Kjo brigadë figuron edhe në listën e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së UÇK-së.

Për brigadën 131 “Jusuf Gërvalla”, ish-komandanti Daut Haradinaj kishte pasur fjalë të mëdha edhe pas luftës.

Jam krenar me ushtarët e kësaj brigade që e dhanë maksimumin për liri. Të njëjtit janë të gatshëm gjithmonë”, kishte shkruar Haradinaj në vitin 2018.

Por, e bija e Jusuf Gërvallës, Donika Gërvalla bëri një postim në Facebook për nder të 23-vjetorit të çlirimit, e që u cilësua si skandaloz.

Skandali, sipas kritikëve të saj, qëndronte në faktin e mospërmendjes së UÇK-së në postimin e saj.

Mrekullia e para 23 vjetëve nuk mund të arrihej pa një sakrificë të jashtëzakonshme të vetë Kosovës, pa mbështetjen e të gjithë shqiptarëve anembanë botës dhe pa ndihmën e pazëvendësueshme të partnerëve tanë ndërkombëtarë”, shkroi dje Gërvalla.

Në statusin relativisht të gjatë në profilin e saj në Facebook, Gërvalla përmend rolin e NATO-s dhe të KFOR-it në çlirimin e Kosovës, duke anashkaluar përmendjen e ushtrisë që dha mijëra dëshmorë në luftën çlirimtare të viteve 1998-1999.

Në ditën e çlirimit të Kosovës kujtojmë edhe të gjithë ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it, të cilët kontribuuan fillimisht në çlirimin e Kosovës dhe më pas në paqen dhe stabilitetin e saj. Nderimi dhe mirënjohja jonë për ata ushtarë, të cilët gjatë këtij misioni fisnik humbën jetën, do të jetë i përjetshëm, ka shkruar ajo”, pa shprehur nderime edhe për ushtarët e UÇK-së.

Kërkohet dorëheqja

Postimi i kryediplomates kosovare ka nxitur reagime të shumta. Politikanë, analistë e veprimtarë të ndryshëm e kanë cilësuar si ‘skandaloze’ mospërmendjen e UÇK-së.

Ish-ushtari i UÇK-së, Uk Lushi, ka thënë se anashkalimi i UÇK-së bëhet vetëm nga persona që kanë çrregullime shëndetësore dhe që e urrejnë veten.

Robëria e gjatë e lind mentalitetin e skllavit, i cili nga disa nuk largohet lehtë. Por sot, 23 vjet pas çlirimit, të mos guxosh apo të anashkalosh UÇK-në në çlirimin dhe lirinë e Kosovës, UÇK-në që në thelb ishte ajka patriotike e popullit shqiptar, duhet të jesh ose abnormal ose të urresh veten”, ka shkruar Lushi që ishte pjesë e batalionit Atlantiku.

Ndërsa analisti, Petrit Zogaj, ka thënë së ministrja Gërvalla e urren shumë UÇK-në.

Dallimi i kësaj gruaje me Hajrie Spikericën është që kjo e fundit ka qenë e detyruar që UÇK-në me e quajtë ”grupi terrorist,” dhe dallimi i dytë është që Hajria nuk ka thënë asnjëherë publiksiht që do të “dërgoja dëshmi kundër tyre”. Gërvalla mundet me qenë në garë me Hajrien, por kurrë nuk do të jetë në një linjë me Xhevë Lladrovcin dhe Xhevat e tjera që kanë dhënë gjak për Kosovën, që kjo ministre e urren aq shumë”, ka shkruar ai.

Ndërsa, analisti tjetër nga Amerika, Bleron Baraliu, i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti shkarkimin e Gërvallës nga posti i ministres së Jashtme.

Pasi shkrova një reagim të sinqertë dhe të ashpër, në fund vendosa t’ju kursej nga cilësimi për një person që as e meriton konsideratën për cilësim në vete – dhe në vend të kësaj t’ju ftoj të më bashkoheni në kërkesën drejtuar KM Albin Kurtit që ta shkarkojë ministren skandaloze jo më larg se më 30 qershor! #UÇK #minusDonika”, shkroi Baraliu.

Por, pushteti i ka dalë në ndihmë ministres Gërvalla, duke e mbrojtur atë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, teksa mbronte Gërvallën, e ka krahasur postimin e saj me një të ish-themeluesit të UÇK-së e ish-presidentit Hashim Thaçit.

Sipas jush, a po i bie qe edhe Thaçi është anti UÇK? Amani ju koftë, mos ja fusni kot me këso reagimesh sepse po bëheni qesharak”, ka shkruar Dugolli.

Ndryshe, siç ka shkruar Gazeta Nacionale, nuk është hera e parë që Gërvalla ka pasur kritika të ashpra në lidhje me deklaratat e saj rreth UÇK-së.

Gërvalla kishte pasur probleme edhe me 10-shin e UÇK-së, Rexhep Selimin.

Tjera nga autori:
1