<b></b> VV feston 17 vjetorin e themelimit, kjo është shkurtimisht rruga e saj drejt pushtetit

VV feston 17 vjetorin e themelimit, kjo është shkurtimisht rruga e saj drejt pushtetit

12.06.2022 11:49

Vetëvendosje sot feston 17 vjetorin e themelimit të saj. Këto janë shkurtimisht hapat e saj drejt pushtetit.

Më 12 Qershor 2005, aktivistët e Rrjetit të Kosovës për Veprim (KAN), një Organizate Jo-Qeveritare, që kundërshtonte hapur vendosjen e trupave ndërkombëtare në Kosovë, ia bëri sefte sloganit të famshëm “Jo Negociata – Vetëvendosje!” për të shënuar kësisoji shndërrimin e saj në një lëvizje të re politike, që në historinë e re të Kosovës do të njihej me emrin “Lëvizja Vetëvendosje”. Protesta e 12 Qershorit u përkthye me hapjen e zyreve të shumta të Vetëvendosjes nëpër shumicën e qyteteve të Kosovës. Ajo sot shenjon 17 vjetorin e lindjes.

Më 25 Korrik të vitit 2005, aktivistët e Vetëvendosjes shpërndan kopje të Rezolutës 1514, rezolutë, e cila sipas tyre garantonte të drejtën për Vetëvendosje dhe Pavarësi. Lëvizja Vetëvendosje! përpiqej të luftonte UNMIK-un duke e kundërshtuar me çdo gjë dhe duke i dalë kundër në format më kreative. Ata shtuan një F në fillim dhe një D në fund, nëpër veturat e UNMIK-ut ku shkruhej akronimi i OKB-së në anglisht UN, për të fituar fjalën FUND; gjuajtën me vezë mbi zyrtarë serbë kur ata vizitonin Kosovën (madje edhe mbi Presidentin serb Boris Tadic), lyen me ngjyrë të kuqe rrugën për në zyren e Presidentit, ditën kur Kosova u vizitua nga Marti Ahtisaari, dhe shumë aksione tjera

Më 10 Shkurt 2007 Lëvizja Vetëvendosje organizoi protestën më të madhe në historinë e saj, duke kundërshtuar planin e Ahtisaartit. Mbi 10 mijë protestues morën pjesë, për të shndërruar atë që u nis si një protestë paqësore, në një demonstratë masive me plot të lëndruar e dy të vdekur. Policia e UNMIK-ut, më saktësisht ajo rumune, lëshuan plumba të vjetruar gome për të vrarë dy aktivistët e Lëvizjes: Arben Xheladinin e Mon Balajn. Lideri i Lëvizjes, Albin Kurti, ishte arrestuar nga Policia e UNMIK-ut dhe më pas në vitin 2010 u denua me 9 muaj burgim. Opozita aktuale ka akuzuar Vetëvendosjen se shumë prej qëndrimeve të asaj demonstrate tashmë janë shkelur prej liderit Kurti.

Pesë vjet nga pjesëmarrja aktive e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në skenën politike të Kosovës, erdhi edhe pjesëmarrja e parë zyrtare në zgjedhjet Parlamentare të vitit 2010. Ndonëse në të kaluarën e afërt liderët e LVV-së kishin mohuar inkuadrimin e tyre në zgjedhje, ata hynë për të dalë me një rezultat mjaft pozitiv. Aktiviteti i dendur politik I Lëvizjes Vetëvendosje, bashkë me koalicionin e saj me Lëvizjen për Bashkim (LB), i solli listës së VV rreth 88 mijë vota apo 12.69%, që përktheheshin në 14 ulëse nga gjithsej 120.

Pas zgjedhjeve të para të VV-së, disa parti politike vendosën të shkriheshin në strukturat e Lëvizjes së Kurtit. Në vitin 2011, përkatësisht më 31 Mars, Partia Fryma e Re, e udhëhequr nga Shpend Ahmeti, u shkri në partinë e Kurtit dhe Ahmeti u bë zëvendës-kryetar i saj. Partia Social-Demokrate e Iljaz Kadollit, iu bashkua po ashtu LVV-së më 26 Prill 2013, ‘për të krijuar një gjendje të qëndrueshme politike dhe ekonomike’. Vetëvendosjes iu bashkua edhe pjesa e LPK-së e lënë anash nga PDK në korrik të 2013-s.

Pas zgjedhjeve të vitit 2014, Lëvizja VETËVENDOSJE, si forca e tretë politike në vend, u bë pjesë e një koalicioni të gjerë politik që prodhoi një skenë shumë interesante politike. Koaliconi mes LDK-së, AAK-së, LVV-së dhe Nismës tentoi ta krijojë një qeveri që përbëhej nga partitë jo-fituese. Isa Mustafa u votua si Kryetar I Kuvendit, mirëpo Gjykata Kushtetuese sqaroi se zgjedhja e Mustafës ishte jo-kushtetuese, duke shpjeguar se partia fituese duhet të propozjë dhe ta marrë mandatin e para. Kjo gjë çoi në prishjen e koalicionit VLAN, meqë LDK u nda për t’u bashkuar me Partinë Demokratike të Kosovës pas presionit ndërkombëtar.

Vetëvendosje ishte jashtëzakonisht aktive si parti opozitare kundër Qeverisë Mustafa. Ata kishin bërë një varg protestash, disa prej të cilave u kthyen edhe në të dhunshme, por që dhanë rezultate mjaft të rëndësishme. Protesta kundër një deklarate të ish ministrit Aleksandër Jabllanoviq çoi në dorëheqjen e këtij të fundit. Po ashtu, protesta të shumta u bënë edhe ndaj demarkacionit me Malin e Zi, ku nuk mungoi edhe gazi lotsjellës që kontrabandohej në forma ende të paqarta. E gjithë kjo, prodhoi edhe granatimin e Kuvendit nga persona ende të panjohur në një veprim ku askush nuk mori përgjegjësinë.

 

Në vitin 2017, përkatësisht më 11 Qershor 2017, u mbajtën zgjedhjet e reja parlamentare që LVV-së i siguruan 32 ulëse dhe e bënë forcën kryesore politike të vendit. Përkundër këtij fakti, Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të krijonte shumicën dhe koalicioni i PAN (PDK, AAK, Nisma) ndërtoi qeverinë duke e lënë LVV-në në opozitë edhe për dy vjet. Në vitin 2018, 12 deputetë të LVV-së u ndanë për të krijur Grupin e Deputetëve të Pavarur dhe më pas për t’u inkuadruar në Partinë Social Demokrate, ndërsa Donika Kadaj Bujupi iu rikthye AAK-së, për ta ulur numrin e deputetëve të VV-së në vetëm 19.

Dorëheqja e Kryeministrit Haradinaj solli zgjedhje të jashtëzakonshme më 6 tetor 2019. Lëvizja Vetëvendosje, prapë, doli fuqia e parë politike dhe arriti të krijonte Qeverinë e parë të udhëhequr nga Albin Kurti, nëpërmjet një koalicioni me LDK-në e Isa Mustafës. Pas një mos-marrëveshje mbi mënyrën e menaxhimit të pandemisë COVID-19 – e që më vonë u tha se në pyetje ishte presioni amerikan - Kurti shkarkoi ministrin Agim Veliu dhe LDK inicioi mocion votëbesimi në Kuvend. Kurti e humbi këtë mocion, me ç’rast e humbi edhe pushtetin.

Avdullah Hoti u bë pasues I tij deri kur Gjykata Kushtetuese vlerësoi se Hoti ishte zgjedhur në mënyrë jo-legjitime duke qenë se kishte marrë votë nga një deputet, që kishte humbur mandatin para se qeveria Hoti të votohej. Kjo situatë politike solli zgjedhje të reja parlamentare më 14 Shkurt 2021. Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion parazgjedhor me Listën Guxo! të Presidentes Vjosa Osmani, doli fitimtare bindëse e zgjedhjeve me 50,28% apo 58 ulëse. Nga 22 Marsi i vitit 2021, Albin Kurti udhëheq me Qeverinë e Republikës së Kosovës, ndërsa deputetët e tij nga mazhoranca kanë votuar për kryeparlamentar Glauk Konjufcën dhe për Presidente Vjosa Osmanin.

Lëvizja Vetëvenodsje ka marrë pjesë në tri palë zgjedhje lokale. Në zgjedhjet e saj të para lokale të vitit 2013, partia në pushtet kishte fituar vetëm komunën e Prishtinës me mandatarin e saj Shpend Ahmetin, duke rrëzuar një bastion të LDK-së. Ndërkaq, në vitin 2017, Lëvizja Vetëvendosje fitoi tri komuna: Prishtinën, Prizrenin dhe Kamenicën. Dy nga kryetarët, Qëndron Kastrati dhe Shpend Ahmeti, kaluan në PSD në vitin 2018, ndërsa në verën e vitit 2019, Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, kaloi në VV. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi i dha VV-së komunën e Podujevës. Në zgjedhjet e fundit lokale, Lëvizja Vetëvendosje! mori pjesë, duke fituar 4 komuna dhe rreth 193 asambleistë.

Tjera nga autori:
1