<b></b> Vdekjet e vazhdueshme të punëtorëve në vendin e punës dhe neglizhenca institucionale

Vdekjet e vazhdueshme të punëtorëve në vendin e punës dhe neglizhenca institucionale

05.06.2022 20:46

Tash e një vit, Vetëvendosje qeverisë krejt e vetme me Kosovën. Mes shumë e shumë premtimeve të bëra derisa kandidonte për kryeministër, kryetari i kësaj partie Albin Kurti, premtonte ndryshime rrënjësore edhe në kushtet dhe sigurinë në punë, sidomos te punëtorët e sektorit privat. Pesëfishimi i intespektorëve të punës ishte një premtim konkret e i zëshëm nga Kurti. Por, deri më tani numri i këtyre inspektorëve të punës nuk ka lëvizur, e rrjedhimisht as gjendja e punëtorëve, sidomos atyre të sektorit respektiv.

Në mbrëmjen e së premtes së kësaj javë, Policia e Kosovës njoftoi se një 27-vjeçar ka vdekur në vendin e tij të punës në fshatin Kramovik të Rahovecit. Sipas njoftimit të Policisë, viktimën e kishte zënë zhavorri në seperacionin ku i riu po punonte. Ai ishte dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Gjakovës ku edhe ishte konfirmuar vdekja e tij.

Ky është vetëm njëri nga rastet e pothuajse të përjavshme të tragjedive në vendin e punës të punëtorëve në sektorin privat, me theks të veçantë në sektorin e ndërtimtarisë.

Mirëpo, edhe pas ndërrimit të pushtetit, pra më shumë se një vjet udhëheqje, tragjeditë ne vendet e punës, po vazhdojnë të jenë fenomen dhe kushtet e vendit të punës po ato.

Natyrisht, vdekja është pashmangshmëri, mirëpo teksa këto raste të vdekjes janë shndërruar në fenomen, problemi është më shumë politik dhe si i tillë meriton të trajtohet.

Gjersa shpaloste prioritetet e Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri Kurti premtonte se nën qeverisjen e tij, kushtet dhe trajtimi i punëtorëve do të jetë i dinjitetshëm. Madje edhe si opozitar, punëtorët ishin pjesë thuajse e përditshme e diskursit të Kurtit dhe VV-së.

Për punëtorët e punëtoret ne do të sigurohemi që t’i kenë ta garantuara kushtet e dinjitetshme të punës. Ne do të marrim masa që çdo vend pune të jetë me kontratë, me kontribute pensionale të paguara jo më shumë se 40 orë pune të rregullt në javë,” - thuhej në zotimin e VV-së. 

Megjithatë, në një prononcim të mëhershëm për Gazeten Nacionale, Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thoshte se nga kjo periudhë mbi një-vjeçare e qeverisjes së Vetëvendosjes nuk e ka ndryshuar aspak gjendjen në terren.

“Realisht nuk ka ndryshu asgjë, fare nuk ka ndryshu diçka që preket apo shihet. E keqja është se ky kryeministër ka premtu më shumë se të tjerët, e ka premtu pagën minimale 350 euro, nënshkrimin e marrëveshjes kolektive, e ka premtu gjykatën e punës, fondin rezervë e shumë gjëra, por deri më tani në realitet nuk kemi asgjë,” - thoshte Azemi.

Përveç kësaj, Kurti kishte premtuar edhe pesëfishim të inspektorëve të punës, ndonëse në program nuk përmendet decidivisht numri i inspektorëve.

‘‘Do të rrisim inspektorët e punës, do të avancojmë kapacitetet e Agjensisë së Punësimit, do të rrisim pagën minimale, do të njohim punën praktike si përvojë pune, do të ngrisim kapacitetet për shqyrtimin e ankesave nga punëtorët,” thuhet në programin e Qeverisë së Kosovës.

Mirëpo, deri më tani numri i inspektorëve të punës nuk ka lëvizur, Kosova ka vetëm 28 inspektorë të cilët inspektojnë mbi 60 mijë biznese aktive në Kosovë.

Për Azemin kjo është sikur ‘‘Ta hedhësh një pikë ujë në oqean’’, ndërsa thotë se tetë vitet e fundit Kosova ka rreth 30 inspektorë më pak.

Numri i inspektorëve të punës brenda tetë vjetëve të fundit ka rënë nga 60 në rreth 30 inspektorë.

Në anën tjetër, numri i bizneseve po rritet në vazhdimësi, duke pamundësuar kështu kontrollimin e tyre për plotësim të kushteve të punës.

‘‘Numri i Inspektorëve në vitin 2014 ka qenë 60 inspektorë, kurse tani kemi 28 Inspektorë, madje një pjesë e tyre janë në prag të penzionimit dhe normal që ata janë me shëndet të luhatshëm’’, thotë Azemi.

Gazeta Nacionale ka pyetur edhe në Ministrinë e Mirëqenies Sociale edhe Inspektoriatin e punës se a është ndërmarrë diçka në lidhje me procesin e shtimit të inspektorëve, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkohë, gjatë muajit të kaluar Qeveria e Kosovës ka emëruar Shkodran Nikçin si kryeinspektor në Inspektoriatin e Punës për një mandat katër-vjeçar

Azemi thotë se as gjendja e sigurisë dhe shëndetit, sidomos në sektorin e ndëtimtarisë, nuk ka fare përmirësim. Sipas tij, vetëm përreth qendrës së Prishtinës mund të vërehen kushtet më të mira të punëtorëve, meqenëse në kryeqytet ka vëmendje më të madhe edhe të inspektoriatit por edhe të mediave.

Kurse për çdo vit Kosova shënon numër të lartë të numrit të vdekeve në vendin e punës. Këtë vit në Kosovë, ku tashmë jemi në gjysmë të vitit, janë shënuar nëntë raste të vdekjes, kurse vitin e kaluar (2021) ishin 14.

Lëndime e vdekje kishte edhe në vitin 2020, të dhënat tregojnë se përgjatë atij viti ishin 11 vdekje dhe mbi 160 lëndime në vendin e punës.

 

Tjera nga autori:
1