<b></b> Veteranët e vërtetë duhet t’i marrin 250 euro, të tjerët të largohen nga listat

Veteranët e vërtetë duhet t’i marrin 250 euro, të tjerët të largohen nga listat

18.06.2022 10:17

Shkruan: Shpend Ahmeti

Paga minimale po rritet në 250 euro. Ky është lajm shumë i mirë dhe kjo tregon qëndrimin e qeverisë për disa gjëra. Tregon se paga mininale e dinjitetshme për qeverinë është 250 euro. Por po ashtu është qëndrim se nën këtë shumë mbijetesa mujore rrezikohet.

Në anën tjetër qeveria nuk ka pranuar që pensioni për veteranët të rriten në të njëjtën vlerë. Se pse ekziston kjo lidhje me pagën minimale mund të kreditohen qeveritë e kaluara. Vlera totale e pagesave për 38,232 veteranë është rreth 78 milion euro duke shkelur ligjin ku thuhet se në veteranë nuk mund të shpenzohen mbi 0.7 përqind e GDP që është rreth 65 milion.  Këtë kufi e ka propozuar FMN për shkak të negociatave për stabilitetin makroekonomik dhe huamarrje nga FMN.

Në vitin 1999 kam punuar me IOM për regjistrimin e ushtarëve të UÇK. Kemi shkuar në çdo vend urban e rural dhe kemi marrë listat e ushtarëve shpesh duke shtuar nën 18-vjeçar edhe pse vështirë besohej se disa fëmijë 14 vjeçar kishin luftuar. Ideja ishte që Bashkësia Ndërkombëtare të kishte vlerësim të buxhetit për çarmatimin e UÇK dhe risocializimin në shoqëri. Numri i fundit pas regjistrimit ishte rreth 13,000.

Për statusin e veteranit kanë aplikuar 120,000 persona. Në fund statusin e kanë 38,232 veteranë. Qeveria Kurti thote se nuk janë më shumë se 22-23 mijë. Prokuroria thotë se statusin e kanë marr rrejshëm rreth 19,000 veteranë.  IOM - 13,000. S’ka njeri në Kosovë që nuk beson se listat janë të fryera, përfshi edhe ata që kanë gënjyer.

Ne ndodhemi në një situatë ku veteranit të vërtetë i themi që të pësojnë dhe të marrin 170 euro, derisa ti ballafaqojmë veteranët e pavërtetë. Ata me të drejtë nuk pranojnë.

Ata që kanë gënjyer nuk mund t’i quajmë mashtrues klasik. Sepse nuk janë zgjuar 100,000 persona në mëngjes dhe kanë vendosur që vetëm të mashtrojnë. Janë persona (shumica) në gjendje më të rëndë ekonomike që nuk i ka kapur asistenca sociale (ose kanë pronë ose kritere tjera të papërmbushura).  Duke qenë të papunë dhe pa asistencë sociale detyrohen edhe pse padrejtësisht, të futen në deklarime të rrejshme.  Ata duhen të largohen nga listat por nga aspekti ekonomik duhet të kuptohet edhe ky fakt. 

Përfundimi dhe rekomandimi

Paga minimale duhet të jetë 250 euro neto

Veteranët duhet t’i marrin 250 euro

Veteranët e rrejshëm duhet të largohen dhe drejtohen në skema tjera sociale

Kostoja e rritjes së pagesave të gjithë veteranëve përfshirë të vërtetët e të rrejshmit për një vit është 38 milionë euro.

Qeveria e Kosovës duhet të aprovojë 250 euro asistencën për veteranë për 1 vit.  Ky vit duhet të përdoret për pastrimin e listave - me grup punues të Kuvendit, Qeverisë, Shoqatave dhe Ekspertëve.  Duhet të ftohet edhe Banka Botërore që ka ekspertizë në politika strukturore. Me pastrimin e listave do të zvogëlohet buxheti i pagesave dhe kjo lejon kategorizimin.  Paralel me këtë duhet të bëhet reforma e pagesave sociale.

Me pagesën e 38 milionëve një pjesë shkon edhe te veteranët e rrejshëm por qeveria nuk gabon me këtë.  Nuk janë pasanikë.  E bën një rishpërndarje.

Nëse nuk pastrohet lista për një vit kthehemi në rinegociata për vlerën e pagesës.

Tjera nga autori:
1