<b></b> Veteranët shkaktojnë përplasje të ashpra në Kuvend – opozita e bllokon seancën

Veteranët shkaktojnë përplasje të ashpra në Kuvend – opozita e bllokon seancën

16.06.2022 14:36

Në Kuvendin e Kosovës janë zhvilluar debate të ashpra për çështjen e veteranëve të luftës. Përderisa protesta po vazhdon në oborrin e Kuvendit, kjo ka shkaktuar edhe përplasje të ashpra ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Opozita e ka bllokuar edhe pas pauzës foltoren e Kuvendit, si dhe e kanë pamundësuar fjalimin e deputetit të Listës Guxo, Haxhi Avdyli.

Kjo ka bërë që kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca të thërras sërish pushim për 60 minuta.

“Pasi opozita po e bllokon seancën, atëherë po e marrim edhe një orë pushim. I ftoj shefat e grupeve për takim në zyrën time”, tha Konjufca.

Ka qenë shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri i cili ka kërkuar që kryeministri Kurti t’i takojë menjëherë veteranët e luftës, bashkë me anëtarë të Komisionit për Buxhet.

“Padrejtësia duhet të përmirësohet. Ne do të mundohemi të jemi konstruktiv. Ju kemi kërkuar që të mos jenë shkak veteranët për përplasjet tona. Për hatër të atyre që po qëndrojnë jashtë në këto temperatura të larta, duhet që kjo seance të ndërpritet dhe t’i ftojmë përfaqësuesit e veteranëve për konsultim”, ka thënë Tahiri.

Pas tij foli kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili bëri të ditur se do ta anulojë pjesëmarrjen në një diskutim në Prespë. Megjithatë, Kurti paraprakisht tha se nuk janë 40 mijë veteranë.

“Respekti po shprehet në buxhet, por kur shikon përmbajtjen aty kemi pasur vërejtje edhe kur kemi qenë në opozitë, sepse konsiderojmë që pjesëmarrës në luftë kanë qenë më shumë se 60 mijë. Por numri i veteranëve është i fryrë”, ka thënë Kurti.

“Unë po e anuloj pjesëmarrjen nesër në Prespë, dhe i pres në qeveri përfaqësuesit e veteranëve”, ka thënë Kurti.

I ashpër ka qenë edhe Besnik Tahiri nga AAK-ja.

 “Iu lus dhe kërkoj që ta bëni një kërkesë minimale, po lypim diçka që është legjitime. Po lypim që ministri i Finacave me u ulë me palë e me diskutu. Mos të shtyhemi për një kauzë kombëtare, është marre”, tha Besnik Tahiri.

“Në respekt të atyre që po qëndrojnë jashtë , në propozojmë që të ndërpritet kjo seancë. Të mblidhen komisionet. Ta gjejmë një kompromis që kjo kategori që ka dhënë gjithcka për Kosovën të mos lihet jashtë”, ka thënë Tahiri.

Një debat i ashpër ka shpërthyer edhe ndërmjet deputetit të AAK-së, Bekë Berisha e kryeministrit, Albin Kurti.

Berisha madje i është drejtuar një deputetit të VV-së me fjalët: “rri ti trus qaty”.

“E para askush prej neve nuk i ndan veteranët në të rrejshëm e të parrejshëm. Edhe nuk mendoj që ka fryrje të listave. Janë 30 e dicka mijë me pagë. E janë 60 mijë krejt. Ky problem është krijuar kështu, është bërë politik. Kryeministri Albin Kurti pat provu me marrë votë me bashkim kombëtar”, ka thënë Berisha.

“Ti Murati kush je ti me na kallëxu neve kush i rrejshëm kush i parrejshëm. Mos më pengo. Rri se jam tu fol përnime. Rri trus. Kush je ti me kallëxu”, u shpreh Bekë Berisha.

Reagoi menjëherë kryeministri Kurti. “Është gabim nëse une legjitmoj një deputet të flas. Unë kur kom organizua protesta unë kam qenë nballë kam folë në emër të protestueseve. Nuk mund të flisni në emër të protestuseve nuk jeni në situatë që dikur është kanë. Duhet të më shtyni në një ekstrem... duhet me shpif për me mujt me më kritiku. Pa shpifje s’po mundeni të kritikoni, kjo tregon që po pajtoheni me mu. Pa m’çu atje nuk po mundesh me më kritku. Mos shpifni për mua”, ka thënë Kurti.

Deputetët e kanë bllokuar foltoren e Kuvendit, dhe aktualisht seanca nuk po vazhdon

Tjera nga autori:
1