<b></b> Vetëvendosje në delir, Sveçla e asistenti i Kurtit i gëzohen dështimit të Sunny Hill Festival

Vetëvendosje në delir, Sveçla e asistenti i Kurtit i gëzohen dështimit të Sunny Hill Festival

14.06.2022 20:00

Tashmë është zyrtare që Sunny Hill Festival nuk do të mbahet në Prishtinë. Në letrën e tij të gjatë e të dërguar në adresë të presidentes Vjosa Osmani e kryeministrit Albin Kurti, Dukagjin Lipa e ka quajtur të ‘politizuar’ kërkesën e festivalit.

Ai ka përmendur asamblistët e opozitës në Kuvendin Komunal të Prishtinës, të cilët sipas tij e penguin organizimin e festivalit e madje shkaktuan presion në MAPL, ministria të cilën e bën përgjegjës baba i Dua Lipës.

Megjithatë, kjo letër e gjatë e ku Lipa shpërtheu, duket se nuk u ka penguar aspak asamblistëve të VV-së.

Si kundërshtar të ndarjes së tokës prej 17 hektarësh, asamblistët e VV-së janë parë të lumtur që festivali ka dështuar.

I pari që reagoi në lidhje me këtë çështje, ishte Gëzim Sveçla, shefi i asamblistëve të VV-së në Prishtinë.

Në postimin e tij në Facebook, të cilin e përfundoi “me respekt”,  tha se e mirëpret heqjen dorë të Sunny Hill nga insistimi për 99 vjet pronë.

“Të dashur qytetarë, duhet ta mirëpresim heqjen dorë të Sunny Hill nga insistimi për 99 vjet pronë.  Tash çdo gjë është në rregull. Nuk ka arsye të braktiset Prishtina nga ky Festival, përveç nëse nuk është në pyetje ndonjë pazar tjetër, i mëhershëm”, shkroi ai në Facebook.

Lumturinë me ikjen e Sunny Hill Festivalit nuk e ka fshehur as Arianit Beqiri, asistenti i kryeministrit Albin Kurti.

Beqiri që është edhe asamblist i VV-së në Prishtinë, e ka pëlqyer statusin e shefit të tij në kuvendin komunal.

Por, ai nuk është mjaftuar me kaq. Beqiri edhe e ka shpërndarë statusin e Svçlës.

Shumë aktivistë të VV-së e kanë pëlqyer statusin e Sveçlës, në formë të përkrahjes ndaj tij.

E me këtë të fundit, Zana Avdiu, opinioniste, ka hyrë në një debat në Facebook. Gjithçka filloi kur Avdiu i komentoi Sveçlës, në lidhje me fjalinë e parë të postimit të tij.

“Duhet ta mirëpresim? Tmerr, d.m.th. tmerr!”, shkroi Avdiu.

Teksa Giza, që është nofka e Sveçlës, ia ktheu duke i thënë Avdiut “lexo me vëmendje. Mos dezinformo live bile”.

“Gëzim po me vjen keq, që i keni marrë ato vota, e jeni tu shkatërru gjithçka që po ju del përpara! D.m.th., sukses e quan largimin e një festivali si Sunny Hill. Pernime, tmerr!”, shkroi Avdiu tutje.

Edhe matematikani Valmir Krasniqi, që jo rrallëherë e ka përkrahur VV-në, i është gëzuar këtij lajmi, duke shkruar se u ndal një keqpërdorim i madh.

Çfarë ndodhi me Sunny Hill Festival?

Është zyrtare që Sunny Hill Festival nuk do të mbahet në Prishtinë, por në Tiranë.

Dukagjin Lipa, babai i këngëtares së famshme Dua Lipa, ka shkruar një letër të gjatë, të cilën ia ka dërguar krerëve më të lartë të shtetit. Që në hyrje të letrës, Lipa thekson se kërkesa rreth Sunny Hill Festival është ‘politizuar’. Lipa nuk ka kursyer me kritika posaçërisht opozitën komunale në Prishtinë, e që përbëhet nga VV e cila ishte shumë e zëshme kundër ndarjes së tokës për 99 vite për festivalin.

Krahas opozitës komunale në Prishtinë, Lipa ka përmendur edhe Ministrinë e Administratës Publike e ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin e tejkalimin e kompetencave ligjore nga ana e Qeverisë së Kosovës.

E kah mesi i letrës, ai përmend edhe efektet pozitive, ekonomike e kulturore, që ka ky festival për imazhin e Kosovës.

Në krye të letrës, Lipa, që përfaqëson Sunny Hill Festival, i ka njoftuar me ‘keqardhje’ se për shkak të vonesave të shumta, të cilat sipas tij erdhën si pasojë e mospërgjigjes nga MAPL, edicioni i këtij viti i festivalit nuk do të mbahet në Prishtinë.

Ai ka thënë se përveç mungesës së përkrahjes, kërkesa e festivalit është politizuar.

Ndryshe, Gazeta Nacionale ka raportuar për një mbledhje që u mbajt javën e kaluar, e të cilën e kishte udhëhequr Albin Kurti - e ku po merrte pjesë Përparim Rama dhe disa ministra e ku temë diskutimi ishte Sunny Hill Festival.

Në këtë takim, Kurti e varrosi ëndrrën e qindra mijëra të rinjve për organizimin e Sunny Hillit në Prishtinë.

Tjera nga autori:
1