<b></b> Vizita e Kurtit në ShBA, për pesë ditë vetëm dy takime

Vizita e Kurtit në ShBA, për pesë ditë vetëm dy takime

10.05.2022 20:23

Që nga e premtja e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron në ShBA. Vizita e tij e dytë brenda pak javësh, erdhi menjëherë pas darkës me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e cila ngjalli shumë reagime në Kosovë.

Kurti ka pesë ditë që gjendet për vizitë në ShBA, ku ka zhvilluar pak takime. Ndonëse kjo vizitë erdhi pas darkës joformale me presidentin Vuçiq dhe vizitës së Karen Donfried, Ndihmës Sekretares së Shtetit për Evropën dhe Azinë në vendin tonë, në Kosovë, agjenda e Kurtit deri këtë të marte në ShBA është jo premtuese në aspektin politik.

I pari i ekzekutivit, deri më tani, nuk ka pasur asnjë takim të rëndësishëm politik, ani pse për këtë udhëtim, qarkulluan spekulime të shumta në media.

Madje, ai i ka bërë publike vetëm dy takime deri më tani.

Gazeta Nacionale raportoi për një lidhje potenciale të këtij udhëtimi me marrëveshjen finale, teksa zërat u shtuan kur në të njëjtën kohë, rrugë për në ShBA mori edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Kë takoi deri më tani Kurti në ShBA?

Të parin takim, Kurti e regjistroi me datën 6 maj. Përmes rrjetit social “Tëitter” konfirmoi takimin, të cilin Kurti e quajti të frytshëm me shefen e MCC-së, Alice Albrigt.

Shefi i ezkekutivit shtoi se u ndje i nderuar që u takua me Albright, teksa e falënderoi për projektin e investimit në Kosovë, investim ky që pritet të jetë më i madhi i energjisë.

Një nder i veçantë që takova MCC_CEO, znj. Alice Albright dhe nisjen e negociatave të Kompaktit të Kosovës. E falënderova për punën e palodhshme të MCC-s për të mundësuar Kompaktin, që do të bëhet investimi më i madh në sektorin e energjisë dhe rikonfirmon lidhjen e ngushtë që ndajnë vendet tona”, shkroi ai.

Ky ishte njëri nga dy takimet e zhvilluara. Ndërmjet takimeve, ai konfirmoi edhe një vizitë, dhe një mbështetje për djemtë kosovarë që po garojnë në “Counter-Strike”, të cilën garë siç shihet në foto Kurti duket ta ketë ndjekur në kohë reale.

Takimin tjetër e shënoi gjatë ditës së sotme në Silicon Valley të Kalifornisë, zona e rëndësishme e inovacionit teknologjik në ShBA.

Ky takim gjegjës kishte të bënte me një kompani të teknologjisë, sektor ky për të cilin Kurti ka premtuar investime të shumta. Këtë e ripërsëriti, duke përmendur më pas edhe avantazhet si rininë e diasporën.

"Takimin tonë të parë e kemi zhvilluar me kompaninë e cila misionin kryesor e ka krijimin e rrjeteve njerëzore e profesionale me qëllim të punësimit: LinkedIn. Në zyrën qendrore të Linkedin, kemi biseduar për mundësitë që ofron Republika e Kosovës, me pozitën gjeografike, stabilitetin institucional, inovacionin lokal, shpirtin ndërmarrës dhe fuqinë punëtore të re dhe të talentuar. I kam njoftuar drejtuesit e LinkedIn për cilësitë atraktive të punëtorëve të rinj në Kosovë: 2 mijë studentë diplomojnë në sektorin e TI-së në Kosovë e Qeveria ndihmon në trajnimin edhe të 4 mijë të tjerëve. Rinia përgjithësisht flet anglisht, kurse diaspora është e madhe dhe kontribuon shumë për ekonominë e vendit", shkroi Kurti.

Megjithatë, këto takime nuk çojnë shumë peshë në diplomaci e aq më pak në lidhje me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Kuptohet, ato nuk janë të gabuara, meqë potencialisht mund të sjellin investime të rëndësishme në sektorë të ndryshëm, por janë jashtë domenit të politikës së madhe: dialogut me Serbinë.

Megjithatë, mbetet të shihet nëse deri në fund të udhëtimit do të ketë ndonjë takim zyrtar me ndonjë udhëheqës të rëndësishëm të Amerikës.

Kujtojmë që Kurti ka paralajmëruar tashmë një takim edhe me lobin shqiptaro-amerikan, i cili është aktiv në politikën amerikane.

/Nacionale/

Tjera nga autori:
1