<b></b> Vizita e ministrit Çavushoglu në Kosovë: Pështjellimet që ndodhën

Vizita e ministrit Çavushoglu në Kosovë: Pështjellimet që ndodhën

19.06.2022 16:29

Shefi i Diplomacisë së Turqisë, Mevlut Çavushoglu, ishte sot për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës. Edhe pse Turqia mbetet mes shteteve më mike të Kosovës, atmosfera gjatë kësaj vizite nuk e reflektonte miqësinë në fjalë. Shumë gjëra interesante ndodhën gjatë kësaj vizite.

Çavushoglu u takua me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla Schwarzin.

Turku 53 vjeçar erdhi në vendin tonë pa një bujë të madhe, dhe si duket edhe do të largohet në të njëjtën formë. Sidoqoftë, disa gjëra jo aq të kuptueshme ndodhën, e që mund të kenë ikur nga mbamendja juaj.

Kurti dhe Osmani të bashkuar për të mos thënë asgjë

Në postimin e bërë në Twitter pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Çavushoglu ishte i shkurtër dhe jo aq frymëzues.

“Diskutuam modalitetet për ta çuar përpara bashkëpunimin tonë me kryeministrin Albin Kurti të Kosovës. Theksuam kërcënimin që përbën organizata FETO.” – u shpreh ministri.

Asgjë tjetër!

Kurti nuk ka publikuar asnjë postim, as në Twitter e as në Facebook, në lidhje me takimin. Madje ai gjeti kohë që të merrte pjesë por edhe të mbante fjalim në pikën e Matiqanit të partisë së tij, Vetëvendosjes, që organizoi zgjedhjet e brendshme.

Në anën tjetër, as Vjosa Osmani nuk dha ndonjë fjalë më të madhe për kryediplomatin e vendit mik të Kosovës.

"Me ministrin Mevlüt Çavuşoğlu zhvilluam një bisedë përmbajtjesore për rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, si dhe hapat përpara për t’i nxitur investimet e ndërsjella."

E derisa Kurti e Osmani u treguan shumë diplomatikë, çështjet për të cilat Turqia ka qortuar Kosovën shtrihen përtej organizatës Feto dhe Fethullah Gulenit që promovoi libër në Prishtinë para disa javësh.

Ambasada e Kosovës në Jerusalem është një prej tyre.

Gërvalla s’bën gëk, e fatkeqësisht as mëk

Ajo që kishte njoftuar lajmin se Ambasada e Kosovës do të ishte në Jerusalem dhe jo në Tel Aviv, Donika Gërvalla, ishte e para që e priti ministrin e jashtëm turk.

Ministri turk nuk ngurroi ta qortonte Kosovën ndër sy Gërvallës e para medieve në lidhje me atë që e quajti “ekzistencë e FETO-s në Kosovë.”

“Natyrisht ekzistenca e Feto-s në Kosovë është pengesa më e madhe mes raporteve tona. Sepse ekzistenca e Feto-s është duke bërë punë për t’i helmuar raportet tona dhe pas tentim-puçit në Turqi, ekzistenca e Feto-s në Kosovë neve dhe popullin turk e shqetëson shumë, këtë dua ta theksoj patjetër këtu,” – u shpreh ministri.

Por, as gëk e as mëk për çështjen nuk bëri Donika Gërvalla, edhe pse partia në pushtet ka qenë e zëshme në denoncimin e deportimit të gjashtë shtetasve turq drejt Turqisë vite më parë.

Gërvalla nuk bëri gëk as për skandalin e dyshimeve për abuzime milionëshe në spitalet turke ku shkonin për trajtim pacientët kosovarë. Këta pacientë dyshohet të jenë keqtrajtuar, por as kjo nuk mjaftoi që të adresohej çështja.

Pyetjet për gazetarë nuk lejoheshin.

Hoti qorton Turqinë

Dhe kur i gjithë ky pështjellim s’mund të ishte më i madh, ndërhyu ish kryeministri Avdullah Hoti.

Ai kishte vizituar Ukrainën mu para se të niste agresioni rus në atë vend dhe si duket kjo e ka bërë më të ndjeshëm në lidhje me zullumet që po ndodhin përditë në luftën e atjeshme.

Hoti denoncoi ndihmën e vogël që Turqia po i jepte Ukrainës, në atë që u duk si një postim i bërë ndaj ministrit të jashtëm të Turqisë që ndodhej në Kosovë.

Turqia nuk është fare në këtë listë.” -  u shpreh Hoti duke treguar listën e vendeve që po ndihmonin Ukrainën.

Nuk dihet nëse kjo kritikë e Hotit ndaj Turqisë ka edhe ndonjë prapavijë politike.

Profesori i UP-së kërkon të përmenden shqiptarët e Perandorisë Osmane

Nuk është se një kërkesë e tillë meriton koment serioz, por megjithatë fjalët e Fadil Malokut e rritën pështjellimin edhe më shumë. Po i lëmë këtu:

Pro-turqit e VV-së, të heshtur

Në Vetëvendosje ka një grup të madh zyrtarësh konservatorë. Një prej tyre është edhe Mustafa Bajrami, e i cili nuk e foli asnjë fjalë për vizitën e kryediplomatit të Erdoganit dhe Turqisë.

Postimi i tij i fundit kishte të bënte me naftën, dhe ankohej se populli nuk po kursente.

Për çudi, ai përdori të njëjtën simbolikë për të denoncuar ikjen e qytetarëve nga vendi si ish kryeministri i Kosovës Isa Mustafa:

“Po na ndodh najkah si në kohën kur ia nisën kosovarët me ikë për Evropë maleve e projeve të Hungarisë. Mediat e atjeshme shkruanin se shumica e kosovarëve të kapur nga policia kufitare posedojnë i-Phona.”

Përkundër gjithë kësaj sa u tha më lart, pështjellimet kryesore besojmë të kenë ndodhur në takimet që ministri ka mbajtur me Kurtin dhe Osmanin, e ku është e qartë se nuk janë treguar detajet e bisedave të tyre. 

Tjera nga autori:
1