Vjosa Osmani shikoi filma me para të shtetit si shefe e Stafit të Fatmir Sejdiut: Pse ka rëndësi kjo? - NACIONALE

Vjosa Osmani shikoi filma me para të shtetit si shefe e Stafit të Fatmir Sejdiut: Pse ka rëndësi kjo?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka një karrierë goxha të gjatë politike përkundër moshës së re. Ajo ndër tjerash ishte edhe Shefe e Stafit të ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiut. Dhe... një çështje mori vëmendje të madhe para dy ditësh në lidhje me këtë punë që kreu.

Kur një numër i madh personalitetesh publike vizituan apo thjesht kaluan nëpër Amerikë – përfshirë kryeministrin Kurti, ish-kryeministrin Haradinaj, ish-presidenten Atifete Jahjaga, afaristin Shkëlqim Devolli etj. – ngriti disa pyetje edhe në lidhje me akomodimin e tyre.

Mes këtyre personaliteteve, në SHBA ishte edhe presidentja e tanishme e Kosovës, Vjosa Osmani, por e cila megjithatë nuk arriti të takonte ndonjë zyrtar të lartë të administratës Biden.

Megjithëse nuk dihen shpenzimet aktualisht për vizitat e saj, disa shpenzime tjera bënë bujë të madhe.

Ajo kishte udhëtuar si Shefe e Stafit të Presidentit Sejdiu më 11 janar.

Osmani ishte vendosur në atë kohë në hotelin “Fairmont” të San Franciskos, dhe për një dhomë, me paratë e shtetit, kishte paguar 279 dollarë.

Veç tjerash, Osmani më datat 12 dhe 13 janar 2010, në faturat që ka siguruar gazeta Demokracia, kishte paguar ekstra edhe për të shikuar filma në hotel. Natën e dytë, ajo kishte paguar 15.99 dollarë për të shikuar film. Ndërsa, natën e tretë, filmi që kishte shikuar asaj i kishte kushtuar 13.99 dollarë.

E gjithë fatura e Osmanit, i kishte kushtuar shtetit 1225.58 dollarë.

Në atë kohë, presidenti Fatmir Sejdiu kishte marrë pjesë në aktivitetet e organizatës “World Affairs Council”, por sipas Demokraicisë, Osmani do ta zgjaste vizitën e saj në SHBA deri më 25 mars. Pra, ajo do të qëndronte në SHBA për gati tre muaj.

Osmani nuk është përgjigjur deri tash në lidhje me këto çështje të ngritura. Llogaridhënia nga zyrtarët publikë është ndër çështjet kryesore që forcojnë demokracinë e një vendi.

Gazeta Nacionale do të dërgojë pyetje në lidhje me mëditjet dhe shpenzimet e tjera që kanë bërë zyrtarët publikë në vizitat e tyre jashtë shtetit.

Lajme të ngjashme