<b></b> Vuçiq vazhdon

Vuçiq vazhdon "neutralitetin" e marrëveshjen për gaz me Rusinë, hesht BE-ja

29.05.2022 19:28

Serbia dhe Rusia po vazhdojnë bashkëpunimin, anipse krahu perëndimor dhe jo vetëm i kontinentit të vjetër, po bëjnë vazhdimisht thirrje që të ndërpritet bashkëpunimi me vendin që po kryen agresion ndaj Ukrainës.

Ishte vetë presidenti Vuçiq që konfirmoi marrëveshjen e re me Rusinë, dhe se e njëjta erdhi pas një bisede të gjatë telefonike mes palëve, përcjell Gazeta Nacionale.

“Ne do të nënshkruajmë një kontratë trivjeçare dhe nesër apo pasnesër, ne do të diskutojmë për sasinë e gazit. Serbisë i duhen sasi të mëdha të gazit, por mund të them se ne do të kemi një dimër të sigurt dhe bisedimet e mëtejme do të përcaktojnë se sa do të kushtojë gazi për ne”, tha Vuçiq.

Ky i fundit, përkundër faktit që në të kaluarën e afërt e konfirmonte se gëzon presion të jashtëzakonshëm për ta kundërshtuar Rusinë, në bisedën gjegjëse me Putinin, përveç asaj se biseduan për çështjen e marrëveshjes së gazit, ku do të përfitojnë të dyja, e përmendën edhe luftën në Ukrainë.

Vuçiq, sot, më 29 Maj, në një konferencë për media, e pranoi se ia ka prezantuar të parit rus qëndrimin e Serbisë për të arritur paqe sa më shpejt.

Sipas deklaratës, Putini duket t’i ketë dhënë detaje shtesë dhe gjithashtu qëndrimin.

 “Ai tha se është ofruar një marrëveshje, e cila është në tavolinë në Moskë, Kiev dhe në qendrat e tjera. Kam dëgjuar disa elemente, por nuk është diçka me të cilën mund të merrem. Shpresoj që paqja të arrihet. Për të tjerat, unë mund të them se kemi pasur një bisedë korrekte dhe të mirë”, tha tutje Vuçiq.

Hiç mangut nuk ia la as ministri i punëve të brendshme, Aleksandër Vulin.

Vulin, në Kuvendin Kishtar-Popullor të Krajinës pranë manastirit Krushedol në Frushka Gora, siç njoftoi zyra e tij, tha se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Sipas tij, Evropa është një grup territoresh e jo një grup shtetesh.

Tutje ai tha se këto shtete nuk i pyet askush dhe se të tjerët i zgjedhin miqtë dhe armiqtë e tyre.

"Evropa është një grup territoresh, jo një grup shtetesh, as nuk i pyet askush, as nuk vendosin vetë, të tjerët i zgjedhin miqtë dhe armiqtë e tyre. Serbia është një nga vendet e fundit në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë,”.

Për këtë marrëveshje kanë reaguar edhe nga presidenca e Kosovës.

Ka qenë Blerim Vela, shef i stafit të presidentes Osmani, që përmes një postimi në Twitter, pyeti BE-në se kur do të reagojë lidhur me bashkëpunimin Serbi-Rusi, tash kur të dyja vendet nënshkruan një tjetër marrëveshje për gazin.

“Putin dhe Vuçiq ranë dakord në një telefonatë sot se Rusia do të vazhdojë furnizimin me gaz natyror për Serbinë dhe dy vende do të forcojnë partneritetin e tyre.

Serbia, një vend kandidat për në BE, në vend që të përafrohet me sanksionet e BE-së, thellon bashkëpunimin me Rusinë. Deri kur BE do ta tolerojë këtë?”, thuhej mes tjerash në shkrimin e tij.

Gjithsesi, deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka pasur ndonjë reagim nga shtëpia evropiane, ndërsa mbetet të shihet nëse një gjë e tillë do të ndodhë orëve apo ditëve në vijim.

Kujtojmë se BE-ja, shpeshherë, ka ftuar vendin me të cilin Kosova po negocion për një marrëveshje obligative gjithëpërfshirëse që t’i bashkangjitet perëndimit, si e vetmja anë e duhur e politikëbërjes dhe jo vetëm.

/Nacionale/

Tjera nga autori:
1