<b></b> Xhamisë së Madhe i erdhi dita: Kjo është historia e përplasjeve shoqërore e politike mbi të

Xhamisë së Madhe i erdhi dita: Kjo është historia e përplasjeve shoqërore e politike mbi të

14.06.2022 16:14

Një nga projektet e shoqëruara me shumë paqartësi ishte ai i “Xhamisë së Madhe” në Prishtinës – gurthemeli i së cilës ishte hedhur një dekadë më herët. Gjithë kjo kohë kaloi në një formë të papërligjur, me bisedime për së dyti për lokacionin e këtij objekti, pastaj vonesa disa vite deri te plotësimi i kushteve për leje, mosmarrëveshje të ndërtuesve, BIK-ut, me disa pronarë të pronave përreth, etj.

Më në fund, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dje gjatë ditës dha njoftimin se komuna përfundimisht ka dhënë leje për ndërtimin e “Xhamisë së Madhe” në Prishtinë.

Procesin e ndërtimit të ‘Xhamisë’ më në fund e kemi vënë në binarët e duhur”, shkroi Rama një njoftim.

Mirëpo ky proces i pajisjes me leje të Bashkësisë Islame të Kosovës, rezultoi i tejzgjatur dhe ngjalli shumë debat në lidhje me shumë çështje të ndryshme.

Fillimisht kishte një debat të gjerë, mbi lokacionin e xhamisë, se ku duhej të ndërtohej objekti religjioz në fjalë.

Në vazhdim, pyetje të rëndësishme ishin ngritur mbi arkitekturën e këtij objekti. Kështu që kishte një debat të polarizuar rreth kësaj teme. 

Së fundi, po ashtu në mendje ishin marrë edhe burimet financiare të kësaj ndërtese – nëse duhet të lejohet ndërtimi i saj nga donacione të huaja, ose nga mjete vendore, rrjedha e të cilave do të ishte transparente.

Debati mbi lokacionin

Ngjashëm si mbi tërë projektin e quajtur “Xhamia e Madhe”, mbi lokacionin kishte opinione të ndryshme dhe paqartësi. Një nga ata që kishte shfaqur hamendjen e tij në lidhje me lokacionin e projektit në fjalë ishte edhe Përparim Rama, kryetari i komunës së Prishtinës.

Atëbotë në cilësinë e një profesionisti të arkitekturës, Përparim Rama pati argumentuar për një lokacion të ndryshëm nga ai për të cilin dha leje.

Pozita e tanishme, tek Posta, është e gabuar nga aspekti urban, arkitektonik, tradicional e historik. Për hir të qytetit tonë dhe të gjithë qytetarëve, e sidomos të komunitetit islam, nuk duhet të lejojmë të bëjmë këtë gabim, kur e kemi mundësinë të rigjenerojmë pjesën më të rëndësishme të kryeqytetit tonë. Mendoj që pozita në Prishtinën e vjetër, aty ku janë tri xhamitë dhe Hamami, aty ku ka qenë çarshia e vjetër, aty ku është tregu, aty ku kanë filluar celulat e para të qytetërimit të Prishtinës, aty duhet të jetë edhe Xhamia e Madhe”, kishte shkruar Rama, në një status në rrjetin shoqëror Facebook, në vitin 2017.

Gjatë kësaj periudhe ishte diskutuar gjerësisht ideja e ndryshimit të lokacionit të këtij objekti fetar. Madje edhe Kuvendi Komunal i Prishtinës, në vitin 2017 e pati trajtuar për së dyti këtë çështje, kur vendosi për mosndryshimin e lokacionit të këtij objekti.

Duhet të kujtohet se tema e lokacionit të këtij objekti fetar, nuk ishte mjaftuar me debate e shkrime – ajo pati nxitur protesta dhe klimë polarizuese.

Gjatë vitit 2020, kur pas 8 vitesh mosfillim të punimeve, Bashkësia Islame më në fund filloi punimet, pranë hapësirës punuese ishin zhvilluar protesta të një grupi qytetarësh që e kundërshtuan ndërtimin e xhamisë në atë zonë, duke u mbështetur në arsye të ndryshme, si lokacioni i gabuar, ose forma e këtij ndërtimi sipas tyre nuk përkonte me hapësirën e asaj pjese të qytetit.  

Debati mbi planin e xhamisë

Një nëntemë tjetër rreth së cilës ishte kufizuar ky debat, kishte të bënte me planin e ndërtimit të kësaj xhamie. Në Bashkësinë Islame të Kosovës ishin dorëzuar dhjetëra plane.

Kjo përballje përfshiu një numër të madh të aktivistëve të shoqërisë civile dhe të profesionistëve, që kryesisht kufizoheshin në përzgjedhjen e njërës nga dy projektet arkitekturore më të dalluara, që i ishin ofruar Bashkësisë Islame.

Dilemat ishin, nëse duhej pranohej një projekt më modern i xhamisë – një nga modelet e xhamive më tepër perëndimore, ose nëse projekti i “Xhamisë së Madhe” duhet të zhvillohet mbi një projekt të zakonshëm, me tepër oriental dhe më të pranueshëm për kulturën vendore të besimtarit.

Projekti i parë i shquar ishte ai i arkitektes së njohur botërisht, Zaha Hadid. Ajo pati paraqitur një projekt për ndërtimin e një xhamie më moderne në kuptimin e arkitekturës dhe pamjes së jashtme – mbase paksa atipike për kulturën religjioze të vendit. Për më tepër, projekti i saj ishte mirëpritur me vlerësime të larta në Kosovë.

Arkitetki i njohur Visar Geci, asokohe avokoi për projektin në fjalë.

Fillimisht, xhamia nuk e ka vendin në këtë lagje (Dardani). Nëse objektet madhështore e kanë një objekt tjetër krahasues, ato mbeten kurrkund hiç. Nëse objekti ndërtohet nga Zaha Hadid, do ta bënte shtetin më të njohur për botën”, pati pohuar Geci në një debat mbi këtë temë.

Ngjashëm pati menduar edhe ish-nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu, i cili pati artikuluar në mbrojtje të planit të Zaha Hadid.

“Por, unë besoj që Prishtina ime duhet ta ketë xhaminë më të bukur të kohës sonë. Prishtina ime, e Kosova jonë, e ndërton këtë xhami me paratë tona, secilit nga ne që ka pak!”, Dardan Sejdiu.

Krahas projektit të Zahas, alternativa, e cila doli të jetë fituese e garës në kuptim të ndërtimit, ishte krejt e ndryshme. Ky projekt ishte hartuar në një stil oriental arkitekturor, që xhami mostër kishte marrë xhaminë e Edirnës. Rrjedhimisht, ky projekt i takonte më tepër domenit të xhamive osmane – kështu nga ky debat lindi një debati klasik që rroku gjerësisht qëndrime e vështrime mbi historinë dhe shumë çështje tjera, të ndërlidhura me këtë temë.

Dizajni i zgjedhur për xhaminë qendrore ka qenë politik. Dizajnet supozohej të ishin origjinale, por ai i zgjedhuri është vetëm një kopje e një xhamie otomane. Vendimi duket më shumë politik sesa arkitektural”, kishte theksuar arkitekti i njohur, Arbër Sadiku.

Një nga arsyet që është refuzuar projekti i Hadid, ishte se burimet e fondeve vinin nga drejtoria e shtetit turk për çështje religjioze. Kësisoj, supozohej se do të ishte vështirë e pranueshme për përfaqësuesit turq që të financonin një projekt të huaj për veçoritë kulturore e tiparet e ndërtimit të objekteve religjioze të tyre. Nga ky diskutim, lindi një debat i tretë për burimet e fondeve.

Debati mbi fondet

Fondet të cilat do të financonin projektin e “Xhamisë së Madhe” ishin pjesë e nxehtë e debatit.

Një njërën anë, ato ngjallën një sentiment nacionalist te një pjesë e shoqërisë që po kundërshtonin projektin e përkrahur nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Ndërsa në anën tjetër, fakti që ky projekt po sponsorizohej nga Turqia, ngjalli një simpati të një pjesë tjetër e shoqërisë – të një pjesë më konservatore.

Ish-nënkryetari i komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, pati propozuar mbledhjen e fondeve nga njerëzit privatë, vetëm e vetëm që projekti i “Xhamisë së Madhe” në Prishtinë të shmangej nga varësia financiare nga burimet turke.

Në një postim të një miku për çështjen e Xhamisë së madhe, në të cilin ai propozon që të mblidhen fonde për ndërtimin e xhamisë sipas propozimit të arkitektes Zaha Hadid, unë jam shprehur për këtë propozim dhe jam zotuar që do të kontribuoj edhe financiarisht”, pati shkruar Sejdiu në atë kohë.

Ndryshe, për një pjesë më konservatore të shoqërisë, burimet financiare turke të xhamisë dhe as projekti i saj, nuk paraqitnin problem shqetësues.

Tjera nga autori:
1