<b></b> ZRrE thotë se e ka të paqartë vendimin e Apelit, PDK i tregon çfarë duhet të bëjë

ZRrE thotë se e ka të paqartë vendimin e Apelit, PDK i tregon çfarë duhet të bëjë

23.05.2022 22:15

Gjatë ditës së sotme, Zyra Rregullatore e Energjisë lëshoi një komunikatë për media, duke treguar se nuk e ka të qartë se si të veprojë tutje përkitazi me punën e tarifave, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila aktvendosi kundër rritjes së çmimeve të energjisë. Por, në një deklaratë për Nacionale, avokati i PDK-së, Faton Fetahu, i ka treguar ZRrE-së se si duhet të veprojë tutje përkitazi me punën e tarifave.

Përmes një komunikate për media, ZRrE ka thënë se ka pranuar vendimin e Apelitm që mbështeti atë të Themelores, me këtë të fundit që konstatoi se shtrenjtimi i energjise eletrike nuk ishte konform normave.

“Pas pranimit të Vendimit, Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) me energji elektrike ka kërkuar udhëzime nga ZRrE lidhur me mënyrën e zbatimit të vendimit të ZRrE-së, i cili ka rrjedh nga Aktvendimi i Gjykatës së Apelit. KOSTT, po ashtu përmes një reagimi public, është shprehur se situata e krijuar pas Aktvendimit të Gjykatës së apelit, rrezikon sigurinë e furnizimit me energji elektrike si dhe marrëveshjen e kyçjes me ETSO-E”, thuhej në komunikatën e sotme të ZRRE-së.

Për këtë çështje ka folur Faton Fetahu, avokati i Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ishte partia që paditi ZRrE-në në Gjykatën Themelore.

Për Gazetën Nacionale ai tha se ZRrE nuk mund të shtyjë vendimin e gjykatës.

ZRrE-ja atë vendim në mbledhjen e fundit e ka nxjerrë pa asnjë bazë ligjore, sepse ZRrE-ja nuk munden me e shty vendimin e gjykatës, sepse at vendim e ka shty vendimi i gjykatës. Kshtu që nuk ka qenë detyrë e ZRrE-së që të bëjë shtyerjen e vendimit ‘kontestues’ të saj, të 9 shkurtit. Sepse atë vendim e ka shty gjykata”, tha ai.

Madje,  Fetahu shtoi se ZRRE ka vetëm një detyrë, e ajo sipas tij ësthë të kthejë prapa vendimin për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Rruga e vetme të cilën e ka për detyrë, e ka obligim ligjor ZRrE-ja është me u mbledhë dhe me vendos me nxjerrë një vendim në të cilin vendos që tani kur ska vendim per tarifat, të vleje vendimi i mëhershme i tarifave të lira, dhe pas kësaj munden me nisë një process eventualisht të ri nga fillimi për përcaktimin e metodologjisë dhe hapave si do ta përcaktoj tarifimin e ri, përndryshe e ka vetëm një rrugë, zbatimin e vendimit për tarifat e lira, te përcaktoj”, deklaroi Fetahu.

Ditë më parë, Gjykata e Apelit vendosi kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrejtimin e tarifave të energjisë elektrike. E pas këtij vendimi të Apelit, ZRrE theksoi se do ta shtyjë ekzekutimin e vendimit për tarifat, deri në përfundimin e rastit gjyqësor.

Tutje, theksohej se në mbledhjen e së premtes së javës së kaluar, ZRRE vendosi për këtë punë pasi gjykata mori aktvendimin në lidhje me tarifat.

ZRRE më datë 18 maj 2022, ka pranuar nga Gjykata e Apelit Aktvendimin AA.nr. 364/2022 me të cilin, Gjykata ka refuzuar ankesën e ZRRE-së dhe ka vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike, të aprovuar nga ZRRE, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me padinë e paditëses. Si pasojë e gjendjes së krijuar, Bordi i ZRRE-së me datë 20 maj 2022, në Seancën e jashtëzakonshme, ka nxjerr vendim, me të cilin shtyhet ekzekutimi i Vendimit V_1489_2022 i datës 08.02.2022, sipas Aktvendimit AA.nr.364/2022 të Gjykatës së Apelit”, thuhej në komunikatën e ZRrE-së të premten.

Ndryshe, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, kanë reaguar partitë opozitare në vend.

PDK, LDK e AAK si rrallë herë të tjera, ato u pajtuan në lidhje me këtë çështje. Të tri partitë opozitare kërkuan rikthimin e parave të mbledhura pas rritjes së tarifave tek qytetarët.

Tjera nga autori:
1