<b></b> Zbatimi i vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit, kusht për anëtarësim në KE

Zbatimi i vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit, kusht për anëtarësim në KE

21.05.2022 20:23

Pavarësisht thirrjeve të shumta të ndërkombëtareve, institucionet e Kosovës nuk po e zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare kanë bërë me dije se moszbatimi i këtij vendimi mund t’i hakmerret Kosovës në disa drejtime.

Sipas tyre, zbatimi i këtij vendi do të jetë kusht për anëtarësimin e Kosovës në KE dhe institucione tjera ndërkombëtare.   

Drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci, ka vlerësuar se Kosova duhet të reflektojë në respektimin e këtij vendimi.  

“Mos-zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për dhënien e parcelave të tokës Manastirit të Deçanit, është një gabim i madh, i cili do t'i hakmerret vendit tonë, si në procesin e dialogut, ashtu edhe në anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare.  Kisha Ortodokse Serbe e ka njohur autoritetin e institucioneve gjyqësore të Kosovës, duke ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ndërsa organet ekzekutive të vendit tonë, nuk e zbatojnë vendimin e saj, por i trajtojnë vendimet e gjyqësorit në mënyrë selektive”, ka shkruar Peci në profilin e tij në “Facebook”.

 Sipas tij, në këtë mënyrë Kosova po forcon argument e Serbisë. “Me këtë qasje, ne vetëm jemi duke e kurthuar veteveten, duke dëshmuar se Qeveria, dhe jo vetëm e tanishmja, por të gjitha qeveritë që më së gjashtë vite me radhë, nuk e kanë sensin elementar te shtetit ligjor.  Kështu, motra dhe vëllezër, ne po i japim të drejtën e vetos së Serbisë, me vetëdije apo pa vetëdije për të përcaktuar integrimin tonë në bashkësinë ndërkombëtare përmes dialogut në Bruksel, dhe jemi duke ia mbyllur derën aleateve të na përkrahin në përpjekjet tona për të konsoliduar subjektivitetin tonë ndërkombëtar”, ka shkruar ai.

Ai ka bërë me dije se më  këto sjellje Kosova po e largon edhe mbështetjen ndërkombëtare.

“Edhe prindi, thotë një fjalë popullore, hjekë dorë prej fëmijët te keq. Edhe Kosova, si fëmije i vendeve kyçe të perëndimit është duke shkuar në këtë rruge.  Edhe një gjë, Kosova nuk e ka rëndësinë gjeopolitike që e ka pasur para integrimit të Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore në NATO.  Ky tregim ka përfunduar, dhe ne duhet të kthjellemi e sa më parë e  të heqim dorë nga populizmat, të cilat mund t'ju pëlqejnë shumë qytetarëve  të vendit tonë, por ato në fund do të na fundosin”, ka thënë ai.

Edhe ish-zëvendësministri i punëve të jashtme, Petrit Selimi, ka thënë se zbatimi i këtij vendimi do të jetë parakusht për anëatresim në Këshill të Evropës. “Ashtu siç e lexova - dhe më besoni, kjo është mënyra e vetme për ta lexuar - aleatët tanë kyç dhe të domosdoshëm thonë se zbatimi i vendimit përfundimtar të gjykatës të vitit 2016 për kishën e Deçanit, është një "parakusht" për integrimin në KiE, NATO, etj. Një mesazh i vështirë, por është një kërkesë e njohur prej vitesh”, ka shkruar Selimi në Twitter.

Bashkësia ndërkombëtare edhe dje, kur ishte në 6-vjetori i vendimit të Kushtetueses për këtë çështje ia ka rikujtuat Kosovës këtë obligim.

Përmes një komunikate për medie, shtetet e QUINT-it kanë kërkuar nga qeveria që ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit, duke nënvizuar se ky është edhe njëri ndër parakushtet për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane.

“Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Prandaj, sërish i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit”, është thënë në komunikatë.

Tjera nga autori:
1