<b></b> “Zbutja” e Kurtit e Haxhiut me Thaçin e Veselin

“Zbutja” e Kurtit e Haxhiut me Thaçin e Veselin

13.05.2022 08:27

Gjersa Hashim Thaçi e Kadri Veseli udhëhiqnin me institucionet e Kosovës, Albin Kurti e Albulena Haxhiu, njëri kryetari i VV-së e tjetra deputete e kësaj partie, po bënin opozitë kundër tyre. Madje, këta të fundit i mbanin përgjegjës Thaçin e Veselin për shumë procese, të cilat opozitarët e dikurshëm i cilësonin si negative.

Megjithatë, kohëve të fundit është vërejtur një zbutje e theksuar në qëndrimet e Kurtit e Haxhiut përkitazi me figurën e Thaçit e Veselit. Tash që këta dy të fundit nuk janë më pjesë aktive e politikës kosovare, duket që gjakrat e Kurtit e Haxhiut janë qetësuar.

Një gjë e tillë vërehet në deklarimet publike që kryeministri Kurti, ashtu edhe ministrja Haxhiu, kanë dhënë së fundmi kurdo që janë pyetur për Thaçin e Veselin.

Kreu i ekzekutivit, në udhëtimin në SHBA, gjatë takimit në Dallas me shqiptaro-amerikanët, theksoi faktin se nuk e ka problem t’i vizitojë ish-krerët e UÇK-së.

Tutje ai shtoi se me këtë çështje po merret Haxhiu, por nëse është nevoja, do të shkojë edhe vetë, sepse nuk e ka problem një gjë të tillë.

“Së pari unë e kam pasë një takim me të gjithë avokatët të cilët i mbrojnë luftëtarët e UÇK-së në Hagë. Sepse jam i interesuar të kuptoj më shumë se çka po ndodh, edhe të ketë një mbikëqyrje dhe llogaridhënie më të madhe të Gjykatës Speciale, e cila nuk e ka pasur për karakteristikë të theksuar transparencën. Dhe gjithashtu të marrë vesh se kur konsiderojnë këta avokatë që në procesin gjyqësor atje po dëmtohet shteti i Kosovës dhe historia jonë”, tha Kurti para bashkatdhetarëve në Dallas të SHBA-së.

Madje, Kurti u tregua i gatshëm të vizitojë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe të tjerët në rast se një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme.

Duke folur për Gjykatën Speciale, Kurti tha se brengë e tij si kryeministër i Kosovës është që të gjithë të paraburgosurit janë shqiptar.

“Tash e ka marrë për barrë Ministria e Drejtësisë aspektin e vizitave, por nëse e konsiderojmë bashkërisht, mund të shkojmë, absolutisht, nuk ka kurrfarë problemi për këtë, sepse Tribunali i Hagës, EULEX-i, UNMIK-u, që të gjithë këta shkuan, e tash e kemi edhe një Gjykatë Speciale, e cila i ka që të gjithë shqiptarë aty brenda. Kjo është brengë e imja, jo veç si aktivist politik i moçëm e qytetar republike, por para së  gjithash si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës”, deklaroi Kurti në SHBA.

Ndërkaq, ministrja Haxhiu kundërshtimet, që shpesh reduktohej në një gjuhë të ashpër karshi Thaçit e Veselit, i cilësoi si përballje politike. Madje, ajo tha se të tilla përballje do të ketë kurdo që ata kthehen nga Haga, teksa shtoi se beson në pafajësinë e Thaçit e Veselit.

"Unë besoj në pafajësinë e tyre. Por unë nuk mund të bëj diçka rreth kësaj çështjeje. Ne mund të bëjmë vetëm pagesa për mbrojtje. Atë që na ka kërkuar edhe Kuvendi i Kosovës. Kujtojmë se nuk mund ta zhbëjmë, pasi duhen edhe 2/3 e votave të minoriteteve", tha ndër të tjera ajo në Debat Plus.

Ndryshe, Prokuroria e Specializuar ka zgjeruar aktakuzën kundër ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, janë deklaruar të pafajshëm përkitazi me akuzat.

Tjera nga autori:
1