A është e vërtetë se në Kosovë u rrit ndikimi rus, turk e kinez? Kontestohet raporti i FH - NACIONALE

A është e vërtetë se në Kosovë u rrit ndikimi rus, turk e kinez? Kontestohet raporti i FH

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të sigurisë, nuk janë pajtuar me konstatimin e raportit të fundit të “Freedom House”, ku flitet për rritjen e ndikimit të Rusisë, Turqisë dhe Kinës në Kosovë.

Ata kanë bërë me dije për gazetën Nacionale se ndikimi rus në pjesën e veriore të vendit mund të jetë evident, por janë shprehur skeptik për ndikimet turke e kineze në Kosovë.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka treguar për gazetën Nacionale se si është shtrirë ndikimi rus në Kosovë.

“Këtu mund të pajtohem vetëm pjesërisht. Rusia gjithmonë ka pasur atë luftën hibride që e përcjell në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, e edhe në Kosovë, përmes medieve të ndryshme, sidomos të komunitet serb. Po ashtu, edhe duke krijuar probleme tjera në implementimin e disa ligjeve, sidomos në veri të Kosovës, ku mund të ketë implikime të agjentëve të ndryshëm rus. Kjo është evidente. Besoj që këto informata i ka edhe Qeveria e Kosovës”, ka thënë Arifi.

Sipas tij, ndikimi i Turqisë dhe Kinës është më i vogël në Kosovë. “Sa i përket ndikimit të Turqisë, ky shtet i ka dy nivele të ndikimit në Kosovë. Niveli i parë, është ai financiar dhe ekonomik, sepse ka investime direkte në Kosovë, dhe kur ka investime të tilla mund të prodhojë edhe politika. Së dyti, përmes religjionit ose fesë e ka një ndikim të shtuar te një masë e popullatës së Kosovës. Sa i përket Kinës, nuk besoj se ky vend mund të këtë ndonjë ndikim, të paktën të drejtpërdrejtë në Kosovë, duke e ditur se nuk ka ndonjë investim serioz, por edhe duke ditur së lufta hibride kineze nuk është shumë e fokus në Kosovë”, ka thënë Arifi.

Ai ka bërë me dije se problemi i raportit “Freedom House”, është mungesa e burimeve të informacioneve. “Ka edhe elemente tjera që shpërfaqen në raport, por problemi është që nuk ka shumë burime. Sepse kjo na lë shumë për të dëshiruar në kuptimin e saktësisë. Sidoqoftë, si raport ndërkombëtar e ka një seriozitet në arenën ndërkombëtare. Mendoj se çdo raport që bëhet për Kosovën duhet të merret seriozisht, por gjithmonë duhet të bazohemi edhe në informatat që mund t’i këtë Qeveria e Kosovës, të cilat i vijnë nga institucionet relevante të sigurisë”, ka deklaruar ai.

Edhe eksperti i sigurisë, Kadri Kastrati, mendon se ndikimi rus në veri të Kosovës është prezent fuqishëm.

“E kam thënë edhe më herët se ndikimi rus është shumë i madh jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon në përgjithësi. Kjo është parë kur Rusia përmes Serbisë tentoi të bëj puq në Mal të Zi. Pastaj ndikimi rus për të ndarë Bosnjën. Kështu që, edhe në Republikën tonë ndikimi rus është i madh, i cili dëshiron që veriun e vendit ta mbajë të tensionuar. Kjo është krejt prodhim i prezencës ruse nëpërmjet qendrës ruse që e kanë në Nish, e cila merret me spiunim dhe detyrat tjera që merr nga Moska”, ka thënë Kastrati për Nacionalen.

Ai ka mohuar pretendimet e raportit për një rritje të ndikimit kinez dhe turk në Kosovë.

“Nëse kemi parasysh faktin që Kina po e armatos Serbinë, mund të themi se ajo ka një ndikim në Beograd. Mirëpo për mendimi tim ndikimi kinez është shumë i vogël në krahasim me ndikimin rus”, ka thënë Kastrati.

Institucionet të jenë vigjilente

Pavarësisht konstatimit të raporteve, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ata të sigurisë i kanë ftuar institucionet e Kosovës të jenë vigjilente në raport me ndikimet e jashtme.

Sipas tyre, institucionet e sigurisë duhet të jenë gati për çdo situatë.

“Gjithmonë përgatitja është e mirë. Këtu duhet të jemi të kujdesshëm sepse po flasim për një gjendje lufte në të cilën gjendet sidomos kontinenti i Evropës, ku është cenuar jashtëzakonisht shumë edhe siguria e tij”, ka thënë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi.

Ndërsa, ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, ka thënë se Kosova duhet t’i fuqizojë institucionet e saj të sigurisë. “Institucionet e Kosovës duhet të jenë shumë vigjilente, shumë të përgatitura dhe të shohin pak më lart se që janë duke parë tani. Ato duhet ta modernizojnë ushtrinë dhe policinë e Kosovës, të cilat mendoj se nuk po zhvillohen në tempon që do të duhej të zhvilloheshin. Pavarësisht prezencës së NATO-s në Kosovë, ne duhet t’i zhvillojmë institucionet tona të sigurisë dhe për një kohë të shkurtër duhet t’i dalin zot vetvetes”, është shprehur Kastrati.

Edhe raporti i fundit i “Freedom House” për Kosovën tregon se pjesa veriore e Kosovës është më e ndjeshme ndaj ndikimeve nga jashtë. “Serbia ende mban ndikim në veri të Kosovës, ku institucionet kosovare nuk kanë prezencë të fortë. Qeveritë e Rusisë, Kinës dhe Turqisë po ashtu kanë ushtruar ndikim ndaj proceseve qeveritare në Kosovë në vitet e fundit”, është thënë në raportin e “Freedom House”.

Në vitin 2020, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka prezantuar një raport, ku flet për format e ndikimit rus në Kosovë.

Sipas këtij raporti, operacionet ruse të ndikimit janë kryesisht të kufizuara te serbët e Kosovës, me lejen e Serbisë. “Rusia e përdor krejt arsenalin e saj për të parandaluar pjesëmarrjen ose anëtarësimin e Kosovës në shumë forume dhe institucione ndërkombëtare si anëtare e barabartë e komunitetit botëror, sigurimin e njohjeve nga vende të tjera dhe të një ulëseje në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, është thënë në raportin e QKSS-së.

Një ditë më parë, përfaqësues të partive politike dhe analistë të ndryshëm kanë kontestuar pjesë tjera të raportit të “Freedom House”. Është kritikuar shumë pjesa ku flitet për ndikimet në sferën e institucioneve publike të disa figurave politike që sot nuk janë në pushtet.

Lajme të ngjashme