AP: Luan Dalipi e zv. drejtori i Viva Fresh Store me versione të ndryshme - NACIONALE

AP: Luan Dalipi e zv. drejtori i Viva Fresh Store me versione të ndryshme

1 vit më parë

nga NACIONALE

Takimi i Shefit të Kabinetit të Kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi, me Korab Hoxhën, zëvendës-drejtor i Viva Fresh Store, nxiti reagime publike. Albanian Post (AP) shkruan se dy emrat e përfolur së fundmi nëpër media kanë versione të kundërta se që sa njihen mes vete.

‘‘[...] ne jemi njoftuar para disa viteve, meqë disa prej atij grupi, e kemi pas krijuar x-trailers që është grup vrapimi malor, në Gërmi dalim”, thotë Dalipi për Albanian Post.

AP e ka pyetur shefin e kabinetit të kryeministrit se mos e njeh më parë zëvendës-drejtorin e rrjetit të supermarketeve.

“Nuk e kam njohur më parë, aty e kam njoftuar. Edhe faktikisht në 2018-ën, ndoshta në 2017-ën, nuk jam i sigurt kur jemi taku”, thotë ndër tjera Dalipi për AP.

Ndërkaq Korab Hoxha është përgjigjur ndryshe, duke shtuar disa vjet të miqësisë mes tyre.

“Me zotëri Dalipin nuk njihem prej momentit kur ai është në qeveri, ka vite e vite që jemi miq. Tash nuk do të thotë që ai punon në një institucion e nuk duhet me pasë miq. Jemi miq prej shumë viteve, nuk ka të bëjë asgjë puna e pozitës së tij me punët dhe pozitën time.”

Jemi miq “që 18 vjet ndoshta”, saktëson Hoxha, shkruan Albanian Post.

Gazeta Nacionale ka raportuar ditë më parë për darkën mes shefit të kabinetit të kryeministrit dhe zëvendës-drejtorit të Viva Fresh Store. Fotografia e publikuar kishte nxitur reagime të shumta.

Fillimisht, ligjërimi politik i Vetëvendosjes ndër vite ishte i ashpër karshi biznesmenëve në Kosovë, ku termi oligarkë, apo të lidhur me pushtetet e kaluara, ka qarkulluar vazhdimisht si retorikë a gjuhë sulmuese kundrejt tyre.

Po ashtu, çka bie në sy, është se rrjeti i supermarketeve Viva Fresh Store, ka qenë donator i fushatës zgjedhore të VV-së.

Anipse fushata e VV-së, e majtë, përshkruhej si shpëtim për klasën punëtore që u shkelen të drejtat si punëtorë të këtyre kompanive gjigante, vetë partia mori para nga këto kompani.

VV-së i kushtoi fushata e fundit, si çdo fushatë tjetër, për të hyrë në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit. Por këto zgjedhje në fakt u financuan pikërisht nga kjo kompani.

Në donacionet e qytetarëve dhe bizneseve të ndryshme për Lëvizjen Vetëvendosje, gjenden shumë biznese, ku prin Viva Fresh e cila kishte dhuruar 5 mijë euro.

Se pushteti ka lidhje me gjigantë si kjo kompani, është dyshuar edhe në ditët kur çmimi i vajit shkoi 3 euro e gjysmë dhe paniku bëri që qytetarët të blejnë vaj si rezervë, pa pasur nevojë.

Kjo sepse po atë ditë, Kurti shkoi në Gjilan te një fabrikë që prodhon vaj dhe doli të mos ketë mungesë të vajit.

Lajme të ngjashme