Abelard Tahiri ua mbante ‘dorën’ veteranëve, me sahat 3 mijë e 300 euro në dorë - NACIONALE

Abelard Tahiri ua mbante ‘dorën’ veteranëve, me sahat 3 mijë e 300 euro në dorë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Veteranët po protestonin për disa orë në oborrin e Kuvendit, derisa shefi i PDK-së brenda, Abelard Tahiri, mbante në dorë orën “LONGINES” në vlerë të pensionit vjetor të veteranit.

ora 9:30, me rroba të zhubrosura e të vjetra, veteranët ia mësynë oborrit të Kuvendit për të protestuar kundër ligjit të ri të pagave.

Me këtë ligjin e ri, veteranëve përveç që s’ju rritet pensioni, një kategorie do t’ju zvogëlohej për 50 euro. Një veteran i papunë sot i merr 170 euro në muaj, apo 2 mijë euro në vit – sa ora e Tahirit, sipas tij.

Pas tri orëve protesta të veteranëve dhe Tahirit me kolegë, ligji nuk kaloi. E diku rreth orës 12:47, me orë në dorë, milioneri i PDK-së doli para veteranëve për t’ua kumtuar fitoren e vogël.

Derisa para kamerave fliste me gishtin lart dhe orën “Longines” në dorë, dikush nga komuniteti i twitterit u sigurua ta shpërndajë orën e Tahirit, për të cilën u tha se kushton 30 mijë euro, e dikush tjetër tha se kushton 51 mijë euro, meqë është e markës Patek Phlippe – ora më e shtrenjtë në treg.

E sot në orët e mesditës, Nacionale kontaktoi Abelard Tahirin, për ta pyetur rreth orës së tij, që dje e mbante në dorë.

Doli se ora e Tahirit s’është Patek Philippe, siç thoshin në twitter. Madje ai na dërgoi fotografi të orës.

Është e pavërtetë, pa taksa e kam ble 1900 [euro]. Pa taksa jashtë shtetit, jo në Kosovë” – ka thënë Tahiri.

Me një kërkim të shpejtë në internet, gjetëm se ora e Tahirit në fakt kushton 3 mijë e 300 euro. Duket se shefi i PDK-së në Kuvend, e ka gjetur momentin e duhur në pazar.

Në anën tjetër, shefi i PDK-së nuk e ka deklaruar orën tek pasuria e paluajtshme.

Lidhur me këtë çështje, Tahiri tha se tash e ka blerë dhe se ora do të deklarohet si pasuri e luajtshme, vitin e ardhshëm.

“Jo [s’e kam deklaruar] se e kam ble tash, kjo deklarohet vitin tjetër. Këtë vit e kam ble, dhe deklarohet më 2023” – tha Tahiri në Nacionale.

Kur jemi te deklarimi i pasurisë, Abelard Tahiri, është ndër deputetët më të pasur, me mbi 1 milionë euro vetëm pasuri të paluajtshme.

Veteranët dhe Kurti

Pas disa orëve takim në mes të Kurtit dhe përfaqësuesve të veteranëve, doli se s’u arrit asnjë marrëveshje. Protestat do të vazhdojnë.

Ne edhe ditën që do ta thërrasin seancën për lexim të dytë, ne do të jemi në protesta. Nëse e rregullojë siç ka qenë apo e bëjnë më mirë, ne do ta duartrokasim, por nëse e heq pikën 3.1 me pagën minimale në Kosovë, do të ketë protesta për çdo ditë”, ka thënë Klinaku.

“Kryeministri thirret në shifrat e numrit të madh të veteranëve, që është çështje e gjykatës”, deklaroi Klinaku.

Lajme të ngjashme