Analistët: Vizita e kancelarit gjerman, vendimtare për dialogun me Serbinë - NACIONALE

Analistët: Vizita e kancelarit gjerman, vendimtare për dialogun me Serbinë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Vizita e kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, në Kosovës dhe në rajon, po shihet si ogur i mirë nga njohësit e rrethanave politike në vend. Ata kanë deklaruar për gazetën Nacionale se mesazhet që ka sjellë në Prishtinë tregojnë se ai mund t’i japë një shtytje të re dialogut Kosovë-Serbi dhe proceseve tjera nëpër të cilat po kalon Kosova.

Profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, është shprehur i bindur se vizita e tij në Kosovë dhe Serbi do të ndikojë në dinamikën e procesit të dialogut në mes të dy vendeve.

“Jam i bindur që lëvizje për sa i përket procesit të dialogut do të ketë, sepse kancelari gjerman e potencoi shumë mirë që në fund të një marrëveshjeje eventuale në mes të dy shteteve duhet të jetë edhe njohja e Kosovës, apo njohja reciproke, sido që e quajmë. Kjo sepse si për Gjermaninë, ashtu edhe për shumë vende të BE-së, do të jetë e paimagjinueshme që ndonjë vend mund të anëtarësohet pa e njohur një tjetër, këtë e bëri shumë të qartë. Tash, presioni do të jetë te dy shtetet që të gjejnë një zgjidhje, por gjithmonë me përkrahjen e Bashkimit Europian, specifikisht Gjermanisë. Pra, unë shoh hapa pozitivë dhe seriozë të Gjermanisë dhe angazhimit të saj në këtë çështje”, ka deklaruar Arifi për Nacionalen.

Ai ka treguar se kancelari gjerman ka sjellë edhe mesazhe të rëndësishme për Procesin e Berlinit dhe Ballkanin e Hapur.

“Mendoj se kancelari gjerman e tha në formë shumë të qartë dhe të prerë që Procesi i Berlinit mbetet prioritet i Gjermanisë. Kjo drejtpërdrejtë e tregon të gjithë orientimin e këtij procesi. Pra, normalisht pa u përmendur fare Ballkani i Hapur, sepse për Gjermaninë ajo nismë nuk ka peshë. Duhet kuptuar që Procesi i Berlinit ka edhe mekanizmin financiar përcjellës që mund t’i ndihmojë shumicën e projekteve të realizohen nga fondet e disa vendeve të Bashkimit Evropian”, është shprehur Arifi.

Edhe analisti politik, Gazmir Raci, ka vlerësuar se vizita e kancelarit gjerman në Kosovë do të ketë ndikime në disa procese.

Ai ka thënë për gazetën Nacionale se njohja e Kosovës nga Serbia vazhdon të jetë një pikë për të cilën ata këmbëngulin se duhet të respektohet.

Ai ka bërë me dije se vizita e tij tregon edhe për raportet e mira në mes të dy shteteve.

“E para është se marrëdhëniet bilaterale në mes të Kosovës dhe Republikës Fedarale të Gjermanisë vazhdojnë të jenë të qëndrueshme, të forta dhe po rikonfirmohen edhe me qeverisjen socialdemokrate të Gjermanisë. Roli gjerman në Ballkanin Perëndimor deri tani ka qenë shumë i rëndësishëm dhe vazhdon të jetë edhe në qeverisjen socialdemokrate. Mbështetja gjermane për Kosovën ka qenë po ashtu determinuese, sidomos në dialog dhe në parandalimin e ideve të rrezikshme për lëvizjen e kufijve gjatë kohës sa po diskutohej korrigjimi i mundshëm i tyre në të kaluarën. Falë Gjermanisë, një gjë e tillë nuk ndodhi, nuk u lejua. Por, edhe Gjermania vazhdon të këmbëngulë që në dialog Kosova dhe Serbia të kenë një marrëveshje ligjërisht obliguese, për të dyja palët. Pavarësia e Kosovës dhe njohja e shtetit të Kosovës vazhdon të jetë pika kryesore që edhe gjermanët thonë të respektohet. Natyrisht, pres që Gjermania të jetë bashkë-këmbëngulëse në çështjen e liberalizimit të vizave me Francën, që përfundimisht të heqë këtë pengesë për qytetarët e Kosovës.”

Raci beson se kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të luajë një rol vendimtar edhe në procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën.

“Besoj që Gjermania do të luajë rol vendimtar në raport me Francën, por natyrisht që edhe Kosova tash e tutje duhet të jetë proaktive, bashkëpunuese dhe koordinuese me faktorin ndërkombëtar, sidomos me SHBA-të, Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe Francën, për të përmbyllur dialogun sa më shpejt për shkak të krizës gjeopolitike në Ukrainë. Ne duhet të jemi të sinqertë në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Për sa i përket nismës së Ballkanit të Hapur, analisti Raci tha për Nacionalen se Gjermania ka qenë e përmbajtur për shkak se Procesin e Berlinit e kanë nisur ata vetë dhe janë garantues të tij.

“Gjermania ka qenë e përmbajtur për Ballkanin e Hapur për shkak se Procesin e Berlinit e kanë nisur ata vetë, e kanë themeluar dhe janë garantues. Për mua është shumë e rëndësishme që çdo iniciativë rajonale që fillohet, të ketë një garantues të fuqishëm prapa saj, gjë që Ballkani Perëndimor nuk e ka ende. Derisa nuk e ka, Ballkani Perëndimor, 6+ që po quhet, është iniciativa më serioze edhe politike edhe ekonomike. Ndërsa iniciativa Open Balkan e ka vetëm aspektin ekonomik, gjë që e konfirmoi edhe përfaqësuesi amerikan, Gabriel Eskobar, para pak ditësh”, është shprehur Raci.

Ndërkaq, ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, është shprehur se vizita e kancelarit gjerman në Kosovë ka dhënë disa mesazhe për rajonin.

Sipas saj, me këtë vizitë u dëshmua se Kosova është në rrugën e duhur për sa i përket zhvillimeve politike.

“Fillimi i vizitës ballkanike të kancelarit gjerman Scholz sot në Kosovë, jep mesazh të dyfishtë për rajonin: Kosova është rreshtuar në anën e drejtë në zhvillimet e fundit gjeopolitike; Gjermania (lexo: Kuinti) po i përcjellin me vëmendje të shtuar sinjalet e rrezikut që po vijnë nga përfaqësuesit e Rusisë në Ballkanin Perëndimor Vuçiqi e Dodiku”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Twitter.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, sot ka vizituar Kosovën, ku është takuar me kryeministrin Albin Kurti. Pas Kosovës, ai ka vizituar edhe Serbinë dhe më pas do të udhëtojë drejt disa vende tjera të rajonit.

Lajme të ngjashme