Qysh u bë 'banaliteti' fati i shkruar i politikës së Kosovës? - NACIONALE

Qysh u bë 'banaliteti' fati i shkruar i politikës së Kosovës?

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Kosova ka hyrë në vitin e pesëmbëdhjetë të pavarësisë nga Serbia, por një varësi obsesive tjetër po i zë frymën: banaliteti i politikës. A do të fitojmë pavarësinë prej saj ndonjëherë? Nëse jo, atëherë le t’i hedhim një sy shkurtimisht e në vija të trasha këtij ‘pushtuesi’.

Ky shkrim do të injorojë mbledhinë e seksit të njëjtë te një hoxhë kosovar që ndodhi nga politikanët kundërshtues të bashkëjetesave të seksit të njëjtë në Kosovë. Do të shkojmë përtej sharjes së Abelard Tahirit dhe çdo sharjeje tjetër. Apo, edhe fjalimet e Jahja Kokajt.

Edhe vet leximi i deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në mesditën e 17 shkurtit të ftohtë të vitit 2008 kishte prodhuar një rrethanë mosvet banale. Në vend se teksti të lexohej prej kryekuvendarit apo ndonjërit prej deputetëve, u lexua nga kryeministri i asaj kohe që donte protagonizëm.

Por, që të mos bëhemi banalë, është e vështirë të besohet se ky mëkat fillestar, ose banalitet fillestar, çoi drejt banaliteteve të mëpastajme.

O R I GJ I N A E B A N A L I T E T I T

Fjalori i Oksfordit e definon banalen si “gjë shumë të zakonshme dhe që nuk përmban asgjë që është në interes apo që është e rëndësishme.” Ky përkufizim zbardh një pjesë të parakushteve për gjithë atë banalitet në politikën ditore dhe përgjithësisht sferën publike të Kosovës. Politikanët e Kosovës deri në vitin 2008 ekzistonin si trupa fizikë, (Institucionet e Vetëqeverisjes së Përkohshme – IPQV) por nuk ishin tamam politikanë sepse nuk kishin në dorë kurrfarë pushteti. Pushteti ishte në dorë të UNMIK-ut.

Por, pavarësisht se nuk ekzistonin, u desh qysh në atë kohë të inskenohej loja e një vendi me demokraci parlamentare. Qytetarët prej luftës e këndej fituan tabiatin e përcjelljes së katër-pesë palë edicioneve të lajmeve në ditë; gazetarët duhej t’i mbushnin disi ato edicione lajmesh e politikanët duhej të silleshin sikur ishin tamam politikanë. Rrethana të përshtatshme për kultivimin e banalitetin.

Sidoqoftë, as 17 shkurti i 2008-s nuk ndërroi asgjë. Edhe pse UNMIK-ut do t’i zbehej pushteti, të gjitha parimet themeltare të shtetit tashmë ishin përcaktuar nga lart, prej tjetërkujt. Nisur prej demokracisë e vazhduar me sistemin ekonomik dhe modifikmet e tij dhe përfunduar me ligje tepër specifike. E gjithë kjo bëhej sipas porosive ndërkombëtare. Këto porosi shkuan aq larg, sa madje edhe e përcaktuan me zarf një person krejt të panjohur në vitin 2011 si presidente të Kosovës.

Politika e Kosovës u duk që sërish nuk kishte pushtet real, dhe krejt çka kishte takat të prodhonte ishin ngërçet e kohëpaskohshme institucionale dhe natyrisht, i shenjti banalitet.

S O T

Në ditët e sotme banaliteti është më i përhapur se asnjëherë tjetër. T’i hedhim një sy peizazhit aktual politik të Kosovës:

Platforma më popullore në mediet sociale, Facebook-u, është e mbipopulluar nga profile të rreme. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkelur qëndrimet kryesore politike. Opozita duket se nuk ka qëndrim për asgjë. Narrativat politike e kanë të theksuar duhmën e rëndë fetare dhe dikotominë mes të mirës dhe të keqes. E kështu me radhë.

Në veçanti, një banalitet i madh vërehet në Kuvendin e Kosovës. Përtej fjalorit të ngushtë e tepër përsëritës, mesazheve të thjeshtuara e të tejthjeshtuara, deputetët kanë një mungesë alarmante idesh dhe kauzash vetjake, me idenë më popullore – përkundër që tmerrësisht joserioze - të kohëve të fundit atë të deputetit Bekim Haxhiu për tërheqjen e 30% të mjeteve nga TRUST-i.

Nuk mund të mos i japim të drejtë komunikatës së Vetëvendosjes të quajtur “Përfaqësimi në sanduiq” ku shkruhej si vijon:

“Përderisa në teatër e kinema bufeja është e mbushur me njerëzit që presin të hyjnë në sallë për të parë shfaqjen a filmin, nuk është aspak kështu në rastin e bufeve të Kuvendit të Kosovës. Aty, më parë mund të thuhet që deputetët presin në sallë pikërisht para se të shkojnë në bufe… Bufeja është edhe e vërteta e Kuvendit…

P S E?

Natyrisht, rrethanat që e lindën shtetin e Kosovës, vet shtetësia dhe rrethanat e tjera të jashtme si vogëlsia territoriale e papërgatitja arsimore e shoqërisë përbëjnë faktorë të dukshëm të gjithë këtij banaliteti.

Sidoqoftë, mund të ketë edhe të tjerë.

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Avdi Smajlaj, përmend edhe një term tjetër që s’na ka shkuar ndërmend: “papjekurinë politike”.

Papjekuria politike krijon vakum në rregullat e sjelljes e qëndrimeve politike,” – tha fillimisht ai.

Por, pse i gjithë ky banalitet nuk po përcillet edhe me irritim masiv, që do të nënkuptonte bojkotim masiv të zgjedhjeve apo protesta të formave të ndryshme?

“Qytetarët/votuesit si vleresues te sjelljeve e qendrimeve te politikaneve i kanë kriteret e ulta për toke. Ata mbështesin ose urrejnë. I ngjajnë një switcheri on/off të bazuar në emocione, jo një vlerësuesi që bën vlerësim në shkallë. Kjo mbështetje ose urrejtje bllanko u jep komoditet politikanëve të sillen si ata duan, përfshi edhe sjelljet banale, duke kalkuluar në mbeshtetjen bllanko nga qytetarët.”

Në anën tjetër, një prej gazetarëve dhe opinionistëve më me përvojë të vendit, Halil Matoshi është paksa më i ashpër në vlerësimin e banalitetit duke i lënë fajin narrativës dominante nacionaliste por edhe injorancës dë politikanëve:

“Retorikat etno-turbonacionaliste në kohë paqje dhe në shtetin si projekt ndërkombëtar, fodullëku në pushtet, injoranca klasike (Qeveritë dhe legjislaturat mbushën me njerëz analfabetë funksionalë që mezi dijnë shkrim-lexim)...” – shprehet ai.

Deri më tash, nuk ka shumë shpresë për pavarësim nga banaliteti i përditshëm që ka kapluar politikën kosovare edhe pse nuk mungojnë thirrjet për një gjë të tillë.

“Në një kontekst me zhvillim mesatar shoqëror e ekonomik, sjelljet e qëndrimet banale, më së paku do të kushtonin me ulje të autoritetit të politikanëve duke dalë shumë qesharak, e rrjedhimisht edhe jo të besuar.” –tha më tej z. Smajljaj.

Sidoqoftë, një formë proteste po ndodh e ka ndodhur vazhdimisht nga kosovarët prej pasluftës e këndej: ikja prej vendit. Vetëm në katër muajt e parë të këtij viti janë regjistruar mbi 200 mijë aplikime për viza pune në Gjermani. Ndërkohë, sfera publike vazhdon të jetë krejtësisht shterpe dhe e ndotur duke bërë një depolitizim aktiv jo vetëm të qytetarëve të thjeshtë por edhe të vet atyre që quhen politikanë.

*Ky shkrim përmban qëndrime personale të autorit.

Lajme të ngjashme