Çka është NATO? - NACIONALE

Çka është NATO?

1 vit më parë

nga NACIONALE

NATO është një organizatë e krijuar në vitin 1949, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe disa vende të Evropës Perëndimore. Kjo organizatë është themeluar nga Traktati i Atlantikut Verior, ose i njohur edhe si Traktati i Washingtonit.

Kjo organizatë, pikësëpari, pati synim të krijojë një kundërpeshë përballë ushtrive Sovjetike, tanimë të pozicionuara thellësisht në Evropën Qendrore dhe Lindore, pas Luftës së Dytë Botërore.

Kësisoj, qëllimi i kësaj organizate ishte t’i ofrojë siguri vendeve Evropiane përballë Bashkimit Sovjetik. Për më tepër, nëpërmjet krijimit të NATO-s, vendet udhëheqëse synuan të paraqesin një alternativë përballë zgjerimit të Bashkimit Sovjetik, në zonën Evropiane.

Vendet e para nënshkruese të këtij traktati ishin: SHBA, Belgjika, Mbretëria e Bashkuar, Kanada, Danimarka, Franca, Islanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Portugalia. Ky numër vazhdoi të rritej, derisa erdhi në 30 numri me pranimin e fundit në NATO, të Maqedonisë Veriore, në 2020.

Në zemër të Traktatit themelues qëndron Neni 5, nëpërmjet të cilit shtetet nënshkruese pajtohen rreth këtij përfundimi:

Një sulm i armatosur mbi një ose disa nënshkrueset në Evropë ose Amerikë Veriore, duhet të konsiderohet si sulm kundër të gjithë anëtareve; dhe rrjedhimisht ato janë pajtuar, që nëse një sulm i armatosur ndodh, secila nga ato, në ushtrimin e së drejtës së vetëmbrojtjes individuale ose kolektive të njohur nga neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, do të ndihmojë palën ose palët e sulmuara duke ndërmarrë menjëherë, individualisht dhe në lidhje me palët tjera, aksione, siç e vlerëson të duhur, duke përfshirë edhe përdorimin e forcës së armatosur, që të rikthejë dhe të mbajë sigurinë në zonën e Atlantikut Verior.

Nëpërmjet një formulimi të tillë, vendet që iu bashkuan këtij traktati, e bënë të mundur bashkimin e gjithave në një entitet vetëmbrojtës.

Zhvillimi i NATO-s

NATO pas themelimit i shërbeu misionit të shpjeguar më lart. Ajo përveç një platforme alternative karshi rendeve komuniste që po zgjeroheshin me shpejtësi, paraqiti një forcë ushtarake të gatshme për të ndërhyrë në vende të ndryshme.

Nëse nënshkrimi i Traktatit të Atlantikut të Veriut kishte themeluar këtë institucion, ai nuk ia doli të krijojë një strukturë ushtarake brenda këtij që do të mund të koordinonte në mënyrë efektive veprimet e organizatës.

Një ngjarje që ndikoi në një organizim më të mirë të NATO-s ishte Lufta Koreane, e filluar në vitin 1950. Shpjeguar më ndryshe, përpjekja për zgjerim të forcave komuniste në Gadishullin Korean, nxiti që vendet anëtare të NATO-s drejt një organizimi më të denjë të forcave të armatosura për çfarëdo rezistence të mundshme.

Pas kësaj ngjarje, mund të thuhet se organizimi brenda organizatës ishte drastikisht më i detajshëm. NATO shpejtazi fitoi një strukturë drejtuese të konsoliduar, me një Shtab Ushtarak me bazë në periferinë e Parisit. Ky ishte Shtabi Suprem i Fuqive Aleate në Evropë, me gjeneralin amerikan Dwight D. Eisenhower që po shërbente si Komandanti i parë Suprem i Aleatëve në Evropë. Menjëhershëm, aleatët krijuan një sekretariat të përhershëm civilm me vendqëndrim në Paris dhe emëruan Sekretarin e parë të Përgjithshëm të NATO-s, atëbotë Lord Ismay, të ardhur nga Mbretëria e Bashkuar.

Mirëpo historiku i NATO-s nga themelimi deri tek shembja e rendeve komuniste gjatë viteve 90, nuk duhet të kuptohet vetëm nga prizmi i rendit dypolar botëror – meqenëqë marrëdhëniet në mes këtyre dy blloqeve pas ardhjes krizës së Kubës dhe rrezikut që kanoste, më saktësisht, pas ardhjes në pushtet të Leonid Brezhnev, pësuan një ndryshim përmbajtësor.

Marrëdhëniet mes NATO-s dhe “Paktit të Varshavës” ose bllokut komunist, në periudhën kur Leonid Brezhnev po qeveriste brenda sferës sovjetike, kishin lëvizur nga akte aktive të rezistimit, të quajtura mbrojtëse, tek periudha e zbutjes së marrëdhenieve ose “detente”, që zgjati deri në 1979 kur Bashkimi Sovjetik ndërhyri në Afganistan.

Pas dështimit të ndërhyrjes së Bashkimit Sovjetik në Afganistan dhe vdekjes së Brezhnevit, me ardhjen e Gerbachovit në pushtet, raportet u rikthyen në një gjendje thuajse paqësore, kjo edhe për arsyen se bota sovjetike po tregonte shenjat e para të kollapsit – shenja këto që u materializuan në procesin e shpërbërjes së tërë Bashkimit Sovjetik, në fillim të viteve 90-ta.

Raportet Kosovë-NATO

Marrëdhëniet e NATO-s dhe Kosovës janë të pazakonta, rrjedhimisht jo lehtë për t’i qartësuar. Mbase kjo për motivin, se NATO mori një përgjegjësi të tillë për të ndërhyrë si palë luftuese në një luftë në mes dy vendeve, grupeve ose entiteteve, me arsyetimin e bazuar se akti në fjalë do të ndalonte spastrimin etnik të njerës palë nga tjetra, në këtë rast të shqiptarëve të Kosovës, nga forcat shtetërore serbe.

Para këtij veprimi, NATO kishte qartësuar qëndrimin e saj se do të ndërhynte në këtë konflikt, duke mbështetur atë në fakte evidente.

Pas dështimit të përpjekjeve intensive ndërkombëtare për të arritur tek zgjidhja e krizës, NATO filloi një fushatë sulmesh ajrore për 78 ditë, me ç'rast kreu afërsisht 38 000 fluturime me qëllim që të bënte të mundur vendosjen e një forcë paqeruajtëse shumëkombëshe në Kosovë dhe të ndalonte spastrimin etnik në rajon.

Më 4 qershor 1999, NATO përfundoi fushatën e saj ajrore pasi ishte siguruar se një tërheqje e ushtrisë serbe nga Kosova kishte filluar. Pas kësaj, vendosja e Forcës së Kosovës të udhëhequr nga NATO (KFOR) pasoi menjëhershëm.

Sot, trupat e KFOR-it janë ende të dislokuara në Kosovë për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga origjina e tyre etnike.

Ma kalimin e kohës dhe ndërtimin e institucioneve të reja gjithëpërfshirëse të Kosovës, prania e NATO-s në pjesën më të madhe të Kosovës, mbeti e panevojshme, kështu që trupat e NATO-s sot janë vendosur në disa lokacione të caktuara, kryesisht të banuara nga pakicat, më qëllimin e ofrimit të sigurisë për këto grupe etnike.

Përgaditi: Arbër Thaci

Lajme të ngjashme