Çka është Ballkani i Hapur? - NACIONALE

Çka është Ballkani i Hapur?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Çështja e Ballkanit të Hapur është mes temave më të nxehta në debatin publik në Kosovë, megjithëse i gjithë spektri politik është i rreshtuar kundër. Por, çka është Ballkani i Hapur?

Dita e Parë

Tetori i vitit 2019 ishte pika e kthesës në historinë e Ballkanit Perëndimor. Gjithçka filloi në Novi Sad pas një takimi të tre kryeministrave nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Fillimisht nuk treguan pse po takohen Rama, Vuçiq dhe Zaev, por më pas thanë se mbledhja pati karakter ekonomik.

U zotuam për zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve”, thanë kryeministrat. E më pas e quajtën “Mini-shengen”.

Ndërkohë që tri shtete të tjera, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, qëndruan skeptike rreth kësaj nisme.

Pati arsyetime të ndryshme, por më së shpeshti përmendej “minimi i Procesit të Berlinit”. Ndërkohë takimin e radhës në Ohër, ish-presidenti Thaçi e kishte refuzuar për disa arsye. Pos ‘minimit’, Thaçi ishte prekur që s’kishte marrë ftesë në Samitin e Parë, dhe e fundit pati të bëjë me faktin se Bosnja dhe Serbia nuk e njohin Kosovën, andaj sipas Thaçit kjo s’mund të tejkalohej.

Ndërsa Albin Kurti, kandidat për kryeministër atëkohë, thoshte se Rama bëri gabim në hapa lidhur me nismën rajonale “Mini-shengeni” ballkanik.

Ndërkohë që Rama i bënte thirrje Kosovës t’i bashkëngjitet kësaj nisme të re ballkanike.

Marrëveshja e Uashingtonit e obligon Kosovën t’i bashkohet “mini-shengenit”

Kryeministri kosovar Avdullah Hoti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq u ulën anash Trumpit, sikur mësuesi kur do t’i pajtojë dy nxënës që ishin kacafytur mes vete.

Të dy nënshkruan një marrëveshje zotuese, ku një ndër zotimet e Kosovës ishte se do t’i bashkohet “mini-shengenit” ballkanik.

Sipas Marrëveshjes së Uashingtonit, mundësohet mes tjerash edhe zbatimi i lirisë së ofrimit të shërbimeve duke garantuar lëvizshmërinë e bizneseve dhe profesionistëve brenda shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Mini-Schengeni po ashtu kërkon eliminimin e barrierave tregtare mes shteteve që kanë ndodhur përgjatë viteve.

Edhe pse Kosova u zotua se do t’i bashkohej kësaj nisme, asnjëherë nuk mori pjesë në samite të organizuara nga shtetet anëtare.

Kjo sepse nuk vonoi gjatë dhe Hoti u rrëzua nga pushteti përmes vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e në anën tjetër kryeministri i ri, Albin Kurti, mbeti kundërshtari më i madh i kësaj ideje.

'Mini-Shengeni' pagëzohet "Open Balkan"

Në takimin e radhës të shteteve anëtare, ‘minishengeni’ ballkanik u pagëzua me emrin Ballkan i Hapur.

Vazhdimisht, kundërshtuesit e kësaj ideje e krahasonin Ballkanin e Hapur me Jugosllavinë.

E pasi që Rama edhe njëherë e ftoi Kosovën të bashkëngjitet, tha se “nëse BE-ja është një Jugosllavi e madhe, atëherë kjo nismë do të ishte një Jugosllavi e vogël...”.

Bashkimi Evropian dhe Këshilli Evropian mbështesin Ballkanin e Hapur

Merkel në shtatorin e vitit të kaluar vizitoi disa vende të Ballkanit Perëndimor, por jo Kosovën. E derisa ishte në Shqipëri, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, kancelarja gjermane tha se BE-ja mbështet Ballkanin e Hapur.

Duke folur për Procesin e Berlinit, ajo tha se “shumë gjëra kanë ndryshuar në drejtimin e bashkëpunimit” dhe se ky proces “nuk ka dështuar”.

“Përshëndes edhe projektin e tregut të përbashkët rajonal me katër marrëveshjet, edhe pse jo të gjithë janë duke bashkëpunuar. Sot kemi rënë dakord që sa më shumë të bashkëpunoni aq më i fuqishëm do të jetë Procesi i Berlinit”, tha kancelarja Merkel.

Në më pak se dy javë, edhe Këshilli Evropian doli në përkrahje të Ballkanit të Hapur, pasi presidentja Von der Leyen tha se iniciativat e tilla bashkëpunuese mirëpriten.

“Mendoj që po shohim ecurinë ekonomike dhe thellimin e marrëdhënieve ekonomike, si edhe tregun e përbashkët rajonal. Mendoj se procesi i Berlinit po e shtyn procesin e integrimit para, si kuadër në të cilin 6 vendet e rajonit do të përfitojnë. Çdo iniciativë që është brenda procesit të Berlinit dhe që sjell bashkëpunimin, mirëpritet prej nesh”, tha Von Der Leyen.

Ballkani i Hapur – Projekt “amerikano-rus”

Marrëveshja e Uashingtonit e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë i tregoi Kosovës se aleati më i madhi i saj, SHBA-ja, e përkrah këtë nismë. Por, përveç saj, edhe Gabriel Escobar publikisht është deklaruar pro kësaj nisme.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha publikisht se SHBA-ja mbështet të gjitha iniciativat që bëjnë bashkë shtetet në aspektin ekonomik.

“Ne mendojmë se bashkëpunimi më i afërt ekonomik, jo vetëm se ka nisur të ndodhë, por edhe do të ndodhë. Liderët e tri shteteve që kanë krijuar iniciativën Ballkani i Hapur, na kanë siguruar se ajo është e hapur për të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.”

Në anën tjetër, edhe Rusia e ndan të njëjtin qëndrim lidhur me këtë çështje, ama idenë e Ballkanit të Hapur, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ia atribuoi Serbisë.

“Shihet qartë se zyrtarët e Brukselit nuk kanë dashur që ne të konfirmojmë pozicionin tonë për Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, dhe të shprehim përkrahjen për iniciativën e Beogradit ‘Ballkani i Hapur’”, ka thënë Lavrov.

Kosova e vetme kundër Ballkanit të Hapur

Derisa Kosova nuk po ha llaf, zgjedhjet e reja në Mal të Zi dhe në Bosnje e Hercegovinë po prodhojnë njerëz të ri në krye të shtetit, që janë të gatshëm ta dëgjojnë SHBA-në, kur ua bën me dije të futen në Ballkan të Hapur.

Kryeministri i ri në Mal të Zi, Dritan Abazoviq, u ftua nga Vuçiq për të marrë pjesë në samitet që organizojnë shtetet anëtare të Ballkanit të Hapur. Abazoviq pranoi.

"Personalisht mendoj se çdo iniciativë rajonale e cila mundet të përshpejtojë integrimet evropiane, jo vetëm të Malit të Zi por krejt rajonit, është diçka që ne duhet të pranojmë. Në anën tjetër, nëse dikush dëshiron të zëvendësojë integrimet evropiane, ne nuk jemi te interesuar. Por, unë ende nuk e kam dëgjuar një argument të vlefshëm që Ballkani i Hapur nuk është i mirë për Malin e Zi", ka deklaruar Abazoviq.

E ngjashëm pritet të ndodhë edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Këtë e thotë ish-kreu i VV-së, Visar Ymeri, ku ndër tjerash tha se në BE shkohet përmes integrimit rajonal.

“Mendoj se edhe këtu po çalojmë shumë dhe po humbim shumë. E keni parë se prej se ka ardhur qeveria e re në Malin e Zi janë shtuar zërat që është çështje kohe derisa Mali i Zi të bëhet pjesë e Open Ballkan. Në Shqipëri kanë filluar të flasin që qysh pas zgjedhjeve në Bosnjë, kurdo që të mbahen, me një qeveri të re të Bosnjës edhe Bosnja do të bëhet pjesë e Open Ballkan. Nëse kjo ndodh, atëherë vetëm Kosova mbetet vend i paintegruar”, ka thënë Ymeri në një debat të organizuar nga KDI.

Kosova e kundërshton 'Ballkanin e Hapur' shkaku i Serbisë, por ekonomia e saj varet nga Serbia

Në rrafshin ekonomik, statistikat tregojnë se Kosova më shumë varet nga Serbia, sesa kjo e fundit nga ne.

Nëse marrim referencë shifrat e vitit 2018, ku s’kishte tarifë, reciprocitet dhe pandemi, Kosova eksportonte 389 milionë euro drejt Serbisë.

Krahasuar me shtetet e tjera të CEFTA-s që Kosova u eksporton mallra dhe shërbime, del se 9.1% e mallrave kosovare shiten në Serbi. Edhe më shqetësues është fakti se ky numër çdo vit po shkon duke u zvogëluar.

Në anën tjetër, Serbia gjatë vitit 2018 ka eksportuar 13.6 miliardë dollarë drejt këtyre vendeve, sipas China-cee.eu.

Kur krahasojmë shifrat del se ekonomia e Serbisë nuk varet nga ajo e Kosovës, sepse vetëm 2.9% e mallrave të Serbisë eksportohen drejt Kosovës.

Lajme të ngjashme