Deklarohet deputeti Shkreta të cilit ia vodhën 50 mijë euro: Po sulmohem padrejtësisht - NACIONALE

Deklarohet deputeti Shkreta të cilit ia vodhën 50 mijë euro: Po sulmohem padrejtësisht

1 vit më parë

nga NACIONALE

Deputeti i Vetëvendosjes, Mirsad Shkreta ditë më parë kishte raportuar në polici për vjedhjen e 50 mijë eurove në banesën e tij.

E pas këtij lajmi, Shkreta ka reaguar për herë të parë duke thënë se është duke u sulmuar padrejtësisht. Madje sipas tij kjo vjedhje po merr kah tjetër, duke e sulmuar atë dhe penguar sistemin e drejtësisë për të zbardhur vjedhjen.

“Ashtu siç e thotë ligji, njoftuam organet e policisë dhe të drejtësisë dhe, konform kërkesave të tyre, ofruam bashkëpunim pa bërë prononcime publike, në mënyrë që këto organe të bëjnë punën e tyre të pavarur në drejtim të kapjes sa më të shpejtë të keqbërësve. Por e njëjta nuk u respektua nga disa qarqe, të cilët, përveç që po na sulmojnë padrejtësisht, po kujdesen që të mos flitet për vjedhjen dhe aktin e rëndë të rrezikimit të sigurisë së një familje me dy fëmijë të vegjël”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje Shkreta ka shtuar se ky rast nuk ka të bëjë asgjë me deklarimin e pasurisë së tij, pasi që këtë obligim e ka përmbushur sipas ligjit.

E PËRDITËSUAR (11:40)

Agjencia Kundër Korrupsion flet për Nacionale: Çka do të ndodh me deputetin e VV-së, Mirsad Shkreta?

Agjencia Kundër Korrupsion ka folur për rastin e vjedhjen e 50 mijë eurove deputeti të Vetëvendosjes, Mirsad Shkreta.

AKK ka bërë të ditur nëse vërtetohet se paratë e vjedhura janë mbajtur kesh nga viti i kaluar mund të konsiderohet si shkelje.

Për sa i përket pyetjes tuaj mund të themi se: Fillimisht, më vjen shumë keq që një zyrtar i lartë i Kosovës ka qene viktimë e krimit. Se dyti, raporti i dorëzuar përmes formularit të pasurisë nga deputeti e mbulon periudhën kohore 1 janar-31 dhjetor 2021, ndërsa ngjarja që ju keni permendur ka ndodhur në fund të qershorit 2022, rrjedhimisht krahasimi mund të mos jetë i drejt. Raportimi për pasurinë, të hyrat etj bëhet në vitin 2023. Së treti, në rast që mund të vërtetohet qe të hollat janë mbajtur kesh nga viti i kaluar, dhe nuk janë raportuar, mund të konsiderohet shkelje", ka thënë drejtori mDrejtor i Agjencisë kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj.

Shkreta aspak i shkretë: Mbi 100 mijë euro para të gatshme në banka

Deputeti i Vetëvendosjes, Mirsad Shkreta, është pak i zëshëm në Kuvendin e Kosovës, por tani u bë i njohur edhe më shumë. Shkretës iu vodhën 50 mijë euro para të gashtme dhe 10 mijë euro vlerë e arit.

Mbi 50 mijë euro para të padeklaruara dhe ari në vlerë 10 mijë euro, thuhet se janë vjedhur nga shtëpia e deputetit dhe shumën e parave dhe arit e ka deklaruar vet Shkreta në polici.

Ai ka thënë se krejt kjo shumë e parave nuk ka qenë e tij por edhe baxhanakut të tij.

Por sa është pasuria e tij?

Shkreta merr tri paga nga tri vende të ndryshme të punës.

Prej krejt kësaj, Shkreta në Agjencinë Kundër Korrupsion ka deklaruar pasuri të paluajtshme, katër lokale afariste, një shtëpi dhe një banesë. Vlera e tyre kap shifrën e afër 500 mijë eurove.

Pasuri të luajtshme, Shkreta ka deklarua dy vetura, njëra me vlerë 25 mijë euro.

Po ashtu, deputeti i VV-së ka deklaruar se posedon aksione 50 për qind në Integrident që është në bashkëpronësi me bashkëshorten e tij.

Ndërkaq deputeti që u vodhën 50 mijë euro, ka deklaruar se para të gatshme në banka ka rreth 100 mijë euro në pronësi të tij dhe bashkëshortës.

85 mijë euro para të gatshme ka deklaruar se ka në bankën TEB ndërsa mbi 16 mijë në një bankë në Ferizaj që janë në emër të tij.

Shkreta thotë se ka edhe dy kredi që kapën vlerën e 100 mijë eurove.

Ndërkohë, lajmi për vjedhjen e 50 mijë eurove nuk u raportua fare në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Nacionale ka pyetur Policinë e Kosovës, mirëpo deri më tani nuk ka pranuar përgjigje.

Në anë tjetër zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, ka thënë se për rastin e vjedhjes së 50 mijë eurove janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore.

Rastit te cilit ju keni referuar, ju njoftojme se me urdher te prokurorit kujdestar eshte iniciuar rast ne drejtim te vepres penale "Vjedhja e rende", si dhe ne koordinim me policine jane duke u ndermarre te gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qellim te ndriçimit te gjitha rrethanave te kesaj çeshtjeje penale. Rasti eshte ne hetime.”, ka thënë ajo për Nacionale.

Për më tepër, Nacionale ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Agjencia Kundër Korrupsion për të kuptuar nëse deputeti Shkreta nuk ka deklaruat pasurinë sipas ligjit në fuqi, mirëpo as kjo Agjenicë nuk ka qenë e qasshme në thirrjet e gazetës.

Përndryshe deputeti Shkreta ishte dënuar edhe më parë për mos deklarim të pasurisë gjatë kohës sa ishte asamblist i VV-së në komunën e Hanit të Elezit.

E deklarata e Shkretës se paratë janë edhe të baxhanakut nxiti reagime në rrjetet sociale.

Për rastin në fjalë kanë reagur edhe shumë analsitë.

Lajme të ngjashme