Drejtorët e shkollave përplasin Shaqir Totajn me Zafir Berishën, opozita në Prizren me kritika të ashpra - NACIONALE

Drejtorët e shkollave përplasin Shaqir Totajn me Zafir Berishën, opozita në Prizren me kritika të ashpra

1 vit më parë

nga NACIONALE

Koalicionet në kuvende komunale zgjasin e shkojnë mirë deri në momentin kur hyn në lojë: interesi.

Ky i fundit po duket të jetë faktor i përplasjes mes kreut të komunës së Prizrenit, Shaqir Totajt e Zafir Berishës.

Madje, u raportua se Berisha kërcënoi të parin e komunës me fjalët: “Kam me të ngreh zhag”.

Përkundër faktit se kryetari i Nismës Socialdemokrate në kryeqytetin historik i mohoi këto akuza, Policia e Kosovës, gjegjësisht zëdhënësi për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, ka shpalosur detaje, duke shtuar se një qytetar me inicialet Z.B ka kanosur kreun e komunës.

“Me datën 25.06.2022,viktima ka raportuar rastin ne polici se ka qenë I kanosur përmes telefonit nga një I dyshuari Z.B për tre dite . Pas pranimit të informatës viktima është intervistuar lidhur me kete rast, është njoftuar prokurori kujdestar I cili ka dhënë urdhër qe te intervistohet I dyshuari ne cilësinë e të dyshuarit . Hetuesit nga Sektori i Hetimeve Rajonale e ka shoqëruar te dyshuarin,eshte intervistuar dhe pas intervistimit I dyshuari lirohet ne procedure te rregullt.Në konsultim me Prokurorin Kujdestar, iniciohet rasti KANOSJE. Rasti është duke u hetuar nga njësiti Hetimeve rajonale ne Prizren”, thuhej në përgjigjen e policisë për Nacionalen.

Në mëngjes, Nacionale tentoi të flasë me Totajn, por me këtë të fundit që nuk ishte i qasshëm.

Në anën tjetër, ‘Zafa’, mbrëmë, duke shfrytëzuar rrjetin social “Facebook” ironizoi paksa, duke mohuar zërat që po qarkullojnë.

“Pasi disa sms që më prishën koncentrimin në një filmi shumë intetesat, desha ti pyes konspiracionistët dhe ata që “marrin vesh” në “ lajme për lice”, a ka edhe ndonjë rren pa dalën në adres time a jo?

Nëse ka, le ti “zbulojn” para se me ik në pushime, se po më duket sivjet edhe detin kanë vendos mos me më lën me shiju si duhet”, ka shkruar Berisha.

Kujtojmë se e gjithë kjo përplasje filloi pas emërimeve të drejtorëve e zëvendës-drejtorëve të shkollave.

Lidhur me këtë, Gazeta Nacionale ka kontaktuar me zëdhënësen e komunës së Prizrenit, Jona Hoxhaj.

Hoxhaj tha se përzgjedhja e tyre është bërë në mënyrë të rregullt dhe sipas ligjeve në fuqi.

“Përzgjedhja e drejtorëve dhe zv.drejtorëve është bërë në mënyrë të rregullt sipas ligjeve në fuqi, nga një komision i votuar nga Kuvendi i Komunës së Prizrenit, me pjesëmarrje nga shoqëria civile, ministria e Arsimit dhe DKA-ja. Për më tepër procesi ka qenë i hapur për monitorim, janë ftuar mediat dhe është ndjekur nga shoqëria civile dhe këshilli i prindërve”, tha fillimisht ajo.

Tutje, Hoxhaj, shtoi se duke u bazuar në rregullsinë e procedurave, e etiketon si njërin prej proceseve më të hapura për publikun nga ata që janë kryer në qeverisjen lokale në Prizren.

“Proces transparent, i bazuar në procedura të rregullta dhe e konsiderojmë si një ndër proceset më të hapura për publikun që ka ndodhur ndonjëherë në qeverisjen lokale në Komunën e Prizrenit”, përfundoi Hoxhaj.

Kritika për këtë proces pati edhe nga opozita.

Asamblisti i VV-së, Faruk Tahiri, në një prononcim për Nacionalen tha se dy vitet e fundit, për shkak të mungesës së komisionit për përzgjedhje, shkollat e këtij qyteti operojnë me ushtrues detyre. Përveç kësaj, Tahiri kritikoi PDK-në, pasi sipas tij, PDK në Prizren, sa ishte në opozitë e kritikonte komisionin që e themeloi vet, komision ky që kishte për detyrë përzgjedhjen e drejtorëve.

“Po e ke pa postimin, nga përzgjedhja e drejtorëve dhe zv. drejtorëve të shkollave në Prizren. Për shkak të mungesës së komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve ka më shumë se dy vite që shkollat në Prizren funksionojnë me ud. të drejtorave. Pasi që në pushtet vjen PDK dhe e merr shumicën e asamblesë në Prizren e voton komisionin i cili për detyrë e ka zgjedhjen e drejtorëve dhe zv. drejtorëve të shkollave, të cilin komision e kishin bojkotuar për dy vite, sa kanë qenë në opozitë në Prizren”, tha fillimisht Tahiri.

Tutje, ai dha detaje të tjera, ku potencoi faktin që në shkollat ku ka pasur kandidatë që nuk i kishin plotësuar kriteret, të njëjtët janë anuluar, ndërsa në ato shkolla ku i plotësuan, u vazhduan procedurat.

“Fillimisht konkursi është hapur për shumicën e shkollave sipas afateve të parapara me UA mirëpo për shkak se një numër i madh i kandidatëve nuk i kanë plotësuar kriteret për e parapara me UA 151/2020 në 25 shkolla është anuluar konkursi, kurse në shkollat ku i kanë plotësuar kriteret ka vazhdu procedura e intervistimit të kandidatëve”, vazhdoi Tahiri.

Në fund fare, ai tha se përkundër faktit se ka qenë i hapur për publikun si proces, kur janë mësuar emrat, iu shtuan dyshimet se i njëjti proces ka qenë i përgatitur paraprakisht.

“Procesi ka qenë i hapur edhe për shoqërinë civile edhe për ne si Kuvendar që të vëzhgojmë nga afër intervistat edhe pse në dukje të parë të jep përshtypjen se gjithqka është në rregull dhe po ndiqen procedurat, megjithatë pas publikimit të rezultateve kam dyshime se i tërë procesi ka qenë i përgatitur paraprakisht sepse pothuajse të gjithë kandidatët e përzgjedhur janë të partisë në pushtet apo të partnerëve të koalicionit. Pra Pdk në Prizren edhe transparencën e ka të kontrolluar tmerr”, përfundoi Tahiri.

Momentalisht, koalicioni qeverisës në Prizren duket të mos jetë në momentin më të mirë, kurse mbetet të shihet sesi do të rrjedhin gjërat ditëve në vijim.

/Nacionale/

Lajme të ngjashme