Episodi V i Ditarit të Buzhalës: PRESIDENTJA E NJË NJERIU - NACIONALE

Episodi V i Ditarit të Buzhalës: PRESIDENTJA E NJË NJERIU

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në episodin e V të Ditarit të Buzhalës, tematizohet presidenca e Vjosa Osmani-Sadriut nën dritën e një fotografie në të cilën i ishte prerë gjysma e fytyrës kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama.

Ky episod është titulluar “Presidentja e një njeriu” dhe problematizon mungesën e përfaqësimit nga ana e presidentes Osmani. Autori Buzhala konsideron që ka mungesë të përfaqësimit të pakicave politike, etnike e seksuale – ndër tjerash – nga ana e presidentes Osmani, dhe për një gjë të tillë jep një shkak të kudovërejtshëm.

Bëhet fjalë për atë që quhet “militantizëm” në favor të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

“Vjosa mendon, qysh kish mendu Albini në këtë situatë”, thotë Buzhala në këtë episod.

Episodi nis me nenin 83 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që tregon se presidenti i vendit duhet të përfaqësojë unitetin e vendit. Autori konsideron që Osmani përfaqëson pikërisht të kundërtën e unitetit, duke qenë e rreshtuar krejtësisht kah kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Përveç kësaj, aty përmendet edhe mungesa e vetëbesimit politik nga ana e presidentes, përkundër që është votuar me praninë e 80 deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

“Presidentja po vepron si një zyrtare e thjeshtë e shtetit, a si një zëvendëskryeministre, jo si presidente!”, konstaton më tej gjatë monologut të tij, gazetari Buzhala.

Po ashtu, në episodin e ri shprehet edhe çështja e raporteve jo të mira me Republikën e Shqipërisë për shkak të inateve politike të Kurtit me kryeministrin shqiptar, Edi Ramën, e ku në lojë është futur edhe Vjosa Osmani si militante e të parit.

Por, njëkohshëm denoncohen edhe heshtjet e presidentes Osmani në lidhje me problemet më madhore të shoqërisë kosovare si dyqind mijë aplikimet për viza pune në Gjermani, rritja alarmante e çmimeve të konsumit, rritja e çmimit të naftës, gjykimi në Hagë i ish-liderëve të UÇK-së, dhe të tjera.

Ju ftojmë të ndiqni emisionin e plotë që e gjeni të bashkëngjitur me këtë artikull.

Lajme të ngjashme