Kryeministrit Kurti 'i ra hillti' në Oqeanin Atlantik - NACIONALE

Kryeministrit Kurti 'i ra hillti' në Oqeanin Atlantik

1 vit më parë

nga NACIONALE

Vizita e kryeministrit të Kosovës në Amerikë përbën një fiasko të paparë, edhe pse e paparë bukfalisht do të mbetet edhe për masat e gjera popullore. Por, ka një mësim që ai mund të nxjerr.

Takimet me përfaqësues të kompanive të teknologjisë së informacionit, me senatorë e kongresmenë, me dasmorë shqiptarë e të ngjashëm mund të kryheshin edhe prej ndonjë zyrtari më të ulët të shtetit. Bile, shumë më të ulët. Prej ndonjë zv. ministri apo prej ndonjë këshilltari të kryeministrit. Por jo, këto takime u desh të bëheshin prej kryeministrit sepse në këtë vizitë pati vetëm dy gjëra të rëndësishme: emri i kryeministrit dhe emri i shtetit që po vizitohej.

Pra, Albin Kurti u desh t’i ndante më shumë se dy javë nga koha e tij si kryeministër në mënyrë që t’ia dëshmonte opozitës, e me gjasë edhe vetes, se mund të udhëtonte matanë oqeanit.

H I LL T I

E gjithë kjo kohë e humbur për një kryeministër që veten e sheh aq të vetmuar në qeverisje sa e përshkruan si “punëtor me hillt” është tepër e madhe për një Qeveri që punon me hapa breshke dhe ku vendim-marrja është tepër e centralizuar. Albini pra, është bash ashtu siç e përshkruajti veten, punëtor me hillt, i cili kryen punë – për aq sa kryen - i pandihmuar prej të tjerëve. Krejt i vetëm.

Dhe, kjo kompetencë e ky hillt i njerëzve përreth kryeministrit ra në shprehje edhe gjatë kësaj vizite. Nuk mund ta fajësojmë vetëm kryeministrin Kurti për këtë fiasko kolosale. Për t’u fajësuar janë edhe njerëzit që e rrethojnë, domethënë ata të cilët janë marrë me anën teknike të përgatitjes së vizitës.

Takimi me kompanitë e teknologjisë informative mund të kishte qëllim të mirë, por ishte naiv e i pamenduar.

Në vend se të kishim një kryeministër pa plan që takonte përfaqësuesit e këtyre kompanive, duhej të kishim një zyrtar më të ulët publik, por me plan. Thithja e investimeve të jashtme direkte s’po ndodh në Kosovë jo për shkak të mungesës së dorështrëngimeve të investitorëve me kryeministra, por shkaku i mungesës së një strategjie serioze për thithjen e tyre dhe veçanërisht i mungesës së një klime të favorshme për investime. E mbi të gjitha, për shkak të jostabilitetit politik që e prodhon Serbia.

Shtëpia e Bardhë (e kuqe, e verdhë) që u bë e Zezë

Është evidente se kryeministri Kurti ka shpresuar të arrijë një takim të rëndësishëm në ShBA. Nëse jo presidenti Biden, atëherë zv.presidentja Kamala apo sekretari Blinken mund të gjenin kohë përgjatë gjashtëmbëdhjetë ditëve të qëndrimit të kryeministrit tonë.

Siç e thamë më lart, Kurti ka qenë në përgatitje të kësaj vizite prej vjeshtës së vitit të kaluar. Dhe kjo përgatitje nuk ka përfshirë veç anën logjistike por edhe një grumbull fjalimesh që korrigjonin qëndrimet e mëparshme të tij.

“Kur të na thotë Amerika kërceni, ne nuk pyesim pse por sa!” - është fjalia e Kurtit që shërben si tregues i kësaj përgatitjeje. Ajo as që mund të merrej me mend në kohën kur Kurti akuzonte kundërshtarët politikë se “i ishin nënshtruar Grenellit” apo kur luante me ngjyrat e Shtëpisë së Bardhë.

“Motori për rrëzimin e qeverisë (Kurti I) është marrëveshja e gatshme për shkëmbimin e territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kjo është në prapavijë, pra është pazar presidencial me e rrëzu këtë qeveri, por me mua kryeministër nuk bëhet marrëveshje. Dhe nuk ka marrëveshje as në Shtëpi të Bardhë dhe as në Shtëpi të Verdhë e as Shtëpi të Kuqe, me mua kryeministër.” – kishte thënë Albin Kurti derisa po rrëzohej nga pushteti herën e parë që e mori atë, në fund të marsit 2020.

Natyrisht, Kurti do të thotë se vizita në ShBA ishte e suksesshme por e vërteta është tjetër. Fajin për një gjë të tillë nuk e bën shkalla (pyesim sa) e nënshtrueshmërisë ndaj Amerikës, por mungesa e çfarëdo ideje serioze për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë. Nëse i del kundër politikave amerikane, është mirë të kesh me vete një ide të qartë e të fortë. Kjo u bë e qartë edhe nga Karen Donfried – shefja e Gabriel Escobarit – që i tha se status quo-ja i shkonte në të mirë vetëm Serbisë e Rusisë.

Kurti po i ndryshon qëndrimet e dikurshme përditë, dhe ky është fakt. Por, ajo që na duhet të kuptojmë është pse ky ndërrim qëndrimesh nuk po përkthehet në qëndrime të reja politike? Ky udhëtim matanë oqeanit do të duhej t'ia bënte të qartë kryeministrit realitetin e tij të ri, e të cilin duket se nuk po e sheh i përhumbur në mikromenaxhim ose në zhurmën e hilltit të tij. Ai nuk po refuzohet për shkak të qëndrimeve të tij, por që ai po refuzohet për shkak se nuk ka qëndrime! Ai nuk është i vetmi që po punon në qeverinë e tij me një hillt imagjinar; askush nuk po punon dhe hillti i paramenduar nuk ekziston!

Lajme të ngjashme