"A je lodhë o ministër", qytetarët tallen me Hekuran Muratin për çmimet e naftës - NACIONALE

"A je lodhë o ministër", qytetarët tallen me Hekuran Muratin për çmimet e naftës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një status i vitit 2018 i shkruar nga Hekuran Murati është bërë sot në mbrëmje viral. Atëbotë, analisti Murati kishte denoncuar çmimin prej 1 euro 20 centë të naftës për litër që shitej në pompat e Kosovës. E tash kur çmimi i naftës ka shkuar 1 euro e 90 centë, ministri Murati nuk ka kritikuar fare Qeverinë, ku ai shërben si ministër i Financave.

Por, me të kanë filluar të tallen kosovaret.

“Veç thash t’ju tregoj që nafta në Kosovë (përfshi akcizën dhe tatimet) po hynë në 0.90-0.95 euro/litër, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë assesi të bie nën 1,20 euro/litër”, kishte shkruar Murati vite më parë.

E më të është tallur Shkëlzen Dragaj, ish-këshilltar i ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Ai ka parafrazuar një thënie të hoxhës Shefqet Krasniqi, i cili mohonte deklarimet e tij të mëhershme, duke thënë se “kush ka thënë, unë kam thënë a?”.

“Kush ka thanë? Unë kam thënë a? Po çfarë t’thani o vlla!”, shkroi në postimin e tij në Facebook Drgaja.

Ndërsa qytetari Korab Zhugolli e ka etiketuar në një postim të tij Muratin, duke shtuar se po dëshiron t’i tregoj se nafta në Kosovë është bërë 1 euro e 90 centë.

Ndërsa Visar Dili e ka shpërndarë statusin e para katër viteve të Muratit, duke thënë nëse ka ndonjë gjë për të shtuar i pari i Financave.

Ndërsa, Agron Osmani i ka komentuar Muratit, duke i thënë se nafta është bërë 1 euro e 93 centë.

Një tjetër komentues e ka pyetur nëse është lodhur ministri.

“A je lodh ministër, krejt rahat? Shyqyr bre”, shkroi me sarkazmë qytetari Ylli Bojaxhiu.

Kujtojmë që kohëve të fundit është shtrejtuar shumë çmimi i naftës, teksa Shoqata e Naftëtarëve ka kërkuar heqjen e akcizës dhe të TVSH-së.

Javën e kaluar është mbajtur një mbledhje e rëndësishme e Naftëtarëve.

Ata përgatitën edhe një letër në formë reagimi, të cilin ia kanë dërguar kryeministrit Albin Kurti.

Në atë reagim thuhej se naftëtarët janë kundër vendimeve arbitrare që kanë për qëllim dëmtimin e industrisë së naftës dhe jo mbrojtjen e konsumatorit.

Qeveria, nëse me të vërtetë është e interesuar të mbrojë konsumatorin, do të ishte e pritshme të reagonte njëlloj me Qeveritë e vendeve të rajonit dhe BE-së, nëpërmjet uljes së akcizës dhe/ose TVSH-së për produktet e naftës”, thuhej në reagim.

Tutje, aty theksohej se për shkak të inflacionit të përgjithshëm, industria e naftës është duke u përballur me rritje enorme të kostove, përfshirë pagat, normat e interesit, shpenzimet e mirëmbajtjes, etj.

Por, siç ka shkruar ditë më parë Nacionale, djali i kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve punon në hiç më pak se Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, derisa raporti mes kryenaftëtarit dhe kryeministrit nuk mund të ishte më i çuditshëm.

Dillon Berjani tashmë del se punon në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës. Babai i tij është Fadil Berjani, një tregtar i famshëm i naftës që mban po ashtu edhe funksionin e përfaqësimit të interesave të tregtarëve tjerë në rolin e kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve.

Dilloni ka deklaruar në AKK 10 mijë euro para të gatshme dhe një shtëpi në vlerë të 250 mijë eurove (jo në pronësi të babait, por në pronësi të tij).

Lajme të ngjashme