Kurti në Këshillin e Atlantikut: Millosheviqi s'e pyeste kurrë Vuçiqin edhe pse e kishte ministër - NACIONALE

Kurti në Këshillin e Atlantikut: Millosheviqi s'e pyeste kurrë Vuçiqin edhe pse e kishte ministër

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë në Qendrën Evropiane të Këshillit të Atlantikut gjatë ditës së mërkurë. Në këtë bisedë, ai ka ndarë disa fjali që tingëllojnë mjaft problematike dhe që mund të shenjojnë ndërrimin e strategjisë së tij në dialogun me Serbinë.

Kurti sot pritet të përfundojë vizitën e gjatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, edhe më e gjatë se kjo vizitë ishte denoncimi që i bënte presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit, në lidhje me të kaluarën e tij si ministër i Informacionit/Propagandës gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Ai këto akuza i kishte bërë madje edhe pas takimeve që mbaheshi në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Por, një deklaratë të re ai e ka dhënë në Këshillin e Atlantikut (Atlantic Council).

“E dimë shumë mirë që presidenti i Serbisë ishte ministër i Informacionit në kohën e Millosheviqit. Por, mund ta marr me mend se Millosheviqi kurrë s’e ka pyetur Vuçiqin. Prandaj, s’duhet të jetë e vështirë për Vuçiqin që ta distancojë veten nga Millosheviqi, i cili kurrë s’e pyeste.” – thotë kryeministri Kurti.

Problematika

E gjithë kjo tingëllon problematike sepse në mënyrë të qartë e amniston presidentin e Serbisë nga të bëmat e regjimit të Millosheviqit në luftërat e viteve ’90, e në veçanti në luftën e Kosovës.

Sipas këtij qëndrimi, Vuçiq edhe pse ministër i Informacionit në atë kohë, nuk është pyetur nga shefi i tij dhe për këtë arsye nuk ka faj në veprimet e asaj kohe.

Kjo deklaratë vjen pas takimit joformal/darkë që u mbajt në Berlin mes Kurtit, Vuçiqit dhe ndërmjetësuesit Mirosllav Lajçak.

Kryeministri nuk ka raportuar fare në Kuvendin e Kosovës në lidhje me diskutimet që ka pasur në atë takim joformal, përkundër që për veprime të ngjashme nga kryeministrat e mëhershëm shprehej shumë kritik në të kaluarën.

Ky ndryshim qëndrimi nga Kurti mund të arsyetohet si një taktikë për ta bindur presidentin aktual të Serbisë që të distancohet nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit në të cilin bënte pjesë.

“Ka hapësirë mbi të cilën presidenti i Serbisë mund të ecë (drejt njohjes së Kosovës), por ai po refuzon që ta bëjë një gjë të tillë.” – u shpreh më tej kryeministri.

Duhet përmendur se një nga deklaratat më shqetësuese të Vuçiqit në vitet '90 ishte ajo ku shprehej se "për çdo serb të vrarë, do të vrasim 100 myslimanë!"

Biseda

Në bisedën që pati me Damir Marushiqin nga Qendra Evropiane e Këshillit të Atlantikut, Kurti u shpreh se Kosova ishte “storja më e suksesshme e demokracisë në rajon”, deklaratë që po ashtu bie ndesh me qëndrimet e mëhershme të partisë që drejton.

“Mos u gaboni: Të zhbësh progresin tonë në Kosovë do të ishte fitorja e vetme e madhe e dëshiruar nga despoti President Putin.” – tha mes tjerash kryeministri.

Më poshtë e keni bisedën e plotë të kryeministrit tonë në këtë platformë:

Lajme të ngjashme