Më në fund u kthye - çka tha Kurti në Prishtinë pas vizitës trijavore jashtë shtetit? - NACIONALE

Më në fund u kthye - çka tha Kurti në Prishtinë pas vizitës trijavore jashtë shtetit?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pas një vizite 20-ditore jashtë shtetit, kryeministri Albin Kurti është kthyer në Kosovë.

Në adresimin e parë para mediave, ai e ka vlerësuar si të suksesshme vizitën e tij të gjatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vizitën e shkurtër në Zvicër.

I pari i qeverisë ka thënë gjatë kësaj vizite se është takuar me kompani të ndryshme në SHBA, pavarësisht se kjo është e pazakontë për një kryeministër.

Sipas tij, qëllimet kryesore të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë tërheqja e investitorëve në Kosovë dhe siguria për vendin.

“Vizita nuk ka qenë e shkurtër. Dy kanë qenë qëllimet kryesore të kësaj vizite në SHBA. E para është investimet në Kosovë dhe siguria për Kosovën. Shumicën e takimeve i kam pasur me kompani të ndryshme që i kam njoftuar për progresin në Kosovë dhe kam kërkuar kontributin e tyre. Dhe siguria për Kosovën me problemet që i kemi në Ballkan, pasi Beogradi zyrtar ka lidhje të ngushtë me një shtet që ndodhet në luftë në Ukrainë”, ka thënë Kurti.

Për sa i përket asaj që ka biseduar në takimet e tij në SHBA, Kurti ka thënë se tema ka qenë anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës si dhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kemi biseduar për mundësitë të na ndihmojnë për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe NATO. Dhe kemi diskutuar edhe për synimin e Kosovës të aplikojë për anëtarësim në BE. Është përmendur dialogu Kosovë-Serbi, dhe qëndrimi është i palëkundshëm që Beogradi duhet të ndryshojë dhe dialogu duhet të rezultojë me një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, me ç’rast në qendër do të jetë njohja reciproke”, tha Kurti.

Një nga fotografitë që bëri bujë gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës në SHBA, ishte ajo nga takimi i tij me këshilltarin për siguri kombëtare, Jake Sullivan.

Kjo fotografi u shkrep buzë shkallëve të një korridori dhe nuk ngjante fort me një takim zyrtar tipik.

Por, për takimin me Sullivanin, Kurti pohoi se ka qenë në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se me këshilltarin për siguri kombëtare u takua në funksion të njërit prej qëllimeve të tij, sigurisë.

“Që do të qëndroj gjatë, e kam paralajmëruar me kohë, përveç atyre që nuk i ndjekin zhvillimet politike. Unë kam qenë në Shtëpinë e Bardhë dhe takimi ka qenë me këshilltarin për siguri kombëtare Jake Sullivan, që është pikërisht takim në funksion të qëllimit tim tjetër përveç investimeve në Kosovë, e ajo është siguria për Kosovën. Në ndërhyrjen e NATO-s për ta ndalë gjenocidin në Kosovë, kemi pasur katër figura të jashtëzakonshme politike në SHBA, presidentin Clinton, Sekretaren Albright, Gjeneralin Clark dhe zëdhënësin James Rubin, por prapa tyre ka qenë Këshilltari për Siguri Kombëtare Sandy Berger, e tash në vend të tij e kemi këshilltarin Jake Sullivan i cili është një person shumë i informuar dhe i mprehtë dhe takimi me të ishte i një rëndësi tejet të veçantë ”, tha Kurti.

Albin Kurti u nis për në SHBA më datë 6 maj, ndërsa në Prishtinë u kthye më 26 maj.

Pavarësisht se nuk takoi ndonjërin nga zyrtarët më të lartë të shtetit në SHBA, kjo vizitë e Kurtit shënoi një rekord të ri, si vizita më e gjatë e një kryeministri të Kosovës jashtë shtetit. /Nacionale/

Lajme të ngjashme