Ndodh çudia, edhe Veton Surroi e mbështet Ballkanin e Hapur - NACIONALE

Ndodh çudia, edhe Veton Surroi e mbështet Ballkanin e Hapur

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ditë më parë e lavdëroi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për mënyrën se si luan në politikë.

Madje, analisti Surroi shkoi deri në atë nivel sa ta etiketojë Vuçiqin si njërin prej politikanëve më të shkathtë në Ballkan, përcjell Gazeta Nacionale.

Në një intervistë dhënë Ilva Tares, Surroi ka thënë se dialogu Kosovë - Serbi duhet të bëhet serioz.

“Për, sa kohë ka çështje si njohja e targave, e të tjera si këto, që marrin vëmendjen dhe energjitë, atëherë bisedimet nuk kanë sjellë asnjë ndryshim për marrëdhëniet mes dy vendeve. Fatkeqësisht, dialogu ka hyrë në një fazë mikro-menaxhimi, jo tani, por prej vitesh tashmë. Ndaj sfida kryesore është si të nisë një dialog ku palët të përballen me ankesat e tyre,”, tha fillimisht ai.

Ballkani i Hapur

Këshilltari i Qeverisë për dialogun komentoi edhe çështjen e shumëpërfolur këto ditë, atë të Ballkanit të Hapur.

Surroi ka thënë se Kosova duhet të pjesë e këtij samiti, pavarësisht formës se si.

“Kosova duhet të marrë pjesë dhe të jetë anëtare e plotë, ose vëzhguese, të shprehë qëndrimet e veta për çdo nismë të arsyeshme që është në Ballkanin Perëndimor dhe çdo nismë tjetër në Europë”.

“Qëllimi ynë është të marrim pjesë në çdo proces shumëpalësh në Europë, jashtë Europës dhe në botë. Ne duhet të shprehim në mënyrë aktive opinionet tona”, vazhdoi.

Në anën tjetër, publicisti kosovar foli edhe rreth pocesit të Berlinit.

Sipas tij, objektivi kryesor është se si të arrihet te Tregu i Përbashkët Rajonal.

“Kemi nevojë për të arritur objektivat që janë parashkruar në marrëveshjen e Sofjes për të ndihmuar Tregun e Përbashkët Rajonal. Objektivi ynë është si të arrijmë tek Tregu i Përbashkët Rajonal mes të gjitha vendeve të Balkanit brenda një kohe relativisht të shkurtër. Duhet të vendosim pritshmëri të matshme, për shembull, cilat janë 10 gjërat që na duhen në 6 muajt e ardhshëm për të përforcuar procesin dhe të kemi rezultate konkrete”, shprehet ai.

Kujtojmë se Ballkani i Hapur, që dy ditë më parë e po aq radhazi regjistroi takimin e radhës në Ohër, ka ndarë opinionin politik kosovar në pro dhe kundër.

Mali i Zi e Bosnja së fundi morën pjesë, kësaj radhe në cilësinë e vëzhguesit, por duke dhënë kështu sinjal të qartë se janë të gatshëm që të rrisin bashkëpunimin, çka nënkupton se 'duan' të jenë pjesë.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë, ia ktheu përgjigjen homologut verioro-maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë përgjigjen ku mes rreshtash u mësua se ishte negative.

Letra e plotë e Kurtit për homologun maqedonas:

I nderuar Kryeministër,

Ju falemnderit shumë për ftesën e datës 23 maj 2022.

Republika e Kosovës mirëpret bashkëpunimin rajonal të bazuar në parimet e barazisë dhe me qytetarët si përfitues përfundimtarë.

Për këtë qëllim, ne jemi të angazhuar në mënyrë aktive në Procesin e Berlinit, i cili mbulon shumë iniciativa rajonale, duke përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në 2020 dhe u miratua dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian.

Të dyja vendet tona ndajnë vlera të përbashkëta dhe aspirata të përbashkëta për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ne gjithashtu ndajmë një besim të përbashkët në lirinë, demokracinë, drejtësinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe qytetarit, median e lirë dhe lirinë e mendimit dhe një mjedis politik ku opozita nuk heshtet, por lulëzon dhe mund të fitojë në zgjedhjet e ardhshme.

Kjo është arsyeja pse ne kemi ndërmarrë reforma që luftojnë korrupsionin, promovojnë sundimin e ligjit, avancojnë ekonomitë tona dhe rrisin mundësitë për të gjithë. Dhe pse të dyja vendet tona rreshtohen vazhdimisht me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë edhe kundërshtimin e pushtimit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia, ku ne shpejt e dënuam dhe vendosëm sanksione kundër Federatës Ruse, pavarësisht vështirësive ekonomike.

Pasi që jemi takuar disa herë, unë besoj fuqishëm se këto janë vlerat që duam të ndjekim në rajonin tonë, për të siguruar paqe dhe prosperitet afatgjatë.

I nderuar Kryeministër,

Besoj se këto synime arrihen më së miri në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku operojmë me rregullat e BE-së dhe vlerat e BE-së dhe ku punojmë për të siguruar mekanizma të trajtimit të drejtë nga të cilët përfitojnë të gjithë qytetarët tanë në mënyrë të barabartë. Siç e dini, në kuadër të Procesit të Berlinit Serbia kërkon trajtim të pabarabartë për qytetarët e Kosovës dhe bllokon çdo marrëveshje brenda Tregut të Përbashkët Rajonal që mundëson bashkëpunim rajonal të bazuar në parimet e barazisë.

Duke pasur parasysh vlerat e përbashkëta mes dy vendeve tona, është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës.

Sinqerisht,

Albin Kurti

Kryeministër i Republikës së Kosovës

/Nacionale/

Lajme të ngjashme