Ndryshimi i Kurtit: Nga bashkimi kombëtar si domosdoshmëri, te bashkimi si mundësi
Kryeministri Albin Kurti, edhe në vizitat jashtë vendit po përballet me premtimet që i kishte bërë para se të bëhej kryeministër. Gjatë vizitës në Britani të Madhe, ai u pyet për qëndrimin e tij rreth bashkimit kombëtar, dhe përgjigjja e tij tregoi se ka ndryshuar qëndrim për këtë çështje.
Ndërsa, gjatë fushatës për zgjedhjet qendrore të vitit 2019 në Kosovë, Kurti pati shpjeguar, krejt në stil tjetër, bashkimin kombëtar. Ai tregonte për një domosdoshmëri historike për të realizuar këtë ide.
“Nuk mund të them që bashkimi kombëtar ndodh në BE. Atje bashkohem me danezët, austriakët e spanjollët. Bashkimi jonë duhet të ndodhë këtu. Do të përdorja togfjalëshin e Arbën Xhaferit “intencën historike të shqiptarëve për bashkim”. Nuk e zgjedhim ne bashkimin, por ai na zgjedh. Jemi ashtu si jemi, shqiptarë, për intencën e këtij bashkimi. Nuk ka komb tjetër ku ka burra me emër Bashkim. Ka burra me emër Flamur. Kjo intenca historike është ajo që na bën. Në anën tjetër, Ukshin Hoti e ka tezën të saktë që bashkimi kombëtar e Bashkimi Evropian nuk e zëvendësojnë njëra-tjetrën, e as nuk e përjashtojnë”, kishte thënë Kurti.
Për më tepër, ai këtë opinion të gjerë mbi bashkimin kombëtar e pati konkretizuar duke dhënë shembuj të organizimit institucional nën një shtet të vetëm.
“Do të shtoja që Kosova e Shqipëria kanë nevojë të afrohen, të integrohen drejt bashkimit edhe në idenë e një federate. Sikurse Gjermanitë, me decentralizim të institucioneve. Institutin e Historisë do ta kishim në Prizren gjithë populli ynë. Universitetin e arteve në Pejë, atë të mineraleve në Mitrovicë. Atë të Turizmit në Vlorë ose Durrës. Gjykatën Kushtetuese në Shkodër”, duke përfunduar skicimin e një organizimi të njësuar kombëtar.
Në të kaluarën deklarimet e Kurtit për bashkimit kombëtar përveç që ishin të shumta, përbënin një vokacion të të pashmangshmes.
Madje këtë domosdoshmëri të bashkimit kombëtar e pati shpjeguar, duke pohuar se “ne nuk e bëjmë bashkimin kombëtar, është ai që na bën neve”.
Mirëpo, prej ardhjes në pushtet, ai flet ndryshe për këtë kauzë historike të tij. Tani kryeministri Kurti arsyeton rrethanat, të cilat, sipas tij, e pamundësojnë një gjë të tillë. Ai harron se këto rrethana ekzistonin edhe kur Kurti fliste mbi një domosdoshmëri të bashkimit kombëtar.
Pasi pati fituar zgjedhjet vitin e kaluar, në një vizitë në Shqipëri, ai pati prezentuar ndryshimin e tij të madh në këtë temë. Aty fjala e tij u mjaftua me një shpjegim të gjendjes së vështirë të idesë së bashkimit kombëtar, ku me ç’rast pati përfunduar se “në një referendum do të votonte pro bashkimit kombëtar”.
Për t’u shquar në këtë ndryshim qëndrimesh është fakti që tashmë Kurti thekson se mandati i tij nuk buron nga një kauzë mbi bashkimin kombëtar.
“Unë jam zgjedhur kryeministër për të luftuar korrupsionin për të hapur vende pune për të rinjtë dhe gratë. Por në të ardhmen nuk do ta përjashtoja bashkimin kombëtar. Sidoqoftë, për stabilitet në rajon më e mira do të ishte nëse gjashtë vendet e Ballkanit të hynin në BE. Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete, por një komb. Ne nuk e shpallëm pavarësinë kundër Shqipërisë, por kundër Serbisë”, deklaroi Kurti gjatë 2021.
Ngjashëm, i ftuar për të mbajtur një fjalim në Universitetin Cambridge, gjatë vizitës që pati në Britani të Madhe, ai zbriti bashkimin kombëtar si një mundësi e së ardhmes. Ai ritheksoi qëndrimet e tij mbi këtë çështje, duke pohuar se fushata e tij e vërtetë ishte e ndërtuar larg nga një ide kombëtare si ajo e bashkimit kombëtar, ani pse nuk e përjashtoi si një mundësi të së ardhmes.
Kësisoj Kurti, ndryshe nga periudha para pushtetit ku e paraqiste bashkimin kombëtar si një domosdoshmëri subjektivizuese, tani po e paraqet vetëm si një mundësi e së ardhmes, brenda së cilës ai do të ketë rolin pasiv të një votuesi në referendum.