Osmani sillet si lidere partiake, e poston Rugovën, por anashkalon përsëri Demaçin - NACIONALE

Osmani sillet si lidere partiake, e poston Rugovën, por anashkalon përsëri Demaçin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Vjosa Osmani ka një vit e pak muaj që është zgjedhur presidente e Kosovës. E partitë opozitare e kanë akuzuar që nga fillimi se nuk përfaqëson unitetin e popullit, siç e parashihet me Kushtetutë. Madje, opozitarët nuk kanë ngurryer ta quajnë Osmanin “notere të Kurtit” e “presidente partiake”.

Në fakt, Osmani jo rrallëherë është treguar selektuese edhe në ditën përkujtuese e karshi figurave emblematike të Kosovës.

Shefje e shtetit, edhe këtë të mërkure është treguar përjashtuese, duke përkujtuar vetëm Ibrahim Rugovën, por jo edhe Adem Demaçin, ndonëse të dy ishin fitues të çmimit Saharov.

Gjersa po qëndronte në ambientet e Parlamentit Evropian, komandantja supreme e ushtrisë është treguar supremisht selektuese, duke përkujtuar vetëm Ibrahim Rugovën, ish-presidentin e Kosovës e të LDK-së.

Një moment i veçantë sot në Parlamentin Evropian”, ka përshkruar Osmani fotografinë ku shihej Rugova, i cili ishte fitues i çmimit Saharov, të cilin e ndan Parlamenti Evropian.

Por, ajo nuk ka postuar edhe fotografinë e Demaçit, i cili poashtu ishte fitues i çmimit prestigjioz që ndan Parlamenti Evropian për personalitetet që kanë dedikuar jetën në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe lirisë së fjalës.

Madje, për një gjest të tillë, presidenten Osmani e kanë kritikuar edhe komentuesit në postimin që e para e shtetit e ndau.

Megjithatë, figurën e Demaçit e kishte vlerësuar lartë vetë Parlamenti Evropian, i cili shkroi një shkrim relativisht të gjatë për ish-disidentin kosovar.

Parlamenti Evropian e kishte quajtur Demaçin simbol të përpjekjes për pavarësinë e Kosovës, teksa i ndau këtë çmim në vitin 1991.

Duke mbajtur qëndrim kundër shytpjeve të ashpra të regjimit serb, ‘Mandela e Ballkanit’ iu përkushtua promovimit të tolerancës dhe pajtimit etnik në Kosovë”, shkruante tutje Parlamenti Evropian.

Biografia e Demaçit e shkruar nga Parlamenti Evropian

Tutje, aty theksohet karriera e gjatë e Demaçit si disident dhe përkrahja që i kishte dhënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Adem Demaçi është simbol i luftës për pavarësinë e Kosovës. I përfshirë si lider i lartë në politikën e vendit për shumë vite, Demaçi ishte gjithashtu i burgosur politik për një kohë të gjatë, i cili kaloi gjithsej 28 vjet në burg për shkak të kundërshtimit të keqtrajtimit të të shqiptarëve etnikë dhe kritikës së komunizmit nën diktatorin jugosllav, Josip Broz Tito”, thuhej tutje në biografinë e Demaçit, të shkruar nga Parlamenti Evropian.

Ky institucion i rëndësishëm i Bashkimit Evropian, përmendte edhe kohën e luftës dhe kritikën që Demaçi kishte për Rugovën.

Ai qëndroi në Kosovë gjatë konfliktit që u ringjall me dështimin e bisedimeve në vitin 1999 dhe kritikoi liderët e tjerë, përfshirë Rugovën, se u larguan nga vendi në një moment kaq historik. Demaçi e ka cilësuar Kosovën gjatë luftës si “burgun më të madh në Evropë”. Ai vetë u arrestua dy herë nga autoritetet serbe”, vazhdon biografia e Demaçit.

Demaçi gjatë fjalës së tij në Parlamentin Evropian në vitin 1991

Kujtojmë që edhe ish-presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova ishte fitues i çmimit Saharov.

Rugova e kishte fituar Saharovin në vitin 1998, duke u bërë laurati i dytë shqiptar me këtë çmim prestigjioz.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që Osmani anashkalon figurën e Demaçit.

Edhe në ditën e betimit si presidente, Osmani nuk e kishte përmendur emrin e Demaçit, teksa nuk e kishte harruar Rugovën.

Sot është Dita e Kosovës, dita e demokracisë së saj. Sot ne kujtojmë rolin e arkitektit të shtetit tonë, Ibrahim Rugovën i cili politikës ia dha dimensionin më të çmueshëm të saj, dimensionin human. Historia jonë është histori e përkushtimit”, thoshte shefja e shtetit ndër të tjera.

Osmani është kritikuar edhe për mos përmendjen e UÇK-së në përvjetorin e betejës së Koshares, gjë e cila kishte ngjallur shumë reagime në publik.

Lajme të ngjashme