Presidentja Osmani në rolin e zëdhënëses së Qeverisë: Marrëveshja për energjinë me Serbinë është kruciale - NACIONALE

Presidentja Osmani në rolin e zëdhënëses së Qeverisë: Marrëveshja për energjinë me Serbinë është kruciale

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidentja Vjosa Osmani është deklaruar në mbrëmje për temën më të madhe të ditës. Marrëveshja për energjinë, e nënshkruar nga Besnik Bislimi në emër të Qeverisë Kurti, është vlerësuar si “progress” nga ana e shefes së shtetit.

Në një postim në gjuhën angleze në Twitter, Osmani e ka cilësuar marrëveshjen si një marrëveshje të një “rëndësie kruciale”.

Duke folur për marrëveshjen, Osmani foli pak edhe si zëdhënëse e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Kurti.

Ajo tha se Kosova është treguar konstruktive.

Progresi i arritur sot në dialogun Kosovë-Serbi përmes arritjes së marrëveshjes për udhërrëfyesin e energjisë është i një rëndësie kruciale. Si gjithmonë, Kosova ka treguar të jetë konstruktive dhe e angazhuar në mënyrë aktive në këtë proces”, ka shkruar e para e shtetit.

Tutje, Osmani ka shkruar se tani duhet vetëm të zbatohet marrëveshja.

Tani zbatimi është hapi kyç përpara!”, e përfundoi shkrimin e saj të shkurtër Osmani.

Siç ka shkruar Gazeta Nacionale kjo marrëveshje, e që për synim ka faturimin e energjisë elektrike të shpenzuar në veri të vendit, e ka përballur Kurtin edhe një herë me të kaluarën e tij. Më saktësisht, me deklaratat e kritikat që i kishte bërë në adresë të Qeverive Thaçi e Mustafa.

Kryeministrit Kurti i doli edhe një video sa ishte opozitar, teksa fliste për KEDS-in dhe mbledhjen e faturave të energjisë në veri të vendit.

Nëse KEDS-i nuk i mbledh faturat nëpër Veri, atëherë duhet të kthehet në pronë publike shpërndarja dhe furnizimi. Nëse se bën KEDS-i, duhet ta bëjë qeveria”, deklaronte Kurti atëbotë.

Por, faturat nuk do t’i mbledh as KEDS-i e as Qeveria si theksonte Kurti dikur se duhej të behej.

Ajo që do të bëjë faturimin e rrymës në komunat veriore është një kompani e Serbisë.

Po ashtu, kompania “JP Elektroprivreda Srbije Beograd”, që do të inkasojë paratë e energjisë së shpenzuar në veri, është pronare e operatorit Elektrosever. Aksionare kryesore del të jetë hiç më pak se Republika e Serbisë.

Ndërsa, marrëveshja e re që u arrit sot, u bazua në dy marrëveshjet e mëparshme, të cilat Lëvizja Vetëvendosje e Kurti i kritikonin ashpër sa ishin në opozitë.

Në fakt, atëbotë VV opozitare e kishte shpallur “legalizimin” e Serbisë në Kosovë, e cila gjë, sipas tyre, po arrihej pas marrëveshjes së vitit 2015.

Vetëvendosje ka kundërshtuar dikur ashpër të dyja marrëveshjet që do t’i zbatojë përmes një udhërrëfyesi të nënshkruar me Serbinë në Bruksel sot.

Ishte shtatori i vitit 2015, kur në një konferencë për media, VV kishte kritikuar të njëjtën marrëveshje, mbi të cilën u bazua marrëveshja e nënshkruar nga kryenegociatori Besnik Bislimi dhe ai serb, Petar Petkoviq.

Marrëveshja për energjinë legalizon ndikimin e Serbisë, pamundëson unifikimin me Shqipërinë”, shkruante VV me SHKRONJA TË MËDHA.

Lidhur me çështjen e pronës brenda territorit të Kosovës, që theksohet në këtë marrëveshje, Qeveria e Kosovës ka pranuar që të jenë dy mendime të kundërta për pronësinë, mendime këto që sipas marrëveshjes kanë legjitimitet të barabartë dhe të plotë”, shkruante tutje VV.

7 vite më pas, VV në pushtet ka tjetër qëndrim. Ata tashmë marrëveshjet që dikur legalizonin Serbinë, i kanë pranuar si platforma mbi të cilat duhet të bazohet marrëveshja e arritur sot.

Por, pranimi i marrëveshjeve të mëparshme të nënshkruara nga qeveritë e kaluara, simbolikisht ka “pajtuar” Kurtin me ish-presidentin Hashim Thaçi e ish-kryeministrin Isa Mustafa.

Lajme të ngjashme