Rrahman Jasharaj dhe sindikatat kanë të drejtë - NACIONALE

Rrahman Jasharaj dhe sindikatat kanë të drejtë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mjetet a armët e vetme që organizimi sindikal i ka përballë qeverisë a biznesit janë ‘shantazhi për ndalje të punës’ dhe ‘ndalja e punës’. Historikisht janë armët e vetme të punëtorëve në betejat e tyre. Asnjë fitore nuk i është falur punëtorëve; çdo hap është bërë me zor; herë duke përdorë njërin mjet e herë tjetrin, apo duke i bashkërendu këto mjete.

Ende s’është shpikur ndonjë armë tjetër – mos i shtyni drejt kauzës së revolucionit :). Pa këto mjete a armë, punëtorët do të ishin të papërfillshëm. Do të shtypeshin edhe më shumë. Punëtorët revoltohen përmes këtyre armëve, ndryshe s’do të flitej për të drejta a revolta të punëtorëve, siç nuk është folur për shekuj e shekuj.

Me këto mjete a armë po përpiqen edhe sindikatat në Kosovë karshi qeverisë Kurti.

Të përqendrohemi te sindikata e arsimit në Kosovë, që besoj fuqishëm se i ka të drejta kërkesat, e po ashtu metodologjinë e veprimit.

Për sindikatën e arsimit, vazhdimisht është theksuar togfjalëshi; po shantazhon qeverinë, e kjo na qenka tregues se sindikalistët janë të shitur, të blerë, a të kapur, apo të gjitha së bashku.

“Na rritni pagat se e ndalim punën”, po i thonë sindikalistët qeverisë, dhe kjo nuk dëshmon ato që thuhen nga qeveritarët a përkrahësit e tyre, përkundrazi, dëshmon se sindikata e arsimit po vepron brenda logjikës së veprimit sindikal. Përrallat tjera se sindikata është kundër qeverisë së Albin Kurtit, janë të qëllimshme, dhe tentojnë t’i heshtin sindikalistët.

Me çka tjetër do të mund t’i shtynte përpara qëllimet sindikata e arsimit? Qëllime që janë të drejta, pasi pagat e mësimdhënësve janë të ulëta – ose miratone Ligjin e Pagave, ose na i rritni rrogat, po thonë sindikalistët.

Akuza e linçime ndaj figurave sindikale janë përdorur përgjatë gjithë organizimit sindikal, dhe këtë po e vërtetojnë edhe qeveritarët e sotëm. Ama dalja e Vetëvendosjes në taborin e pronarit që abuzon me sindikalistët është e reja, dhe vjen prej kohës që u fut në pushtet, së paku si ligjërim.

Fuqia e mësimdhënësve buron nga puna e tyre. Ndalimi i punës së tyre paraqet humbje për qeveritarët, pasi, sikurse biznesmenët, detyra e tyre është performanca. Detyrë e sindikatës është vend i dinjitetshëm i punës, mbi të gjitha paga të kënaqshme për punëtorët.

Kjo është fushëbeteja. Këtu bëhen negociatat, s’ka pikëtakim tjetër, sepse punëtorët s’kanë fuqi tjetër pos punës së tyre. Pse do të fliste pronari, qeveria në këtë rast, me punëtorët, po të mos i kushtonte ndalja e punës?

Prandaj edhe thirrja klishe ‘s’duhet të dëmtohet procesi i mësimit’ është anti-sindikale.

Një huqje tjetër e madhe që bëhet në këtë diskutim është kur përcaktohet roli i sindikatës së arsimit. Sindikatës së arsimit, ndër zë e me zë të lartë, i kërkohet t’i kryejë detyrat e qeverisë. Sindikata s’e ka për detyrë të rrisë cilësinë e arsimit në Kosovë. As të sigurojë sapunët për nevojtoret e shkollave.

Cilësia e arsimit në Kosovë është detyrë e qeverisë, ministrave, sekretariateve të ministrive, deputetëve, kryetarëve të komunave (përfshirë edhe ata të Vetëvendosjes), por edhe e instituteve e OJQ-ve që financiohen me para publike dhe që për përshkrim të detyrave kanë ‘ngritjen e cilësisë së arsimit’.

Sindikata e arsimit ka paralajmëruar protesta. Sot po e mban një, dhe atë me numër të madh të protestuesve. Tash e disa muaj qeveria i ka shpërfillur sindikalistët, bile kryeministri ka refuzuar t’i takojë.

Brenda çdo proteste ke elementin e shantazhit, dhe vetë paralajmërimi i tillë është shantazh. Sindikata e arsimit ‘shantazhoi me ndalje të punës’ nëse s’miratohet Ligji i Pagave – bile në nëntor/dhjetor i dha afat deri në fundmars, pastaj i dha edhe një afat tjetër, tash është edhe një tjetër. Pasi këto s’u morën parasysh, duket se sindikata do të mbajë grevë të përgjithshme; pra do përdoret mjeti tjetër, shumëfish më i fuqishëm, pra ndërprerjen e punës.

Qeveria po reagon sikurse pronari arrogant e i babëzitur që sulmon punëtorët e tij dhe në vend që të merret me problemin kryesor, pagat e mësimdhënësit, merret me ‘qëllimet e fshehta të sindikalistëve’, ku veçohet kryetari i sindikatës së arsimit dhe ku në kuptimin e plotë të fjalës bullizohet ai. Bile propagandohet se është pasuruar nga aktivizmi sindikal, çka ne si gazetarë e dimë që s’është aspak e vërtetë dhe kemi raportuar rreth kësaj.

Qeveria po shantazhon sindikalistët; jeni me ne, ose kundër neve, dhe kështu do t’ju trajtojmë. Pra qeveritarët po kërkojnë të nënshtrojnë lëvizjen e punëtorëve; sjellje tipike e pronarit të biznesit që ‘lejon sindikatë’, por që udhëheqësit e sindikatës të jenë të afërt/dosta me pronarin – këtë herë Albin Kurtin.

Çdo bisedë rreth sindikatës duhet të nisë me pagën e mësimdhënësit. Paga e mësimdhënësve është e ulët. Mësimdhënësit në Kosovë marrin ndërmjet 390 euro për muaj deri tek 419 euro – dikush që ka punuar me dekada merr disa dhjetëra euro më shumë në muaj.

Ministrat, këshilltarët e zërat publikë kundër sindikatës janë të pasur, jo sindikalistët, e sidomos jo mësuesit. Është e çuditshme se si ata/ato që kanë paga të larta, e sulmojnë më së shumti Rrahman Jasharajn se qenka i pasur ky. Por ky është muhabet tjetër.

Një tjetër aspekt që legjitimon kërkesat e sindikalistëve është shpërndarja që i është bërë buxhetit të shtetit. Qeveritarët, Vetëvendosje, pretendojnë se janë të majtë, dhe është pritur nga ta të qeverisin me këto parime. Nëse e shohim ndarjen/tendencën e parave të shtetit, na dalin do projekte për tunele, për asfallt, për ushtri, rrjedhimisht këto sikur përgënjështrojnë pretendimin e qeveritarëve për qeverisje zhvillimore e mbrojtje sociale të qytetarëve.

Sidomos tash, kur jemi në krizë të njëpasnjëshme, e kryeminstri thekson gati në çdo dalje se Kosova ka rritje ekonomike dyshifrore.

Fatkeqësisht, jam i bindur se qeveria do ta fitojë këtë betejë me sindikalistët. Kjo duhet të na shqetësojë. Partia në qeveri ka pasur vazhdimisht një armë të fortë, dhe ajo është ndërtimi i një ligjërimi të caktuar politik, që në këtë rast do të përdoret, veçse ka nisur të përdoret, për të shantazhuar e linçuar sindikalistët, pra për t’i heshtur – shantazhi qeveritar është autoritarizëm dhe s’duhet të përzihet me shantazhin sindikal.

Qeveria nëse nuk arrin përmes ligjërimit të heshtë sindikatat, do t’i përdorë mjetet/armët burokratike shtetërore: duke u thirrur në reforma shtetërore, teste të cilësisë, e forma tjera burokratike.

Testimi i mësimdhënësve mund të jetë një prej mënyrave, prandaj edhe po insistohet aty, sidomos kohëve të fundit. Edhe duhet të bëhet testimi i mësimdhënësve, por edhe kanë të drejtë ta kundërshtojnë sindikalistët, pasi insistimi i tyre se mësimdhënësit kanë përfunduar master, pra kanë kaluar testimet e shtetit për t’u bërë mësimdhënës – edhe në këtë pikë ky është dështim i qeverisë, jo i sindikatës.

P.S. Qenka edhe një mjet a armë tjetër e punëtorëve.

Heshturazi e fshehurazi punëtorët përdorin sabotimin e punës kundrejt qeverive e bizneseve. Sabotimi është një proces i stërgjatur, sfilitës dhe me pasoja, së pari për punëtorët. Mirëpo, pasojat për qeveritë a bizneset shtypëse janë edhe më të rënda: Bizneset shtypëse i falimenton, ndërsa qeveritë që u kthejnë shpinën punëtorëve, sabotimi i çon në koshin e plehrave të historisë.

Sabotimi të sakaton dhe të falimenton.

Lajme të ngjashme