Trusti prapë kryetemë e ditës, Kuvendi mblidhet edhe sot për të vendosur - NACIONALE

Trusti prapë kryetemë e ditës, Kuvendi mblidhet edhe sot për të vendosur

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në seancën e djeshme parlamentare, Trusti u la prap pas dore. Seanca u ndërpe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Ata qytetarë që pritën se ç’do të bëhej në këtë seancë, do të presin çka bëhet në këtë të sotmen. Kuvendi do të mblidhet përseri sot për të diskutuar, e ndoshta edhe votuar, për Trusti.

Dhuna në familje nuk po i ndahet përditshmërisë së vendit. Pa e parë, nuk i kushtojmë rëndësi, paçka se përditë shkruhet për të. Gjatë ditës së djeshme, dhuna u pa, e inxhizuar. Në mes të kryeqytetit të Kosovës, në Prishtinë, një burrë rrahu një vajzë të mitur, në prezencë të shumë kalimtarëve. Njëri nga ata, rastisi të ketë telefonin në dorë, për t’i ‘çelur sytë’ shoqërisë, të cilët reaguan me të madhe pasi panë pasqyrimin e një realiteti të trishtë, nëpërmjet një videoje.

As në jetën politike s’ndryshoi shumë. Thënë më saktë, s’ndryshoi kush. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, edhe dje vazhdoi të sillet si lidere partiake, duke postuar një fotografi nga vizita e saj në Parlamentin Evropian, ku shihej Rugova e ‘fshihej’ Demaçi.

“Çfarë Trusti, s’ka Trust”: A po e trus pauzë VV-ja për Trustin?

Përfaqësuesit e partive opozitare e kanë kritikuar kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, për ndërprerje të paarsyeshme të seancës së djeshme, në të cilën pritej të shqyrtohej tërheqja e Trustit.

Ata kanë deklaruar se pushteti qëllimshëm po e zvarritë mbajtjen e seancës për shqyrtim e Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Konjufca ka ndërpre seancën në mënyrë arbitrare.

“Me javë të tëra, kemi pa arsye dhe forma të ndryshme që është penguar për me ardh deri në votimin e kësaj pike. Pra, edhe dje në mënyrë të paprecedentë dhe në mënyrë arbitrare është ndërprerë seanca e Kuvendit, pikërisht kur ishim te pika e diskutimit të Trustit. Pra, një kërkesë rreth 695 mijë kontributpaguesve dhe në mënyrë të paprecedentë ndërpritet seanca dhe thuhet se do të vazhdojë nesër”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, në sallë kishte deputet të mjaftueshëm për vazhdimin e seancës

Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, është habitur nga ndërprerja e seancës.

Ai ka thënë se edhe kësaj radhe mazhorancës i mungoi shumica. “Pat një rast që ne morëm pjesë në një votim, e votuam projektligjin, presim në çdo kohë me bashkëpunu me shumicën që me e votu tërheqjen e trustit. Ata se kishin shumicën, për shkak se nuk duan me bë marrëveshje me ne. Kuptohet ata e kanë Listën Serbe dhe ndoshta do ta kenë shumicën herën tjetër dhe do të ndodh ajo që ndodhi me veteranë, mirëpo nuk është në rregull me shku në këtë logjikë të mbivotimit kundër çështjeve që janë të ndjeshme për qytetarët”, ka deklaruar Haradinaj për “Ekonomia Online”.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ndërprerjen e seancës së djeshme e ka arsyetuar me mungesë të kuorumit.

Babai rreh vajzën në mes të Prishtinës

Një burrë është parë duke rrahur një vajzë të mitur gjatë ditës së djeshme në njërin nga parqet e kryeqytetit, përkatësisht në pjesën e njohur si “Tokbashqe”.

Lexues të gazetës Nacionale, kanë dërguar pamje të rënda nga kjo ndodhi.

Në videon e siguruar, vajza e cila goditet disa herë duket se thotë “baba”, duke iu përgjëruar që të ndalojë.

Përpos dhunës së ushtruar, e mitura vazhdonte t’i shkojë pas babait dhunues.

Nacionale kontaktoi Policinë e Kosovës, të cilët dje thanë se ende nuk kanë ndonjë informacion shtesë rreth kësaj ngjarjeje.

Osmani sillet si lidere partiake, e poston Rugovën, por anashkalon përsëri Demaçin

Vjosa Osmani ka një vit e pak muaj që është zgjedhur presidente e Kosovës. E partitë opozitare e kanë akuzuar që nga fillimi se nuk përfaqëson unitetin e popullit, siç e parashihet me Kushtetutë. Madje, opozitarët nuk kanë ngurryer ta quajnë Osmanin “notere të Kurtit” e “presidente partiake”.

Në fakt, Osmani jo rrallëherë është treguar selektuese edhe në ditën përkujtuese e karshi figurave emblematike të Kosovës.

Shefja e shtetit, edhe këtë të mërkure është treguar përjashtuese, duke përkujtuar vetëm Ibrahim Rugovën, por jo edhe Adem Demaçin, ndonëse të dy ishin fitues të çmimit Saharov.

Gjersa po qëndronte në ambientet e Parlamentit Evropian, komandantja supreme e ushtrisë është treguar supremisht selektuese, duke përkujtuar vetëm Ibrahim Rugovën, ish-presidentin e Kosovës e të LDK-së.

“Një moment i veçantë sot në Parlamentin Evropian”, ka përshkruar Osmani fotografinë ku shihej Rugova, i cili ishte fitues i çmimit Saharov, të cilin e ndan Parlamenti Evropian.

Por, ajo nuk ka postuar edhe fotografinë e Demaçit, i cili poashtu ishte fitues i çmimit prestigjioz që ndan Parlamenti Evropian për personalitetet që kanë dedikuar jetën në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe lirisë së fjalës.

Lajme të ngjashme