U kritikua fort, por Sallahu i Drejtësisë krenohet me deklaratën qesharake për vajin në tepsi - NACIONALE

U kritikua fort, por Sallahu i Drejtësisë krenohet me deklaratën qesharake për vajin në tepsi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Anëtarë të ndryshëm të pushtetit aktual, herë pas here, lëshojnë deklarata të çuditshme. Disa prej tyre, janë edhe qesharake. Një e tillë, absolutisht e denjë për meme erdhi nga njeriu numër dy i Ministrisë së Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Zëvendësministri Blerim Sallahu, ka qenë protagonisti i ditës së djeshme, pasi që bëri një krahasim të padëgjuar në lidhje me shpejtësinë dhe cilësinë së punës në Ministri. Ai zgjodhi një metaforë të çuditshme e të pa thënë më parë në diskursin publik.

Sipas tij, cilësia dhe shpejtësia e punës në Ministrinë krahasohet vetëm me shpejtësinë e shpërndarjes së vajit në tepsi.

“Po ju them këtu me përgjegjësi që niveli i shpejtësisë së punës së Ministrisë së Drejtësisë dhe cilësisë, gjithashtu, mund të krahasohet me nivelin e shpejtësisë të shpërndarjes së vajit në tepsi”, tha ai në emisionin “Context” të ATV-së.

Sallahu e shpërndau këtë deklaratë edhe në rrjetin social “Facebook”, duke lënë të kuptohet që s’është pishman, përkundrazi, duket se është krenar.

Reagime të shumta pati pas kësaj deklarate, të shumtat prej të cilave ishin tallje kundrejt zëvendësministrit.

Rreth njëzet njerëz e shpërndanë këtë deklaratë të zëvendësministrit të Drejtësisë, shumica prej të cilëve vazhduan talljet e kritikat me deklaratën e ‘mirëmenduar’ të Sallahut.

Ndër personat që e shpërndanë ‘perlën’ e Sallahut ishte edhe Fatmire Musliu, motra e deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, që njëherit ka qenë përfaqësuese diplomatike e Kosovës në Gjermani.

Musliu ishte mjaft e ashpër në reagimin e saj, duke e quajtur tërthorazi budalla zëvendësministrin.

Çka është edhe më e rëndë, është se ajo pretendon se vëllai i Blerim Sallahut, Rrahimi, është një i dyshuar për fajde.

“Mos e vet se t‘kallxon vet!!!! Ganja është motra ime ose siç më thërrasin: unë jam motra e Ganës, por ama mos harro herën tjetër të tregosh se ti je vëllau i Rrahimit i cili është i dyshuar për fajde. Për këto llomotitje, po të isha unë në vend të Albin Kurtit ti do të shkarkoheshe nga deryra.”, shkroi Musliu në “Facebook”.

Në lidhje me këtë temë, ka shkruar edhe analisti Valon Syla, i cili ka ngritur alarmin duke thënë se “çifti” i Sallahut do të udhëheqë me procesin e vetingut.

“Çifti këtina Sallahut pritet me bo Veting. Shikone talentin qysh kqyr naltë kishe i meçëm edhe po mendohet me thonë diçka, përderisa përfundon me një shembull me vaj në tepsi”, shkroi ndër të tjera Syla.

Kujtojmë që deklarata të çuditshme shpeshherë ka dhënë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Ai njihet më shumë për deklaratat e tij jo të zakonshme.

Ndonëse është ekonomist me profesion, në disa deklarata Bislimi ka thyer edhe logjikën ekonomike.

Më e famshmja e tij, është ajo për punësimin në kohë të mbylljes totale si pasojë e pandemisë, teksa Bislimi krenohej se ka punësuar njerëz gjatë kohës sa ekonomia ishte e mbyllur.

Ndonëse e gjithë bota i frikësohej humbjeve ekonomike si pasojë e kufizimeve nga COVID-19, Bislimi theksonte punësimin e mbi 9,300 personave. E gjithë këtë ja faturonte qeverisjes së mirë të Qeverisë Kurti 1.

Kontributi i politikanit në shkencën ekonomike do të mbahet mend edhe për një interpretim të ri të pagës. Më konkretisht asaj se çfarë nuk është paga.

‘’Paga s’është loto, me hapë smok, me këqyr a ka dalë paga aty. Është njëfarë analize që i paraprin‘’, thoshte Bislimi në një raportim në Kuvend, teksa flitej për ligjin e pagave e koeficentët.

Në një deklaratë tjetër, Bislimi irritoi edhe mjekët e Kosovës. Dyshi i Qeverisë tha se mjekët largohen edhe nga Gjermania, teksa fliste për ikjen e mjekëve nga Kosova.

Lajme të ngjashme