<b></b> Byroja ku e mposhtëm Serbinë e Rusinë: Kjo është organizata për të cilën s'kishte haber Albin Kurti

Byroja ku e mposhtëm Serbinë e Rusinë: Kjo është organizata për të cilën s'kishte haber Albin Kurti

01.05.2022 10:49

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas kthimit të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se nuk ka qenë fort “i kthjellët”, kushtimisht thënë. Kjo pasi ka obliguar Ministrinë e Industrisë që të anëtarësohej në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave. Problemi? Ne ishim anëtarë të kësaj byroje prej 10 dhjetorit të vitit 2015.

Nuk dihet se çka po bënte kryeministri Albin Kurti, saktësisht më 10 dhjetor të vitit 2015, por ajo që dihet është se ishte pjesë e opozitës së bashkuar Vetëvendosje, AAK dhe Nisma. Në fakt, dihet po ashtu që po protestonte ashpër në lidhje me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi,

Por, çka është Byroja Ndërkombëtare e Ekspozitave dhe për çka shërben?

Kjo Byro që njihet me akronimin në anglisht BIE është një organizatë ndër-qeveritare që ka për detyrë të mbikëqyr dhe rregullojë të gjitha panairet ndërkombëtare të cilat zgjasin më shumë se tri javë dhe të cilat nuk kanë natyrë komerciale, shkruhet nga vetë kjo Byro.

Sipas saj, janë “katër lloje ekspozitash të cilat organizohet nën patronazhin e saj: Ekspozitat Botërore, Ekspozitat e Specializuara, Ekspozitat e Hortikulturës dhe Trienalja e Milanos.”

Cili është misioni i saj?

Sipas kësaj organizate, misioni i saj është që “të garantojë cilësinë dhe suksesin e këtyre ngjarjeve botërore, të mbrojë të drejtat e organizatorëve dhe pjesëmarrësve dhe të ruajë vlerat themelore të Edukimit, Inovacionit dhe Bashkëpunimit.”

Një gjë të tillë kjo Byro e bën duke i zgjedhur nikoqirët e ekspozitave të radhës, e pra që nënkupton se mund ta zgjedh edhe Kosovën një ditë. Po ashtu, duke iu ofruar kandidatëve dhe shteteve nikoqire ekspertizën e tyre në menaxhimin e ngjarjeve, brendimin e vendit dhe diplomacinë publike.

World Expo 2020, Dubai, Conde Nast Traveler

FOTO: World Expo 2020, Dubai

Marrë parasysh edhe pozitën e pafavorshme diplomatike të Kosovës, një gjë e tillë tingëllon mjaft profitabile për Kosovën.

Sa vende anëtare janë?

Byroja Ndërkombëtare e Ekspozitave ishte themeluar në vitin 1928 nga 31 shtete. Por, sot kjo organizatë është rritur ndjeshëm dhe ka 170 shtete anëtare, si rrjedhojë e suksesit dhe tërheqjes nga Ekspozitat e organizuara ndër vite e ndër dekada. Pra, ishin 169 shtete anëtare të cilat kishin vendosur në dhjetorin e vitit 2015 që ta pranonin Kosovën, dhe natyrisht duke qenë se anëtare janë edhe shtetet (Serbia, Rusia) që nuk e njohin dhe e luftojnë pavarësinë e Kosovës, lufta për anëtarësim/mosanëtarësim ishte po ashtu e madhe.

Zyret e kësaj organizate të rëndësishme janë në Paris të Francës, një vend të cilin kryeministri Kurti e ka vizituar disa herë më radhë.

Çka bëjnë shtetet anëtare?

Sipas BIE-s, shtetet anëtare marrin pjesë në të gjitha diskutimet dhe përfshihen në zhvillimin e politikave dhe parimeve të Ekspozitave.

“Shtetet anëtare po ashtu marrin pjesë nga fillimi në diskutimet me organizatorët e Ekspozitave, veçanërisht në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në ngjarje. Secili shtet anëtar prezantohet nga maksimumi tre delegatë. Dhe secili shtet ka të paktën një votë  në Asamblenë Gjenerale të Byrosë”.

Marrë parasysh mosnjohurinë e kryeministrit Kurti për këtë organizatë, është e zorshme të kuptohet që Kosova ka përdorur Byronë për ta promovuar edhe më shumë vendin dhe Pavarësinë.

Të shpresojmë që Kurti anëtarësimin në këtë organizatë, të paktën, nuk do ta reklamojë si sukses të Qeverisë së tij. 

Të gjithë ata që kanë interes për të mësuar edhe më shumë mbi BIE-në, i ftojmë të klikojnë KËTU. 

Tjera nga autori:
1