<b></b> Dr. ‘Google”, udhërrëfyesi i vetëm për ushqyerjen me gji për nënat e reja kosovare

Dr. ‘Google”, udhërrëfyesi i vetëm për ushqyerjen me gji për nënat e reja kosovare

06.05.2022 15:14

Si foshnja, shumica prej nesh ushqimin e parë e kemi marrë prej gjinjve të nënave tona. Por, gjidhënia po del problem serioz politik, aq serioz sa ekspozon foshnjërinë e krejt politikës kosovare.

Të lindësh në Kosovë, përbën sfidë në vete. Krahas dhimbjeve e procesit të lindjes, sfidë e vazhdueshme për nënat pas lindjes mbetet procesi i gjidhënies.

Këtë proces për ta praktikuar në momentet e para pas lindjes shumë nëna e kanë të vështirë. Marrë parasysh këtu edhe rrethanat që në maternitete, mamitë e infermieret, zor që të dalin në ndihmë.

Vështirë e kam pasur edhe unë në momentin kur në korrikun e vitit të kaluar lindja djalin. Ani se me operacion e pak komplikime të tjera, tentimet për ta ushqyer me gji, nuk ndaleshin.

Në dhomën ku qëndrova për rreth dy javë unë bashkë me 5 paciente tjera, në asnjë moment, asnjë mami ose staf tjetër mjekësor, nuk na është afruar për të na e shpjeguar procesin e gjidhënies.

Dr. Google e Youtube, ishin të vetmet referenca për ne, nënat e reja.

Kush po flet sot për gjidhënien?

Nga Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, në bazë të gjetjeve theksojnë se vetëm 29 për qind e grave i ushqejnë fëmijët me qumësht gjiri deri në muajin e gjashtë.

Gratë deputetë kërkuan nga Qeveria që të punojë më shumë sa i përket vetëdijesimit të grave.

“Më vjen shumë mirë që jemi bashkë për të diskutuar në lidhje me rëndësinë e gjidhënies, përkatësisht për ligjin për promovimin dhe mbështetjen e gjidhënies”, thotë Tinka Kurti, deputete në Kuvendin e Kosovës.

Kurti thekson që aktualisht është sfidë kudo që gratë t’i përshtaten vendit të punës.

“Ka praktika jo të shumta por të mira me dhoma të përshtatshme të gjidhënies, një rekomandim tjetër i OBSH-së që në secilin vend të punës ku ka gra të punësuara ku duhet të jetë një dhomë e pastër me çelës me një akomodim të lehtë, frigorifer të vogël për gjidhënie apo pompimin e qumështit.”

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku, tha se afërsia e nënës në gjashtëmujorin e parë është e rëndësishme për mirëqenien e fëmijës.

“Gruaja është në gjendje që shumë shpejt ta marrë veten dhe të dalë në punë, por duhet të mendojë edhe për fëmijën. Është nevoja që ta ketë nënën afër. Ne jemi këtu sot që të diskutojmë fillimisht për ligjin në fuqi i cili duhet të plotësohet e të ndryshohet. A po krijohet kjo mundësi, a po zbatohet kjo, sepse mund të jetë largësia... sa është larg, sa ka ajo mundësi me shku e mu kthy. Janë edhe pengesa tjera infrastrukturore”, thotë Kollçaku.

Zëvendësministrja e shëndetësisë, Dafina Gexha, tha se kjo temë është e rëndësishme dhe e paraparë që të zbatohet si ligj.

“Në kudër të MSH-së, përveç trajnimeve që janë dhe e kryejnë detyrën e tyre që nga gjinekologët, po ashtu me promovimin e gjidhënies rol të rëndësishëm luajnë edhe mamitë e neonatologët që punojnë me gratë. Promovimi që bëhet në institucionet shëndetësore i kemi edhe vizitat në shtëpi, në këto vizita janë të parapa që gjatë shtatzënisë të bëhen dy vizita në shtëpi.”

Visare Mujko nga UNFPA, ka thënë se fatkeqësisht gjidhënia në Kosovë s’është në nivelin e duhur.

“Unë kam qenë trajnere e gjidhënies. Kisha dashtë t'i përmendi disa gjëra, kur kemi implementimin e ligjit për gjidhënie. Rëndësia e mamive dhe e punëtoreve shëndetësore. Për fat të keq, gjidhënia në Kosovë nuk është në nivel si duhet. Arsyet janë të ndryshme, sa më i lartë niveli i arsimimit aq më e madhe gjidhënia. Nuk ka informata të mjaftueshme dhe të drejta që po i përvilen grave për të mirat dhe benifitet që i ka gjidhënia.”

Tutje ajo thekson se grave nuk u jepen informacione lidhur me të mirat e gjidhënies.

“Këto info nuk po jepen saktësisht. Kemi edhe influencën e familjarëve, kur qan fëmija po ia fillojnë me suplemente. Gjinekologët, mamitë, t'i japin informatat e sakta. Duhet të jepet përkrahja edhe nga burri e familja, mos të ndërhyjnë me metodat tradicionale. Nënat kanë përvojë, por është edhe puna e informatave shkencore. Ne kemi pasë informata ku në Afrikë gjyshja e ka inciu gjidhënien, se vajza e vet ka vdekur.”

Megjithatë, edhe pas kësaj tryeze, nënat kosovare gjidhënëse ballafaqohen me sfida nga më të ndryshmet. /Nacionale.com/

Tjera nga autori:
1