<b></b> FMN-ja shqetëson ekonomistët e Kosovës: Do të rritet depresioni, do të ikë rinia

FMN-ja shqetëson ekonomistët e Kosovës: Do të rritet depresioni, do të ikë rinia

21.04.2022 11:30

Fondi Monetar Ndërkombëtar [FMN] në një projeksion për bruto-produktin vendor ka paraparë që Kosova të ketë rritje për vetëm 2.8 për qind këtë vit (2022). Edhe pse më 2021 ishte 9.5 për qind, po sipas këtij fondi.

E njohësit e fushës së ekonomisë këtë çështje po e shohin si mjaft shqetësuese.

Bie fjala, Lekë Musa, në një bisedë për Nacionalen, është shprehur i shqetësuar për vlerësimin e FMN-së për ekonominë e Kosovës.

Musa ka thënë se për këtë gjë deri më tani nuk ka asnjë veprim nga Qeveria e Kosvës për të dalë nga kriza pas efekteve që ka krijuar lufta Ukrainë-Rusi, e të cilat sipas tij janë më të rënda se të pandemisë.

“Kjo është shqetësuese sepse nuk ka sinjale se qeveria është duke marrë ndonjë iniciativë për të nxjerrë nga kriza sektorë të caktuar. Lufta në Ukrainë së bashku me ngritjen e çmimeve ka treguar efekte më të këqija se pandemia”, ka thënë ai.

Musa ka treguar se Qeveria duhet të stimulojë sektorët e ekonomisë, sepse në të kundërtën do të ketë largim të fuqisë punëtore dhe depresion shtesë.

“...dhe çfarë duhet bërë në këto raste, është që qeveria të stimulojë sektorë të caktuar që do të japin shtytje dhe do t'i tërhjekin sektorët tjerë pas vete, përndryshe do të jetë shumë keq sepse do të ndikojë në depresion shtesë dhe largim të fuqisë punëtore, e që pastaj ka efekt zinxhiror”, ka nënvizuar Musa.

Ndërsa profesori universitar i ekonomisë, Nazmi Zeqiri, ka thënë se parashikimet e FMN-së janë të frikshme dhe shqetësuese dhe se “deri më tani qeveria nuk ka krijuar vizion për zhvillimin ekonomik dhe reagimet kanë qenë kryesisht reagime ad hoc, dhe në shumicën e rasteve të vonuara dhe me tendencë populliste”.

Zeqiri ka thënë Qeveria e Kosovës duhet të rishikojë politikat ekonomike dhe politikat të tjera që ndikojnë në rritjen ekonomike të vendit.  

Parashiket e FMN janë shqetësuese dhe të frikshme. Kosova ka një bazë të vogël të GDP dhe trendi i parashikuar për rritje te GDP është i pamjaftueshëm dhe nuk plotëson as për së afërmi pritjet e qytetarëve sepse rritja e GDP përkthehet edhe në mirëqenie më të mirë për ta. Këto parashikime të errëta për rritjen e GDP prekin drejtëpërdrejt jetën e qytetarëve sidomos kur në këhën e fundit inflacioni është dyshifror dhe ka tendencë te rritet tutje”, ka thënë ai për Nacionale.

Konsideroj që qeveria duhet rishikuar politikat ekonomike, politikat fiskale, duhet rishikuar të gjitha skemat e subvencioneve dhe granteve në bujqësi (sepse pavarëshisht se janë dhënë mbi 500 milionë euro në bujqësi efektet nuk është që janë parë diku, politikat për energjinë, duhet intervenuar në përmirësimin e ambientit të biznesit, duhet të zvogëlohet dukshëm barra administrative për bizneset, të gjitha këto do të ndikonin që ndërmarrjet tona të orinetohen më shumë kah prodhimi.”, ka theksuar ai.

E ekonomisti Ismet Mulaj, mungesën e investimeve kapitale dhe rritjen enorme të inflacionit po e sheh si efekt negativ në ekonominë e Kosovës.

Ai për gazetën Nacionale ka thënë se për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duhet që të kemi investime kapitale.

“Natyrisht që është shqetësuese dhe kjo vjen si pasojë e rritjes enorme të inflacionit, mungesës së investimeve kapitale dhe zvogëlimit të aftësisë blerëse në treg. Prandaj është jetik krijimi i ambientit miqësor për investime si dhe rritjen e investimeve kapitale në projekte që mund të rrisin punësimin. Do të duhej njs diskutim i gjerë me akterët ekonomikë se çka mund të bëhet dhe si mund të rritet trajektorja e rritjes së qëndrueshme ekonomike në Kosovë”, ka thënë Mulaj.

Ndërsa profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, në një bisedë për Nacionalen ka thënë se vlerësimet Qeverisë se do të kemi rritje 10 për qind të ekonomisë, nuk janë të sakta, pasi sipas tij, Kosova ka shënuar rënie drastike ekonomike në dy vitet e fundit.

“Unë e di që nga ana e brendshme janë paraqitur se Kosova po shënon rritje ekonomike deri në 10 për qind, por duhet pasur parasysh që këto dy vitet e kaluara Kosova ka pësuar rënie ekonomike drastike dhe tani përpjekjet janë që në vitet e ardhshme të kompensohet kjo rritje ekomomike”, ka thënë ai.

Profesori i ekonomisë po e sheh si të vështirë rikthimin e ekonomisë së Kosovës në pozitën që ka qenë para dy viteve.

“Rikthimi i Kosovë në pozita të para dy viteve do të marrë kohë dhe nuk do të jetë i lehtë”, ka nënvizuar ai.

Çka thuhet në raportin e FMN-së?

Raporti i FMN-së i edicionit të muajit prill ka dhënë shifra jo të mira për qeveritarët që flasin për rritje ekonomike por kanë harruar se inflacioni është ngritur në 10 për qind.

Sipas raportit, rritja ekonomike në Kosovën gjatë Qeverisjes Kurti për vitin 2022 është më e vogla ndonjëherë në Kosovë, përveç vitit 2012.

“Rritjen e ekonomisë sonë (prej 10,53% të Bruto Produktit Vendor) po e shpërndajmë për rritje të mirëqenies së qytetarëve duke e ndërtuar kështu shtetin social”, u shpreh kryeministri Albin Kurti më 12 prill, kur kishte vendosur të ndante nga 100 euro për shumë kategori sociale në vend.

Vitin e kaluar, ekonomia e Kosovës ishte rritur për 9.5 për qind sipas raportit, por fatkeqësisht njëjtë kishte ndodhur edhe me rritjen e çmimeve bazike (po 9.5 për qind) sipas FMN-së.

Sa i përket inflacionit, Kosova sipas FMN-së nuk ka vuajtur nga inflacioni i lartë si tash asnjëherë në histori përveç vitit 2008 – kur ishte shpallur e Pavarur – e i cili kishte qenë në shifrat 9.3 për qind.

Në vitin 2019 – një vit para se Kurti të merrte pushtetin për herë të parë – shkalla e inflacionit kishte qenë 2.7 për qind. Në vitin 2018, 1.1 për qind. Në vitin 2017, 1.5 për qind. Në vitin 2016, 0.2 për qind. Dhe në vitin 2015 -0.5 për qind.

LEXO EDHE: FMN-ja i jep goditje të rëndë propagandës së Qeverisë, rritja ekonomike për vitin 2022, më e vogla në 10 vitet e fundit

Tjera nga autori:
1