<b></b> Investitori i jashtëm 'troket' në Lipjan: Përveç shpërfilljes, kryetari Ahmeti i kundërpërgjigjet edhe

Investitori i jashtëm 'troket' në Lipjan: Përveç shpërfilljes, kryetari Ahmeti i kundërpërgjigjet edhe "ia tregon vendin"

21.04.2022 15:19

Derisa Qeveria e Kosovës është e zënë duke i prezantuar investimet e diasporës në patundshmëri si investime të jashtme, investitorët potencialë po hasin në injorim total nga dora e shtetit dhe komunave të Kosovës.

Kompania CNC NOLL që merret me përpunim të metalit, tash e sa ditë është duke u injoruar nga komuna e vogël e Lipjanit për një takim që ka të bëjë më krijimin e një hapësire për investime.

Kompania kosovare CNC NOLL thotë se kompania nga Gjermania Harald BOHL GmbH ka shprehur interesim që të investojë në Kosovë dhe për këtë, udhëheqësi i kompanisë kosovare, Selman Kadriu, i është drejtuar komunave që t’i krijojnë hapësirë për investim.

Selman Kadriu në një bisedë për Nacionalen ka rrëfyer se tash e sa javë ata janë injoruar totalisht nga Komuna e Lipjanit.

Më 30 mars 2022, Kadriu ka shkruar në email-in e kryetarit të Lipjanit, Imri Ahmetit, me kërkesën për takim që të bisedohet për krijmin e kushteve për investim nga ku do të punësoheshin për fillim 10 qytetarë të kësaj komune.

Mirëpo ai, deri në çastin e publikimit të këtij shkrimi, nuk ka pranuar përgjigje pavarësisht rikujtimit nga ana e tij.

“I nderuar kryetar, e di që jeni të zënë me shumë obligime, po desha t'ju rikujtoj kërkesën tonë të dërguar me 30.03.2022”, thuhet në rikujtimin që Kadriu ia ka bërë kryetarit Ahmeti.

Tani, pronari i CNC NOLL, është i detyruar që të presë se kush po bën ‘sevap’ me kompaninë gjermane të cilën e ka bindur që të investojë në Kosovë.

Kadriu është shprehur i zhgënjyer me të gjitha qeveritë që ka pasur Kosova me mos-përkrahjen e investimeve të huaja.

Më tej, ai ka thënë se ai ka pranuar oferat edhe nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, të cilët i kanë ofruar kushte të paimagjinueshme teska shteti i Kosovës nuk ka bërë asgjë.

“Neve na kanë ftuar nga qeveria e Maqedonisë që këtë aktivitet ta zhvillojmë në Shkup, pasi që 95% e prodhimit eksportohet. Na ofrojnë kushte të paimagjinueshme për të kaluar me investime te ta. Nuk e kuptoj asnjë qeveri, po as këtë të sotit, si është e mundur që të na identifikojnë nga Shkupi më shpejt se qeveria së cilës i paguajmë tatim. Shprehem totalisht i zhgënjyer me ambientin për të bërë biznes. Tani që 10 vjet mbaj takime, bëj prezentime në vesh të shurdhër”, ka thënë ai për Nacionalen.

Tutje, Kadriu ka bërë të ditur se ka pasur takime edhe me kryetarin e komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcin, i cili u ka thënë se nuk kanë hapësirë, ndërsa komuna e Prishtinës u ka premtuar shqyrtim të kërkesës së tyre.

“Komuna e Drenasit na ka pranu menjëherë në takim po Drenasi kërkon kohë, në tana anët bllokime politike. Në komunën e Prishtinës na ka pranu shefi i kabinetit të kryetarit me premtim që do ta shqyrtojnë kërkesën tonë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, i pyetur për këtë rast, kryetari i Lipjanit, Imri Ahmetit i është kundërpërgjigjur Kadriut.

Ahmeti ka thënë se nuk e ka ‘ndërmend’ t’ia kthejë, pasi dhënia e pronave të komunës ka procedura. Bile, Ahmeti ka thënë se ‘nuk punohet kështu’ dhe duhet të shkojnë atje ‘ku janë mësuar’.

Ku, se?

“Janë procedura të Kuvendit. Nuk merrem me asnjë nga njerëzit që merren me këta që kërkojnë takime individuale. Le të shkruajë ai për ditë, ai dhe të tjerët, nuk e kam veç me të. Pronat janë të komunës, nuk janë të babës tem, kanë ligj, kanë procedurë”, ka thënë ai.

“As nuk e kom ndërmend me ia kthy sepse unë nuk jap toka. Ai e ka shkru, po lyp tokë prej meje, unë s’i jap tokë kërkujt. Jo jo, nuk punohet kështu, ku janë mësu ata, le të shkojnë atje”, ka thënë kryetari Ahmeti për Nacionale.

Ahmeti ka shpjeguar procedurën se si mund të merret për shfrytëzim prona e komunës.

“Komuna ka rregullat sipas ligjit për dhënie të pronave. E para, duhen me qenë publike në uebsajt të komunës të gjitha pronat për të cilat komuna ka planifikim për me i dhënë në shfrytëzim. E dyta, dalin në asamble komunale, publikohen dhe bëhet një komision i tri partive më të mëdha politike në Kuvend, kushdo që janë këto parti, dhe ky komision bën përzgjedhje të bizneseve dhe jo kryetari. Kuvendi ka aprovu një pjesë të këtyre pronave që do të publikohen pas këtij vendimi. Jemi në pritje të vendimit për konfirmimi të MAPL-së për konfirmim të ligjshmërisë, momentin që vjen konfirmimi i ligjshmërisë dhe pastaj merret me ofertat e këtij zotërisë dhe kushdo qoftë tjetër”, ka thënë Ahmeti.

Ndryshe, reagime për mos-dhënien e pronës për investim e ka ngritur si çështje edhe Drejtori i Organizatës së Industrisë së metalit, Astrit Rexhaj, i cili ka kritikuar qeveritë për moskrijimin e kushteve për investime të huaja.

“Janë më tepër se 2 muaj që së bashku me Selman Kadriun kërkojmë lokacion për vendosjen e një fabrikë për prodhim dhe nuk gjejmë. Puna është që kjo fabrikë do të jetë bashkinvestim me një kompani Gjermane e cila ka interesim me e sjellë në Kosovë një pjesë koxha të madhe të një prej reparteve të veta prodhuese në të cilat, ndër të tjera, kryen punë për industrinë automobilistike Gjermane, por kjo nuk duket të jetë temë me rëndësi për askënd, andaj vetëm na dëshirojnë fat dhe suksese”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Nuk dihet nëse këtij investitor do t’i krijohet hapësirë për investim në Kosovë.

Tjera nga autori:
1